FB

November 9, 2021 | 8:05

Modeli PERMA apo teoria e mirëqenies

Mendoni se është e mundur të rritet niveli i mirëqenies dhe lumturisë duke i kushtuar vëmendje 5 faktorëve? Ky është qëllimi i modelit PERMA. Zbuloni se si ta vini në praktikë!

Është folur shumë për rëndësinë e pranimit të emocioneve tona, pozitive dhe negative, për t’i dhënë fund detyrimit në të qenit gjithmonë të lumtur dhe me çdo kusht. Sidoqoftë, mendojmë se është po aq e rëndësishme të njohim mjetet e dobishme për të rritur kënaqësinë dhe mirëqenien tonë. Midis këtyre është modeli PERMA, i projektuar nga Martin Seligman.

Sikur t’ju thoshim se duke rritur sasinë dhe cilësinë e pesë faktorëve, mirëqenia rritet në mënyrë të menjëhershme? Tingëllon e pabesueshme, apo jo? Le të shohim nga se përbëhet modeli i zhvilluar nga Seligman dhe si ta zbatojmë atë menjëherë. Modeli PERMA është një teori e mirëqenies, e zhvilluar nga Martin Seligman, i konsideruar si babai i psikologjisë pozitive. Ai përshkruan zgjedhjet tona jo të sforcuara, në përpjekje për të qenë më të lumtur.

Ky model shfaqet si një zgjatim i modelit të tre mënyrave drejt lumturisë. Seligman, në fakt, besonte se kishte tri rrugë për të shkuar drejt lumturisë, rrugë të cilat, siç do t’i shohim, janë shumë të ngjashme me faktorët e modelit PERMA. Një jetë e këndshme. Synon të rrisë emocionet pozitive në lidhje me të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen. Një jetë e bërë me angazhim. Bëhet fjalë për shfrytëzimin e potencialit tonë për përvojat e jetës.

Një jetë kuptimplote. I referohet kuptimit të jetës dhe zhvillimit të qëllimeve që tejkalojnë interesat e veçanta të dikujt. PERMA është shkurtesa e 5 elementëve mbi të cilat bazohet kjo teori. Zhvillimi i secilës prej tyre rrit optimizmin, motivimin dhe kënaqësinë tonë.

Sidoqoftë, këta faktorë duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  • Ata duhet të kontribuojnë në mirëqenie.
  • Të zgjidhen për të mirën e personit dhe jo si një metodë për të arritur variablat e tjerë.
  • Duhet të maten dhe përcaktohen në mënyrë të pavarur nga pjesa tjetër e variablave.

Siç thotë Seligman, jo të gjithë faktorët kërkojnë të njëjtën lloj pune dhe zhvillimi i tyre nuk duhet të jetë kurrë një detyrim. Duhet të jemi më të përkushtuar ndaj atyre me të cilët identifikohemi më shumë. Psikologu amerikan shpjegon se ky model është një përshkrim i thjeshtë i veprimeve të njerëzve për të qenë të lumtur, dhe jo një recetë.

P Emocionet Pozitive

Kjo pikë konsiston në përforcimin e emocioneve pozitive, jo për të maskuar ato negative, por për të përdorur të parat si një mjet për të kapërcyer të dytat. Emocionet pozitive na lejojnë të provojmë kënaqësinë e jetës dhe të qëndrojmë optimist përkundër rrethanave të pafavorshme. Disa shembuj mund të jenë dashuria, qetësia, plotësia, kënaqësia, etj. Njerëzit e lumtur jo vetëm që e tolerojnë më mirë dhimbjen, por marrin vendime më të mira kur kërcënohet shëndeti dhe siguria e tyre. Emocionet pozitive mund t’i anulojnë emocionet negative” thotë Martin Seligman.

E Angazhimi

Është një pakt që duhet ta bëjmë me veten, me potencialin dhe forcat tona. Qëllimi është të arrijmë ekuilibrin dhe të hyjmë në një gjendje të rrjedhës, ose aktivizimit optimal. Zakonisht arrijmë gjendjen e rrjedhës, ose fluksit, kur jemi të përqendruar në një aktivitet dhe përjetojmë një lloj “ndalimi në kohë”. Pra, kërkon angazhim në kërkim të aktiviteteve që na zhytin në këtë gjendje.

R Marrëdhëniet Pozitive

Si qenie shoqërore, marrëdhëniet janë një nga burimet e pazëvendësueshme të mirëqenies dhe kënaqësisë, duke ofruar mbështetje dhe mbrojtje. Vendosja e marrëdhënieve të kënaqshme është e nevojshme për rritjen e duhur personale. Prandaj duhet të kujdesemi për marrëdhëniet me familjen, miqtë, kolegët, etj. Brenda këtij faktori, që nënkupton një përmirësim në marrëdhëniet shoqërore, duhet të përfshijmë edhe përmirësimin e aftësive dhe mjeteve tona shoqërore.

M Kuptimi dhe Qëllimi

Kërkimi i kuptimit e qëllimit në jetë, shkon përtej synimeve tona individuale, përtej personit tonë. Mund të lindë pyetja “çfarë mund t’i jap botës?”. Në këtë mënyrë, të gjitha qëllimet, synimet, arritjet tona do të kenë një sfond shumë më të jashtëzakonshëm, që do t’u japë atyre një vlerë të madhe shoqërore dhe morale. “Ndërsa një jetë e mirë është më shumë sesa të kesh një jetë të këndshme, një jetë me kuptim është përtej një jete të mirë” thotë Martin Seligman.

A Arritjet

Bëhet fjalë për përcaktimin e qëllimeve që rrisin ndjenjën e kompetencës dhe autonominë. “Rrjedha në jetë ndodh kur aftësitë tona përputhen saktësisht me sfidat me të cilat përballemi” thotë Martin Seligman.

Si ta vë në praktikë?

Për të punuar në modulin e emocioneve pozitive, mund të kryejmë ushtrime në të cilat ata imagjinojnë situata të afta për të gjeneruar emocione të tilla. Në rastin e angazhimit, punë efektive është të bësh një listë të aktiviteteve që normalisht na bëjnë të hyjmë në gjendjen e rrjedhës. Pastaj mund të angazhohemi t’i bëjmë ato çdo javë, muaj ose vit (në varësi të mundësive tona).

Për të kryer një punë të mirë në përmirësimin e marrëdhënieve shoqërore, hapi i parë është vlerësimi i statusit të tyre. Eksplorimi i sasisë dhe cilësisë së marrëdhënieve tona duhet të na japë të dhëna se cilat kërkojnë më shumë vëmendje dhe angazhim. Një mënyrë e mirë për të gjetur kuptim në jetën tonë është të bëjmë (dhe t’i përgjigjemi) pyetjeve të thjeshta çdo ditë si:

“Cili është roli im? Për çfarë erdha në botë? A mund ta përmirësoj kontributin tim?”. Gjetja e përgjigjeve do të zgjojë gjithashtu dëshirën tonë për t’u përfshirë në aktivitete kuptimplota. Të qenit i vetëdijshëm për arritjet, sado të vogla të jenë, është një mënyrë e shkëlqyeshme për t’u ndjerë të plotësuar dhe të motivuar, e cila na inkurajon të vendosim qëllime të tjera dhe të përpiqemi t’i arrijmë ato.

Modeli PERMA është i lehtë për t’u ndjekur dhe përfitimet e tij janë të shumta dhe të rëndësishme. Tani ju mbetet juve ta vini në praktikë dhe ta zbuloni vetë. Dhe mos harroni se … “Lumturia e vërtetë vjen nga ngritja e nivelit për veten tonë, jo nga krahasimi i vetes me të tjerët”. Martin Seligman

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top