Ilia Terpini, “Mjeshtër i madh”, operatori i ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” rrëfen punën për evidentimin e aktorëve të rinj. Si dolën në dritë Zhaklina Dhimojani, Matilda Makoçi e Yllka Mujo
Nga Leonard Veizi
Në një kërkim të pareshtur, të përhershëm, lodhës a terrorizues ndoshta, duhej gjetur gjithçka e munguar deri në atë çast, por gjithsesi imagjinuar apo supozuar gati deri në një ekstrem të paperceptueshëm. E pas kësaj, që në përballjen e parë dukej thuajse absurde, duhej marrë në analizë çdo detaj i anashkaluar, paralele në një strukturë asimetrike, portret më i thellë në përmbajtje apo më i mprehtë vështrimi, në një lojë pa zë a pantonimik. Por ndodhte, që gjithçka e cila dukej gati e pamundur, bëhej krejt më e thjeshtë se kaq, pikërisht atëherë kur shpresat ishin zhbërë dhe ambientimi me absurdin kishte krijuar një komfort të ri. Pikërisht atëherë, gjithçka shprishej dhe padyshim ajo që deri në atë çast ishte cilësuar vetëm si “e supozuar” papritur kishte marrë një vlerë konkrete e reale, pikërisht aty, në celulozë, ose pak më tej, në një fytyre njerëzore që priste me ankth fundin e gjithçkaje, në duhej ta kalonte pragun, atë të mbeste përtej…
…Të gjithë e kishin kaluar provën dhe punët po shkonin sipas planit të përgatitur në tryezë. Por mungonte vetëm një: Alma. Ajo ishte diku atje, midis gjimnazistëve të shumtë që kërkonin të binin në sy pas bankave të shkollës, por ende nuk e shihte njeri. Blici i aparatit fotografik kishte shkrepur mbi portretet e të paktën 150 vajzave të kryeqytetit, por Alma as që identifikohej mes tyre. Kur shpresat kishin humbur, krejt papritur ajo doli në skenë, pak e druajtur gjithsesi, por krejt e magjishme njëherazi…
Kjo ishte pak a shumë situata përpara fillimit të realizimit të filmit “I teti në bronz”, ku rastësia i dha kinemasë shqiptare një prej aktoreve më të mira të saj në vite. Operatori i mirënjohur, Ilia Terpini, “Mjeshtër i madh” rrëfen se si e zbuloi talentin e 15-vjeçares Yllka Mujo, të cilës iu besua roli i Almës në filmin e regjisorit Viktor Gjika:
INTERVISTA
Mbi çfarë baze përzgjidheshin talentet e reja të cilave u besoheshin role në kinemanë shqiptare?
Fillimisht mbi bazën e një fotografie. Pra, fotozhenia e pretendentit për aktor. Më pas bëhej dhe një kinoprovë, ku komponentët e përshtatjes fizike, figurës, zërit e interpretimit duhet të ecnin paralelisht? Kemi pasur shumë raste kur fotografia ka qenë shumë e mirë, por interpretimi nuk është ngritur asnjëherë në nivel.
Si fotograf e operator i Kinostudios, a keni zbuluar ndonjë aktor apo aktore që më tej ka pasur rezultate në fushën e kinemasë?
Në të vërtetë ato janë disa, por unë mund të mburrem të paktën me tre prej tyre: Zhaklina Dhimojanin, Matilda Makoçin e Yllka Mujon.
Për cilin rol u përzgjodh Zhaklina Dhimojani?
Për rolin e Mimozës tek “Mimoza Llastica”. Regjisorja Xhanfize Keko e kishte filmin e parë, dhe për këtë, mua si operator i filmit, më kërkoi ndihmë sidomos në gjetjen e “Mimozës”. Mbaj mend që Zhaklinën e kam parë të dilte nga shkolla, besoj duhet të ishte në klasën e parë, tek kryqëzimi i Tiranës së Re atje ku tani është monumenti i Uillsonit. Kishim kërkuar në gjithë Tiranën dhe nuk kishim ndeshur në një tip të tillë. Ishte një fëmijë shumë interesant dhe Xhanfizeja e pëlqeu shumë. Zhaklina e dha pritshmëritë e saj në atë film dhe pas kësaj pati disa role të tjera.
Ndalemi tek Yllka Mujo. Për çfarë roli bëhet fjalë?
Është roli i Almës tek filmi “I teti në bronz” me regjisor të mirënjohurin Viktor Gjika dhe skenar të Dritëro Agollit, i cili nisi xhirimet në vitin 1969. Ne si grup pune kishim 20 ditë që po punonim për zbërthimin e skenarit tekniko –regjisorial. Ishte marrë vendimi për të gjithë aktorët që do të interpretonin në film, që nga Sandër Prosi në rolin e mjekut dhe Mevlan Shanaj në rolin e Ibrahim Kovaçit e deri tek Vangjush Furxhi në rolin e Arifit. Por mungonte vetëm një, Alma.
Si do të përzgjidhej ajo?
Fotografova të paktën 150 vajza nëpër shkollat e mesme të Tiranës dhe disa të tjera gjatë zhvillimit të një spartakiade që bëhej në atë kohë. Njëra prej tyre ishte shumë interesante dhe në fotografi ishte fotozhenike. Unë e njihja këtë vajzë. Nga të gjitha këto, Viktori pëlqeu një nga vajzat e spartakiadës, pikërisht atë që i rekomandova dhe unë. “Kjo është shumë interesante, – më thotë. – Si e quajnë?” “Pranvera Hoxha, – i them unë. – Është vajza e Enver Hoxhës”. Viktori shtangu. “Bo, bo mo Ilia, – më thotë. – kjo është shumë interesante, por është bela ta marrim në grupin e xhirimit. Filmi do bëhet në Korçë, kjo po është në moshën e adoleshencës, po na lidhet me ndonjë djalë andej dhe ec e të merresh me udhëheqjen pastaj”.
Dhe u anulua pjesëmarrja e saj në film?
Natyrisht që po. Madje Pranverën e takova pas disa ditësh dhe ajo më pyeti. “Çfarë u bë me filmin? Unë i mora leje babit dhe ai është dakord”. U zura ngushtë dhe ia ktheve: “Po kërkojmë akoma se nuk e kemi gjetur Almën”.
Por si u gjet Alma e vërtetë?
Në fakt Alma u gjet disa ditë më vonë, kur unë i propozova Viktor Gjikës një tjetër fotografi të një studenteje nga Lushjna. “Në rregull, – tha Viktori, – kjo do të jetë Alma”. Mirëpo unë nuk isha shumë i sigurt për këtë gjetje dhe sërish i sugjerova regjisorit të kërkonim një ‘Almë’ tjetër. “Ilia, për tre ditë nisemi në Korçë, do zbatojmë planin e punës, ndaj vajzës t’i pritet kostumi”, më tha Viktori. Mirëpo ndodhi që po atë natë, i shoqëruar nga bashkëshortja ime Aurika, shkuam në Teatrin e Operas, për të parë një koncert. Binte shi dhe tek streha e Pallatit të Kulturës shoh një vajzë me një portret shumë interesant, dhe menjëherë mendova se ajo ishte gjetja e duhur. “Shiko-shiko, – i them gruas time, – Ku se kemi kërkuar dhe ajo qenka këtu. Po kjo është Alma”. Dhe e thirra. Vajza jo më shumë se 15 vjeç erdhi pranë dhe na përshëndeti. “Si të quajnë?, e pyeta. “Yllka Mujo”, m’u përgjigj. Atëherë ndërhyri ime shoqe. “Po kjo është nxënësja ime, e kam ngjitur vet në skenë të këndojë”.
Çfarë i propozuat Yllka Mujos?
I thashë që nëse mundej, të nesërmen të paraqitej në Kinostudio për një kinoprovë. Dhe ajo pranoi. Të nesërmen që në mëngjes shkova e takova Viktor Gjikën dhe i them me gojën plot: “Viktor, kam gjetur Almën”. Por Viktori ma ktheu: “Ç’thua mo Ilia, Almës i është qepur kostumi dhe pasnesër nisemi për të Korçë”. Mirëpo ndërkohë Yllka ishte shfaqur në fillim të rrugicës që të çonte për në atelie dhe unë e drejtova vështrimin e Viktorit për nga ajo. “Ç’është kjo picirruke”, tha regjisori që po e shihte nga larg. Por kur Alma u afrua ai ndryshoi mendim duke thënë: “More po qenka interesante kjo. Ilia bëji nja dy fotografi”. Pasi pa dhe fotografitë Viktori kërkoi menjëherë që vajzës t’i bëhej një kinoprovë. Edhe në këtë pikë Yllka ia doli për mrekulli. Ajo interpretoi më mirë se kushdo tjetër që kishte provuar për të njëjtin rol. Atëherë i dorëzuar pa kushte Viktor Gjika urdhëroi: “Yllkës t’i pritet kostumi i Almës dhe pasnesër ekipi do të niset për në Korçë se do fillojmë xhirimet e filmit”.
Dhe kështu u përfitua një Yll kinemaje?
Pa diskutim. Yllka më pas do të merrte shumë role të tjera si në filmat “Malet me blerim mbuluar”, “Zonja nga qyteti”, “Rrugicat që kërkonin diell”.“Taulanti kërkon një motër”. Por ajo do të shkëlqente fort dhe në skenën e teatrit me shumë e shumë role të tjera.
Flet Yllka Mujo
Ilia Tërpini më mori për dore e më hapi dritaren e kinemasë!
“Ilia Tërpini, është artisti i parë që më mori për dore e më hapi dritaren e kinemasë! Atëherë studioja për kanto në Liceun Artistik. Pas një njohje rastësore me të, edhe për shkak se bashkëshortja e tij Aurika ishte drejtuese artistike e korrit, ku unë këndoja, më propozoi të bëja një provë për të luajtur në film. Këtë propozim unë e pranova menjëherë. Ilia Terpini është një artist me cilësi të mrekullueshme, njerëzore dhe artistike, model i njeriut punëtor dhe i palodhur, me energji të rralla dhe me një optimizëm që e dallon dhe e zbukuron jetën e tij dhe të tjerëve që i qëndrojnë pranë. Gëzoj një respekt të veçantë për të edhe për faktin se në shoqërinë artistike të tij kam mësuar se çdo të thotë të jesh përherë i ri, me një dashuri të pakufishme për ta jetuar jetën bukur dhe me art. Pas filmit tim të parë, “I teti në bronz” me regji të Dhimitër Anagnostit, hera e dytë gjithçka do te ishte më e lehtë. Dhimitër Anagnosti më besoi rolin e Lilo Labes tek filmi “Malet me blerim mbuluar” kur isha 17- vjeçare. Nga ajo kohë unë do të mendoja për një rrugë ndryshe nga ajo e këngës”.
Vështrimi i saj ishte aq depërtues sa nuk e la fotografin të mendonte për diçka tjetër, ndoshta më të mirë se aq. Atij i kishin ngarkuar detyrën e vështirë për gjetjen e një personazhi rinor në filmin e ri që po përgatitej për t’i realizuar. Dhe ai nuk kishte përtuar të shkonte gjimnaz më gjimnaz për të realizuar fotografitë e atyre që i shëmbëllenin parafytyrimit të personazhit në letër. Ishte krejt e vështirë, sepse përveç shëmbëlltyrës do të duheshin edhe disa komponentë të tjerë, që nuk ishin aspak të favorshme për të përzgjedhurat e kryeqytetit. Duke folur për një aktore të talentuar si Matilda Makoçi, Ilia Terpini rrëfen: “Na duhej një aktore e re për rolin e Emas në filmin “Kërcënimi” një prodhim i vitit 1981 me regjisor Mark Topallaj. Pasi kisha parë plot vajza në gjimnazet e Tiranës, me rekomanduan të shkoja tek Politeknikumi, sepse dhe aty kishte një grup vajzash që binin në sy. Kur shkova në shkollën e rekomanduar ishte pushimi i madh dhe të gjithë nxënësit ishin jashtë. Matilda Makoçi më ra menjëherë në sy. Kishte një vështrim shumë interesant. I thashë se kush isha, cili ishte qëllimi ik dhe i propozova që të nesërmen të vinte në Kinostudio, për të bërë disa fotografi e një kinoprovë. Ajo pranoi dhe të nesërmen erdhi në ambientet e Kinostudios. Bëmë fotografi të mrekullueshme në disa vende. Matilda ishte shumë shprehëse. Por në fund regjisori nuk e zgjodhi për rolin e Emës. Ç’është e vërteta Matilda tregonte një karakter më të thellë, ndërsa regjisori mendonte se “vajza spiune” në film duhej të kishte një natyrë më të lehtë, pra një vajzë që manipulohej. Përveç kësaj ai mendonte se një aktore pa përvojë mund të mos e përballonte rolin. Kështu për filmin “Kërcënimi” ai përzgjodhi aktoren Rajmonda Bulku e cila ishte angazhuar edhe më parë në kinema. Ndërsa Matilda Makoçi, ishte një personazh, fotografitë e së cilës qarkulluan në duart e shumë regjisorëve, dhe po atë vit ajo u morr për rolin kryesor tek filmi “Si gjithë të tjerët”. Unë them se Matilda Makoçi padyshim ka qenë një nga aktoret më të mira që ka prodhuar Kinostudio”.
Krijimtaria
Njihet si një nga fotografët më të mirë në Shqipëri. Ilia Terpini, operatori i njohur i ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, por dhe i televizioneve, ka filluar të merret me fotografi që në moshën 6 vjeç, ditën që i ra në dorë një aparat fotografik, relike e luftës italo–greke. Më vonë, ky aparat u bë elementi më i dashur për të. Thotë se aparati fotografik është pjesë e jetës së tij, i cili nuk e ka tradhtuar kurrë. Njihet si realizuesi i disa ekspozitave si dhe ka marrë pjesë rregullisht në ekspozitat e fotografisë, brenda dhe jashtë vendit. Por ka realizuar edhe 26 filma artistikë me metrazh të gjatë, duke thyer në këtë mënyrë rekordin e operatorëve të Kinostudios. Ndërsa gjithashtu njihet dhe si realizuesi i më shumë se 50 dokumentarëve, një pjesë e të cilëve pasqyrojnë vitet e tranzicionit postkomunist.
Vlerësimet
Ilia Terpini është laureuar me çmimin e Republikës për dokumentarin “Në vitet e Revolucionit”, me regji të Dhimitër Anagnostit. Por gjithashtu mban dhe titullin e lartë “Artist i merituar”. Disa nga filmat artistikë më të njohur, realizuar nga kamera e tij, janë: “Ballë për Ballë”, “Mësonjëtorja”. “Dimri i fundit”, “Kush vdes në këmbë”, “I teti në Bronc”, “Gunat përmbi tela”, “Kapedani” etj. Mban, “Medaljen e punës”, “Artist i merituar”, “Çmimi i Republikës’, “Medaljone në 6 festivale të filmit”, “Çmim kombëtar për fotografinë artistike”, Urdhri “Mjeshtër i madh”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.