Dëshmi

May 30, 2018 | 14:12

Modelet që i duhen shoqërisë sonë

 “Vullneti për të fituar, dëshira për të arritur dhe vendosmëria për të arritur potencialin e plotë të vetes, janë çelësi për hapjen e derës së përsosmërisë së vetes”. Konfuci, ky mendimtar dhe filozof kinez, në parimet e tij, të cilat kanë influencuar në mënyrën e të menduarit në vendet aziatike, thotë gjithashtu se “asnjë mësim nuk ka vlerë nëse nuk je njeri”. E për të vërtetuar filozofinë e këtij njeriu të madh, mbi të gjitha duhet të ketë moral, drejtësi dhe sinqeritet për të fituar veten dhe atë të të qenit njeri i vlefshëm për shoqërinë.

Vilma Dule

Vilma Dule

Përjetimin e vendosmërisë dhe guximit për të hedhur pas krahëve dëmin që iu shkaktua, 27-vjeçarja nga Vlora, Vilma Dule, e cila u sulmua me acid fund gushtin e vitit 2013, rishfaqet me një mesazh të fortë për shoqërinë.

“Sot, pas 4 vitesh, jam një grua e vetëdijshme për forcën e saj, sepse e di që limitet e vërteta janë ato që ne i vendosim vetë vetes. Sot, jam një grua që nuk ka më dëshirë të fshihet, sepse nuk ka më frikë. Sot, jam një grua që ka zgjedhur të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse e di se bukuria e vërtetë i përket atij që ka një shpirt të pastër dhe që është në paqe me ndërgjegjen e vet. Sot, jam një grua që i dashuron vragat në fytyrë sikur të ishin rrënjët e saj”.

Në një bashkëbisedim të shpejtë për t’ia marrë këto emocione në momentin që ajo ka zgjedhur të bëjë ndërhyrjet e duhura plastike për të përmirësuar pamjen e saj, Vilma thotë se ndihet e vlerësuar për interesin e treguar ndaj historisë së saj. “Për të qenë koherente, po ju përgjigjem dhe juve me sinqeritet, duke ju thënë se momentalisht jam duke vijuar disa kura të rëndësishme për shëndetin. Do ishte një kënaqësi, nëse do të mund ta organizonim intervistën e plotë në një çast të dytë kur të jem fizikisht e përgatitur”. Vilma Dule ka vendosur të shfaqë fytyrën e saj në rrjete sociale, 4 vjet pas ngjarjes barbare ku u sulmua me acid në rrugë. “Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë” shkruan ajo.

Ambicia për të ecur përpara

Të marrësh vendime pa u ndrojtur, të kesh ambicie për të ecur përpara duke i lënë mënjanë paragjykimet e një vendi të vogël, t’i hedhësh pas krahëve dilemat të ardhura aty për aty në një kohë kur vendi ynë e vuan ende tranzicionin… këto dhe të tjera synime nuk e kanë ndalur aspak Rigerta Lokun të ecë përpara, me vendosmërinë e shndërrimit në një faqe të re të historisë së vendit ku ajo ka zgjedhur të jetojë e punojë.

Rigerta është ish-studentja me dy diploma, e cila përloti Kuvendin me ‘SOS’-in e kërkuar ndaj fshatit të saj. 35-vjeçarja foli në Kuvend me rastin e një aktiviteti për mbështetjen e bujqësisë dhe fshatit, ndërkohë kërkesat e saj për qeverinë ishin shumë të thjeshta: rrugë, ujë, shkolla. Rigerta Loku ka studiuar për shkenca politike në universitetin prestigjioz të “La Sapienza-s” në Romë dhe është specializuar për marrëdhënie ndërkombëtare. Ajo u rikthye vite më parë në Shqipëri, por pavarësisht shkollimit, bashkitë në Rubik dhe Rrëshen nuk ia pranuan ‘CV’-në.

Rigerta Loku

Rigerta Loku

Para ofertës për t’u rreshtuar politikisht, Rigerta Loku dhe bashkëshorti i saj, Leonard Tusha zgjodhën rrugën më të vështirë. Me paratë e kursyera në Itali, ata vendosën të ndërtojnë një fermë dhish në fshatin Prosek, në Mirditë. Sot janë krenarë që ia kanë dalë mbanë. E pyetur për mbi guximin e vendosmërinë që shfaqi me fjalimin e saj në seancë plenare, ajo thotë, “për momentin dua t’i qëndroj asaj që kam thënë në Parlament”, duke nënkuptuar qëndrimin e saj për një të vërtetë të prekshme, të përditshme.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com