Prof. As. Monika Fida
Me ardhjen e sezonit të vjeshtës, ka ardhur dhe momenti për të menduar për të ndryshuar ritualin e përkujdesjes për lëkurën dhe flokët. Mjekët dermatologë në përshkrimin e produkteve të caktuara dhe procedurave, marrin në konsideratë faktorët që ndikojnë në plakjen e lëkurës, dëmtimin e flokëve si dhe problematikat e ndryshme të tyre, në varësi të individit, moshës dhe mundësive ekonomike.
PËRKUJDESJA NDAJ LËKURËS
Armiqtë e lëkurës tonë në këtë sezon janë dielli, ulja e temperaturave, i ftohti dhe era, dhe ja përse për kurat e ditës kemi nevojë për disa përkëdhelje më shumë dhe për produkte të pasura, perfekte për të ushqyer lëkurën por dhe për ta përgatitur për disa procedura të caktuara që mund të realizohen në këtë sezon.
-Ndryshime në rutinë e përkujdesjes ndaj lëkurës dhe flokëve realizojnë pikërisht nevojat për të cilat çdo individ femër apo mashkull ka nevojë dhe ju bën të ndiheni mirë gjatë gjithë vjeshtës.
-Në rutinën e mëngjesit përkujdesuni të mbroni lëkurën tuaj ndaj dëmtimit nga dielli dhe ndotja ambientale dhe për këtë rekomandohet përdorimi i produkteve të ditës me vitaminë C dhe produkteve me SPF të lartë.
-Në mbrëmje do t’ju duhet të fokusoheni në produkte riparuese dhe ushqyese, ndërkohë që ju flini dhe lëkura juaj e flokët përthithin më mirë produktet dhe këto produkte duhet të jenë retinoli, produktet me acide AHA dhe BHA, dhe kremrat ushqyes. Aplikimi thellë në lëkurë 1-2 herë në javë realizon përthithjen më të mirë të këtyre produkteve, duke realizuar eliminimin e qelizave të vdekura dhe të dëmtuara nga shtresat sipërfaqësore të lëkurës. Si shtesë e ritualeve të përkujdesjes ndaj lëkurës ju mund të përdorni gjatë natës dhe një maskë nate ose flate maske për të ushqyer e relaksuar lëkurën ndërkohë që flini.
-Evitoni bërjen e dusheve me ujë të nxehtë dhe të gjatë që do të pakësonte përbërësit yndyrorë natyralë të lëkurës. Përdor ujin e vakët për të realizuar pastrimin e lëkurës. Pi sa më shumë ujë në mënyrë që të hidratosh lëkurën dhe të eliminosh toksinat nga organizmi. Çdo ditë konsumoni 1-2 litra lëngje dhe rregullisht konsumoni pemë dhe perime. Molla, selino dhe trangujt janë artikujt që posedojnë sasi të madhe të ujit, prandaj dhe hidratojnë lëkurën. Ushqyerja e shëndetshme, dieta e balancuar me antioksidantë dhe vitamina mund t’ju ndihmojë për të realizuar mekanizmat mbrojtës së lëkurës dhe flokëve. Vaji i peshkut le të bëhet pjesë e ushqimit tuaj. Studimet kanë treguar se vaji i peshkut me aminoacide ‘Omega 3’ parandalojnë tharjen e lëkurës. Personat që e përdorin rregullisht, dallohen për nga përmirësimi i lëkurës, flokut dhe thonjve. Realizo një gjumë të mirë, cilësor dhe sasior, pasi mungesa e gjumit mund të ndikojë negativisht dhe të realizojë rrathë të zinj, lëkurë të lodhur dhe rrudha.
-Megjithëse mund të jenë ditë me shi ose me re, duhet të vendosni produktin me SPF gjatë ditës. Për vetë faktin që në këtë stinë ju keni nevojë për më shumë hidratim të lëkurës. Shto në ritual përdorimin e serumeve që mund të kenë efekte shumë të mira mbi rrudhat fine të lëkurës, njollat dhe këto serume mund të përmbajnë qoftë acid hialuronik (që hidraton e ushqen më mirë lëkurën), qoftë vitaminë C (që ka veprim antioksidant, antinjollë dhe rivitalizuese), serume me AHA dhe BHA (që eksfoliojnë lëkurën me veprim antinjollë adhe antiplakje duke nxitur fibroblastet e lëkurës.
-Hidrato jo vetëm lëkurën e fytyrës por realizo hidratim me produkte dhe për lëkurën e trupit, duarve dhe të buzëve, duke pakësuar kështu irritimet dhe tharjen e lëkurës. Shmangni ujin e ngrohtë. Edhe pse dushi me ujë të ngrohtë na kënaq, mos e bëni një gjë të tillë. Uji i ngrohtë dëmton kapilarët dhe dëmton shtresën mbrojtëse të lipoideve. Mos lëpini buzët. Përdorni balsam për buzë por që dhe ky të ketë SPF apo në shtëpi mund të përgatisni diçka në mënyrë të thjeshtë, disa pika vaj ulliri, duke i përzier me të njëjtën sasi të mjaltit.
Proceduarat dermoestetike që mund të realizoni në stinën e vjeshtës në varësi të problematikave të lëkurës tuaj:
- Microdermoabrazion, Peeling kimik, Lazer terapi, rigjenerim me lazer, dermapen, mesoterapi, plazem e ekzozome, llamba LED.
- Risi janë aplikimet e ekzozomeve (qelizave staminale) nëpërmjet microneedling ose lazerterapisë për të trajtuar problematika të caktuara dhe për të realizuar efektin anti-plakje.
PËRKUJDESJA NDAJ FLOKËVE NË STINËN E VJESHTËS
Fillimi i sezonit të vjeshtës është një periudhë ku trajtimi i veçante ndaj dëmtimit të flokëve gjatë verës apo trajtimi i problematikave të ndryshme e veçanërisht i rënies së flokëve në këtë stinë është domosdoshmëri. Fillimi i përdorimit të vitaminoterapisë ushqyese ose kundër rënies së flokëve në këtë sezon është gjithashtu domosdoshmëri. Ndërrimi i shampove trajtuese të flokëve duhet të pasohet nga disa procedura trajtuese e mirëmbajtese për flokët në këtë sezon. Përdorimi i maskave ushqyese e rivitalizuese për flokët në shtëpi mund të ndikojë pozitivisht në ushqyerjen, rivitalizimin e flokëve dhe hidratimin e atyre të dëmtuar gjatë stinës së mëparshme të verës. Përdorimi i serumeve ushqyese çdo darkë ose serumeve pas larjes së kokës 2-3 herë në javë do të ndikonte pozitivisht jo vetëm në flokë por edhe në skalp dhe në problematikat e tij.
Procedurat trajtuese dhe të përkujdesjes ndaj flokëve në këtë stinë që mund të realizohen pas këshillimit me mjekun janë:
- Mesoterapia, Plazëm terapia, Ekzozomet, Lazer terapia. Këto procedura janë të nevojshme jo vetëm për trajtimin e patologjive apo problematikave të ndryshme por dhe për një mirëmbajtje cilësore të flokëve.
- Risi janë aplikimet e ekzozomeve (qelizave staminale) nëpërmjet microneedling, dermapen ose lazerterapisë për të trajtuar problematika të caktuara (Dermatit seborrheic, Psoriasis, Alopeci) dhe për të realizuar efektin revitalizues.
Rr. “Don Bosko”, Nd. 3, H. 24, Ap. 6, Njesia Administrative Nr. 11, 1026, Tirana, Albania, Tirana, Albania
Cel: 067 203 3624
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.