Është simbol i pastërtisë dhe pafajësisë, por edhe imazh i elegancës së përhershme. Ngjyra e bardhë është pasaporta e vërtetë e stinës së bukur.
Është ideale gjithashtu, sepse duke pasqyruar rrezet e diellit, ndihmon në rregullimin e temperaturës së trupit, duke na mbajtur të freskët dhe duke nxjerrë më në pah ngjyrën e artë të plazhit; thjeshtësia e saj shkëlqyese është garanci e klasit që karakterizon stilin e vërtetë.
Stilistët e kanë propozuar në një mijë mënyra: nga look-u total, i thjeshtë dhe i përsosur, deri në kombinime nga më të ndryshmet. Për më tepër, e bardha është ngjyra më e gjithanshme, të cilën kushdo mund ta interpretojë me mënyrën e vet.
Blerja e një këmishe, një palë pantallonave apo një fundi me këtë ngjyrë, por qoftë edhe një kuletë, një palë sandale ose edhe një palë syze me një kornizë të bardhë, është një investim i sigurt dhe garanci për një veshje që mund ta shfrytëzojmë në mijë mënyra dhe në shumë situata të ndryshme.
Një nga stilistët që ka promovuar temën ‘White’ me më shumë forcë është Chanel, që ka prezantuar një seri veshjesh përfshirë bluza, funde, xhaketa të çdo gjatësie dhe forme, por gjithnjë me shumë feminilitet.
Këtë vit, e bardha gjendet edhe tek takat e çizmeve transparente të lëkurës që do të karakterizojnë gjithë koleksionin pranvere-verë.
E bardha me tonet e panës gjendet edhe në koleksionin e Laura Biagiotti, ndërsa Louis Vuitton ka zgjedhur të bardhën e pastër absolute të kombinuar ndoshta me nuanca të blusë. E njëjta zgjedhje edhe për Roberto Cavalli, ndërsa Valentino ka zgjedhur nuancat e të bardhës së akullt për një efekt super të rafinuar.
Burimi / tgcom24.mediaset.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.