FB

March 13, 2024 | 13:42

“Mjeshtrja e Madhe”, Shegushe Bebeti nuk resht së na surprizuari me ambiciet e saj

 

Nga Orjona TRESA

 

Katër vjet më parë, të gjithë u strukëm e u mbyllëm brenda katër mureve të shtëpisë. Pandemia na izoloi jetën, përditshmërinë, dhe ajo që mund të bënim në ditët e para, ishte veçse të qëndronim ulur e të shihnim ç’po ndodhte me botën. Për disa njerëz ishte një mënyrë e shkëlqyer për të qëndruar pranë me të dashurit, familjarët, për të tjerë, një mundësi çlodhjeje nga rutina, por për disa, ku aktiviteti është kryefjala, u shndërrua në një periudhë ambiciesh dhe fantazish.

gushi

Për Shegushi Bebeti, aktoren e dashur të Teatrit të Kukullave në Tiranë, me të cilën jemi rritur mes personazheve si Pinoku, Borëbardha, Kësulëkuqja, Bardhoshja tek “Kur festohej një ditëlindje”, Kokëarra, Ida e vogël etj., shërbeu si një kohë ku do të eksperimentonte përmes artit të riciklimit. Dhe a e dini se çfarë bëri kjo aktore e dashur? Nuk hodhi asnjë material të padobishëm, plastik, prej kartoni dhe shumëçka tjetër të mundshme, duke i shndërruar në kukulla. Po, po. Aktorja që iu jep zë kukullave përmes interpretimit të saj, vendosi të kontribuojë në krijimin e tyre, si një mjeshtre e vërtetë. Shegushi, apo Gushi siç i thërrasim, me dashurinë për artin, që e ka udhëhequr në pothuaj gjithë jetën e saj, qysh në fëmijëri, zgjodhi të përmbushë atë që zemra i udhëhoqi, krijimin e 40 subjekteve, 30 prej të cilave kukulla, me materiale të riciklueshme, për të na i sjellë në një ekspozitë të dashur për të gjithë artdashësit.

417542918_10225479850564809_3866339326162026890_n

“Të gjithë jemi nga pak fëmijë” më thotë Gushi, “dhe kjo bëri që tek unë të përmbushej më së miri ky mision i ri, nga dëshira me zemër dhe të qenët profesioniste”. I është dashur kohë të përfundonte punimet e saj, sepse nuk është e lehtë të krijosh një kukull me përmasa relativisht të vogla, të bësh punë artizanale me dorë, dhe t’i japësh formë përmes një gjilpëre me pe. Kërkon durim dhe përkushtim për t’ia dalë.

20240311_175411

Arti ka gjuhën e zemrës

Në Galerinë Zenit në Tiranë, prej ditës së hënë, pra në 11 mars, kjo ambicie e madhe shfaqet kaq bukur mes personazhesh ende pa emër, sepse siç thotë aktorja Bebeti, ata do ta gëzojnë një të tillë pasi t’u ketë shkruar nga një skenar për secilin. Sepse ajo ka ndërmend që këto kukulla, të cilat shfaqen për herë të parë në publik, të kujdeset për të shkruar histori të veçanta ku të mund t’u japë zë edhe në skenë për të vegjlit.

Po t’i shohësh me kujdes këto mrekulli të vogla, afërmendsh të krijohet ideja se kush është babagjyshi, kush është nëna, cila është balerina apo rioshi me mustaqe, por edhe shtriga. Mes tyre ka plot personazhe, dikush i butë e i dashur falë materialit vatinë apo saten të punuar, me duar prej tubash kartoni, por ka dhe nga ata kokëboshët, të trajtuar si figurë nga punimi i një bidoni açeje, plastikë, me flokë fshese apo lecke dhe sy prej adezivi me ngjyrë të fortë. Padyshim që nuk mungojnë edhe lulet apo aksesorë si peshtafi i arturinave, bonbonieret, tabakatë, të gjitha punuar me mjeshtëri, sa të duket sikur je në një punishte artizanati të mirëfilltë.

20240311_175345

Ekspozita “Arti i riciklimit i sjellë në kukulla” në Galerinë Zenit në Tiranë, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 20 mars. Aty do të keni mundësinë të shihni nga afër kukullat e famshme të artistes dhe të mësoni më shumë rreth krijimit të tyre. Ekspozita “Arti i riciklimit i sjellë në kukulla” ndodhet në Galerinë Zenit, në rrugën e njohur tek Pallatet Agimi.

 

20240311_175359

Misioni nuk mbaron me kaq

Një artist e ka të qartë se kur përmbushet një mision, një tjetër po merr udhë. Pas kësaj ekspozite, aktorja Shegushe Bebeti do të nis një projekt me fëmijët me aftësi ndryshe, për të vënë në skenë një shfaqje të re teatrore, të shkruar nga vetë ajo, personazhe do të jetë kukullat e reja, me të cilat do të punojë me fëmijët, për t’u mundësuar atyre një dëshirë të shprehur prej kohësh.

Pas ekspozitës “Arti i riciklimit i sjellë në kukulla”, aktorja Bebeti do të organizojë projekte të reja dhe me institucione të ndryshme për fëmijë, për të zhvilluar seminare mbi mënyrat e përdorimit të materialeve të riciklueshme.

Shegushe Bebeti është një nga nismëtaret e para e organizimit të shfaqjeve vullnetare për fëmijët e Spitalit Pediatrik në Tiranë, fëmijët me aftësi ndryshme, fëmijët e Shtëpisë së Foshnjes, etj., duke iu dhuruar emocione tejet të bukura.

20240311_175509   20240311_175352

20240311_175757   20240311_175812

20240311_175732    20240311_175614

20240311_17573820240311_175608     20240311_180052

20240311_181055

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top