Për shumë vite, ofruesit e kujdesit shëndetësor rekomanduan përdorimin e përditshëm të aspirinës për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru tek njerëzit që kanë një rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Më pas, në vitin 2018, tre studime hodhën dritë mbi faktin se aspirina nuk është gjithmonë e dobishme për shëndetin tonë dhe mund të shoqërohet me një rrezik më të lartë të gjakderdhjes së rëndë. Sidoqoftë, përkundër këtyre gjetjeve, ideja që aspirina mund të ndihmojë shëndetin e zemrës sonë, veçanërisht për të moshuarit, ka mbetur. Hulumtimet e reja nga Qendra Mjekësore Beth Israel Deaconess kanë gjetur se miliona të rritur amerikanë marrin ende aspirinë çdo ditë, pavarësisht nëse mjeku i tyre e rekomandon atë apo jo.
Këto gjetje bien ndesh me udhëzimet aktuale të Shoqatës Amerikane të Zemrës dhe Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë, të cilat në mënyrë eksplicite thonë se të rriturit mbi 70 vjeç që nuk kanë pasur sulm në zemër dhe njerëzit që kanë një rrezik më të lartë të gjakderdhjes nuk duhet të marrin aspirinë. Ndërsa nga aspirina mund të përfitojnë njerëzit që kanë pësuar një sulm në zemër ose goditje në tru është thelbësore që të gjithë të konsultohen me mjekun e tyre nëse duhet apo jo të marrin aspirinë.
“Vendimi mjekësor në lidhje me terapinë me aspirinë duhet të marrë parasysh disa faktorë, të tillë si mosha e pacientëve, historia e tyre e mëparshme e sëmundjeve të zemrës, rreziku i gjakderdhjes dhe përdorimi i holluesve të tjerë të gjakut. Përfundimi është se duhet të bëni një diskutim me mjekun tuaj nëse do të përfitonit nga terapia me aspirinë,” tha për Healthline Dr. Aditya Bharadwaj, një kardiologe në Institutin Ndërkombëtar të Zemrës të Universitetit Loma Linda.
Miliona njerëz marrin aspirinë pa dijeninë e mjekut të tyre
Për të kuptuar se sa i përhapur është përdorimi i aspirinës, studiuesit vëzhguan të dhënat e shëndetit të 14,328 të rriturve nga Anketa Kombëtare e Intervistave Shëndetësore 2017.
Ekipi vlerësoi përgjigjet e pjesëmarrësve për tre pyetje:
- nëse një mjek ose profesionist shëndetësor u ka rekomanduar atyre të marrin çdo ditë dozë të ulët aspirine për të menaxhuar sëmundjet e zemrës
- nëse ata po e ndjekin tani këtë këshillë
- nëse ata marrin aspirinë me doza të ulëta për të parandaluar ose kontrolluar sëmundjet e zemrës
Studimi zbuloi se rreth 23%, ose 29 milionë njerëz, raportuan se kishin marrë aspirinë ditore për të parandaluar sëmundjet e zemrës. Prej tyre, gati 23%, ose 6.6 milionë, marrin pilula çdo ditë pa rekomandimin e mjekut. Për më tepër, rreth gjysma e të rriturve amerikanë 70 vjeç e lart që nuk kanë sëmundje të zemrës raportuan se marrin aspirinë çdo ditë.
Përdorimi i aspirinës është i përhapur dhe i rrezikshëm
Duke parë që kaq shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara po marrin aspirinë pa rekomandimin e mjekut të tyre, mjekët duhet të pyesin pacientët e tyre nëse përdorin aspirinë, sugjerojnë studiuesit. Përveç kësaj, ata duhet të edukojnë pacientët e tyre në lidhje me përfitimet dhe rreziqet e përdorimit të aspirinës, veçanërisht me të rriturit e moshuar dhe ata që kanë pasur sëmundje të ulcerës peptike.
“Sado e thjeshtë dhe e padëmshme të duket një tabletë aspirinë, veprimet e saj në trupin e njeriut janë komplekse dhe efektet e saj mund të sjellin përfitime dhe dëm të konsiderueshëm”, tha Dr. David Cutler, mjek në Providence Saint John’s Health Center.
Edhe pse aspirina mund të parandalojë mpiksjen dhe goditjet dhe sulmet në zemër, ajo gjithashtu mund të rezultojë në gjakderdhje të rrezikshme dhe efekte të tjera anësore, shton Cutler. Përveç gjakderdhjes në traktin gastrointestinal, terapia e përditshme me aspirinë mund të rrisë rrezikun e një goditjeje në gjak. Gjithashtu mund të shkaktojë një reaksion të rëndë alergjik tek disa njerëz. Kjo është veçanërisht shqetësuese për njerëzit që janë 70 vjeç e lart, thonë ekspertët e shëndetit.
“Pacientët e moshuar kanë një rrezik më të lartë të gjakderdhjes dhe ulcerave peptike. Rreziku i këtyre efekteve anësore rritet ndjeshëm nëse pacientët marrin njëkohësisht hollues të tjerë të gjakut (të tilla si warfarin, clopidogrel), ilaçe kundër dhimbjeve NSAID (si ibuprofen ose naproxen), ose steroide,” tha Bharadwaj.
Aspirina mund të jetë e dobishme për disa njerëz
Sipas ekspertëve të shëndetit, disa njerëz mund të përfitojnë nga marrja e aspirinës. Për shembull, nëse keni pësuar një goditje në tru ose një sulm në zemër, mjekët rekomandojnë marrjen e aspirinës. Përveç kësaj, ata që kanë presion të lartë të gjakut, diabet, kolesterol të lartë ose stente koronare mund të përfitojnë gjithashtu nga përdorimi i aspirinës, pasi përfitimet mund të tejkalojnë rreziqet, sipas Dr. Robert Greenfield, një kardiolog, lipidolog dhe drejtor mjekësor të kardiologjisë jo -invazive dhe rehabilitimit kardiak në Institutin MemorialCare Heart & Vascular.
Sidoqoftë është e rëndësishme të konsultoheni me kardiologun tuaj për t’u siguruar që është e sigurt për ju të merrni aspirinë. Kujdesi mjekësor duhet të jetë individual dhe personal, thotë Greenfield. “Megjithëse ka udhëzime për përdorimin e shumë agjentëve, përfshirë aspirinën, ne gjithmonë duhet të kujtojmë se gjykimi klinik mbetet i nevojshëm,” tha Greenfield.
Burimi / https://www.healthline.com/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.