FB

January 9, 2024 | 7:46

Morali i fëmijëve sipas Jonathan Haidt / Si mësojnë fëmijët të dallojnë atë çfarë është e drejtë dhe e gabuar?

Përktheu: Qerim RAQI

Studiuesit e Psikologjisë së Zhvillimit me dekada janë përpjekur të zbulojnë se si e  zhvillojnë fëmijët të menduarit dhe sjelljet e tyre në lidhje me moralin dhe rregullat, veçanërisht rregullat që kanë të bëjnë me drejtësinë. Pyetja themelore ka qenë: Si mësojnë fëmijët të dallojnë atë çfarë është e drejtë dhe e gabuar? 


Nga vjen morali? 
Ekzistojnë dy opsione të vetëkuptueshme lidhur me këtë  – trashëgimia dhe mjedisi. Nëse zgjedhim trashëgiminë, jemi nativistë. Atëherë besojmë se dija morale është e lindur. Ajo vjen e para-instaluar, ndoshta e gdhendur nga Zoti në zemrat tona (siç thotë Bibla) ose në ndjenjat tona morale të zhvilluara përmes evolucionit (siç pretendon Darvini). Por nëse në vend të kësaj besojmë se njohuritë morale vijnë nga mjedisi shoqëror, jemi empiristë. Atëherë e përfytyrojmë fëmijën që nga lindja pak a shumë si një faqe e zbrazët (siç besonte filozofi anglez i shekullit të XVII-të, John Locke). Nëse morali duket i ndryshëm në pjesë të ndryshme të botës dhe madje ka ndryshuar gjatë shekujve, atëherë si mund të jetë i lindur? Çfarëdo morali që kemi ne si të rritur, sipas këtyre mendimtarëve, ai duhet të jetë mësuar në fëmijëri përmes përvojave tona dhe përmes të rriturve që na tregojnë se çfarë është e drejtë dhe e gabuar. (Empirike do të thotë pikërisht “nëpërmjet observimit ose përvojës”.) 
Por kjo është një dikotomi e paqëndrueshme, dhe disa dekada më parë psikologjia morale u fokusua kryesisht në një përgjigje të tretë: në racionalizëm por, që nënkuptonn se fëmijët vetë e formësojnë moralin. Jean Piaget, psikologu më i shquar i zhvillimit të të gjitha kohërave, filloi karrierën e tij si zoolog duke studiuar molusqet  dhe insektet në vendlinjen e tij në Zvicër. Ai ishte magjepsur nga fazat e ndryshme nëpër të cilat kalojnë kafshët kur kalojnë nga, për shembull, vemjet tek fluturat. Më vonë, kur e zhvendosi fokusin e tij kërkimor tek fëmijët, ai solli me vete interesimin e tij për fazat e zhvillimit. Piaget donte të dinte se si të menduarit shumë të sofistikuar të të rriturve (“flutura kognitive”) zhvillohet nga aftësitë e kufizuara të fëmijëve të vegjël (“vemjet me këmbë të imëta”) .
Ndër të tjera, Piaget hulumtoi gabimet e të menduarit që bëjnë fëmijët. Për shembull, ai hodhi ujë në dy gota identike dhe u kërkoi fëmijëve të tregonin nëse gotat përmbanin të njëjtën sasi uji. (Po, sigurisht kështu ishte.) Pastaj derdhi ujin e njërës prej gotave në një gotë të ngushtë e të gjatë dhe u kërkoi fëmijëve të krahasonin gotën e re me gotën e paprekur. Fëmijët më të vegjël se gjashtë apo shtatë vjeç zakonisht thonë se ka më shumë ujë në gotën e gjatë e të ngushtë, sepse niveli i ujit është më i lartë. Ata nuk e kuptojnë se vëllimi ruhet kur uji zhvendoset nga një gotë në tjetrën. Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk ka kuptim që të rriturit të përpiqen t’u shpjegojnë fëmijëve se vëllimi  ruhet. Fëmijët nuk do ta kuptojnë këtë derisa të arrijnë në moshën (dhe fazën kognitive) kur intelekti i tyre të jetë gati për një gjë të tillë. Dhe kur të jenë gati, do ta kuptojnë vetë duke luajtur me gota dhe ujë. 

MENDIMI MORAL 
Jean Piaget aplikoi modelin e tij të zhvillimit kognitiv edhe në të menduarit moral të fëmijëve. Ai ulej në gjunjë për të luajtur top me fëmijët dhe nganjëherë shkelte qëllimisht rregullat e lojës dhe shtirej si budalla. Atëherë fëmijët reagonin ndaj gabimeve të tij dhe i tregonin aftësinë e tyre të fituara për të respektuar rregullat, për të ndryshuar rregullat, për të pritur radhën dhe për të zgjidhur konfliktet. Kjo njohuri në rritje të vazhdueshme vjen në faza të rregullta me pjekjen e aftësive kognitive të fëmijës. Piageti mendonte se të kuptuarit moral të fëmijëve ngjason me të kuptuarit e tyre rreth gotave me ujë: nuk mund të themi se është i lindur, por as nuk mund të themi se ata e mësojnë atë drejtpërdrejt nga të rriturit. Përkundrazi, morali lind vetvetiu përmes lojës me fëmijët e tjerë. Të presësh radhën në lojë është si të hedhësh ujin nga njëra gotë në tjetrën. Pavarësisht se sa shumë luan me ta, tre-vjeçarët thjesht nuk janë të pjekur që ta kuptojnë dhe ta zbatojnë konceptin e lojës fair play, sikundër që s’ mund ta kuptojnë se vëllimi i ujit mbetet i njëjtë. Por kur arrijnë moshën pesë – gjashtë vjeç,ata përmes lojës, duke ndërvepruar dhe argumentuar,  vetë mund të mësojnë për drejtësinë në mënyrë shumë më efektive sesa përmes këshillave nga të rriturve. Ky është thelbi i racionalizmit psikologjik: ne rritemi në racionalitetin tonë mu si vemjet që bëhen flutura. Nëse vemja ha mjaft gjethe, ajo (gradualisht) do të zhvillojë krahët. Dhe nëse fëmija merr mjaftueshëm përvoja të moralit nga oborri shkollor – të pres radhën dhe të ndajë gjërat me të tjerët – ai (përfundimisht) do të bëhet një qenie morale me aftësinë për të përdorur arsyen e tij për të zgjidhur probleme gjithnjë e më të vështira. Racionaliteti është në natyrën tonë dhe aftësia e duhur për reflektime morale është pika përfundimtare e zhvillimit tonë. Racionalisti  është pra një person që beson se arsyetimi është mjeti më i rëndësishëm dhe më i besueshëm për të përvetësuar njohuri morale. 

summer_carwash_hereshowyouwashacar_noyoudontjustsquirtitwiththehoseandcallitgood_andnosolardryingisnotanoption-288051-jpeg

DY INOVACIONE
Njohuritë e Jean Piaget-it u zhvilluan më tej në vitet 1960 nga psikologu amerikan Lawrence Kohlberg, i cili revolucionarizoi hulumtimin e moralit me dy risi thelbësore. Së pari, ai zhvilloi një mënyrë për të përcaktuar sasinë e vëzhgimit të Piaget se reflektimi moral i fëmijëve ndryshon me kalimin e kohës. Ai krijoi një sërë dilemash morale të cilat ua prezantoi fëmijëve të moshave të ndryshme dhe klasifikoi përgjigjet e tyre. Për shembull, a duhet të hyjë një burrë i quajtur Heinz në një farmaci dhe të vjedhë një ilaç që mund t’i shpëtojë jetën gruas së tij që është në prag të vdekjes? A duhet që një vajzë me emrin Louise t’i tregojë nënës së saj se motra  e vogël e ka gënjyer nënën? Nuk kishte shumë rëndësi nëse fëmija përgjigjej me po ose jo. Ajo që kishte rëndësi ishin arsyet që i dhanë fëmijët pët të shpjeguar përgjigjet e tyre.
Lawrence Kohlberg zbuloi se arsyetimi i fëmijëve për botën sociale zhvillohet në gjashtë faza dhe se ky zhvillim korrespondon mirë me fazat që Piaget-i kishte identifikuar në arsyetimin e fëmijëve për botën fizike. Fëmijët e vegjël gjykojnë se çfarë është e drejtë apo e gabuar sipas kritereve shumë sipërfaqësore, si për shembull si të ndëshkohet një person për një sjellje të caktuar. (Nëse një i rritur e ndëshkon veprimin, atëherë kjo duhet të ketë qenë gabim.) Kohlberg i quajti dy fazat e para “niveli parakonvencional” i gjykimit moral dhe ato korrespondojnë me fazën e Piaget-it në të cilën fëmijët gjykojnë botën fizike nga atributet sipërfaqësore (nëse një gotë është më e lartë përmban më shumë ujë). 
Në ciklin e ulët të shkollës fillore, shumica e fëmijëve kalojnë më pas në dy fazat e tjera “konvencionale” dhe aftësohen në të kuptuarit dhe trajtuarit e rregullave dhe konvencave shoqërore. Është një moshë që karakterizohet nga disa rregulla të vogla detyruese që shumica e atyre që janë rritur me vëllezër e motra e mbajnë mend mirë (“Unë nuk po të godas. Unë thjesht po përdor dorën tënde për të të goditur. Mos e  godit veten!”). Fëmijët në atë fazë kujdesen shumë për t’ u përshtatur dhe kanë respekt të madh për autoritetet – në fjalë, por jo gjithmonë në veprim. Ata rrallë e vënë në dyshim legjitimitetin e autoritetit, por mësojnë për të manovruar brenda kufizimeve që u vendosin të rriturit. 
Pas pubertetit, ashtu siç besonte Piaget se fëmijët fitojnë aftësinë për të menduarit abstrakt, Kohlbergu zbuloi se disa fëmijë fillojnë të mendojnë vetë për natyrën e autoritetit, kuptimin e drejtësisë dhe arsyet e ligjeve dhe rregullave të tjera. 
Në dy fazat e “ligjit post-konvencional, të rinjtë ende e vlerësojnë ndershmërinë dhe i respektojnë rregullat dhe ligjet – por tani ata ndonjëherë justifikojnë pandershmërinë ose shkeljen e ligjit për hirë  të vlerave më të larta se ndjekja e rregullave, veçanërisht drejtësisë. Kohlberg-u pikturoi një tablo frymëzuese racionaliste të fëmijëve si “filozofë moralë” në procesin e përpjekjes për të hartuar një sistem etik koherent për veten e tyre. Në fazat postkonvencionale, ata përfundimisht arrijnë të aftësohen në këtë drejtim. Dilemat e shpikura të Lawrence Kohlberg-ut ishin kështu mjete për matjen e këtyre përparimeve dramatike në të menduarit moral të fëmijëve. 

KONSENSUSI LIBERAL 
Shkrimtari amerikan i shekullit të XIX-të Mark Twain thoshte se “njeriut me çekiç çdo gjë i duket si një gozhdë”. Sapo Kohlberg zhvilloi dilemat e tij morale dhe sistemet e vlerësimit, të gjithë në qarqet e psikologjisë patën një çekiç të ri dhe mijëra studentë të psikologjisë e përdorën atë për të shkruar ese mbi konkluzionet morale. Por ka një arsye më të thellë pse kaq shumë psikologë të rinj filluan të studiojnë moralin nga një këndvështrim racionalist, dhe kjo ishte risia tjetër e madhe e Kohlberg-ut: ai përdori kërkimin e tij  për të justifikuar shkencërisht një rend moral liberal e të sekularizuar. Zbulimi më me ndikim i Lawrence Kohlberg ishte se fëmijët më të avancuar (sipas sistemit të tij të pikëzimit) ishin ata që shpesh  viheshin në role të tjera – ata mund ta vendosnin veten e tyre në situatën e një personi tjetër dhe t’i shikonin problemet nga këndvështrimi i tyre. Marrëdhëniet e barabarta (si midis bashkëmoshatarëve )ju ofrojnë marrjen e një roli të tillë, por jo në marrëdhëniet hierarkike (siç janë mësuesit dhe prindërit). Është vërtet e vështirë për fëmijët që t’i shohin gjërat nga këndvështrimi i mësuesit, sepse fëmija nuk ka qenë kurrë mësues. Si Piaget ashtu edhe Kohlberg besonin se prindërit dhe autoritetet e tjera ishin pengesë për zhvillimin moral: Nëse dëshironi që fëmijët tuaj të mësojnë për botën fizike, mos u përpiqni t’i mësoni për qëndrueshmërinë e vëllimit, por lërini të luajnë me gota dhe ujë. Dhe nëse doni që fëmijët të mësojnë për botën shoqërore, atëherë mos u përpiqni t’u mësoni atyre dhjetë urdhërimet – dhe definitivisht mos i detyroni ata t’i binden qoftë Zotit, mësuesve të tyre ose juve, por lërini të luajnë me fëmijët e tjerë dhe t’ i zgjidhin vetë konfliktet. Përndryshe, ata thjesht do të ngelin në nivelin konvencional.
Lawrence Kohlberg veproi në kohën e duhut. Kur vala e parë e ’babybommers’ -ave filloi arsimin e lartë, ai e ktheu psikologjinë morale në një himnizim të drejtësisë me këtë gjeneratë dhe u dha atyre mjetet për matjen e zhvillimit të fëmijëve drejt idealeve të tyre liberale. Për njëzet e pesë deri në tridhjetë vitet e ardhshme, nga vitet 1970 deri në vitet 1990, psikologjia morale u mor kryesisht me intervistimin e fëmijëve dhe adoleshentëve rreth dilemave morale dhe analizimin e argumentimeve të tyre. Shumica e kësaj pune nuk ishte e motivuar politikisht – por ishin studime të kujdesshme dhe të vlefshme shkencore. Por duke përdorur një kornizë që parapërcaktonte moralin si drejtësi dhe zhvlerësonte autoritetin, hierarkinë dhe traditën, ishte e pashmangshme që kërkimet do të mbështesnin një botëkuptim sekularizues, dyshues dhe që synon barazinë. 

MORALI DHE KONVENCAT 
Nëse u kërkohet fëmijëve të shpjegojnë koncepte komplekse, të tilla si të balancojnë pikëpamjet kontradiktore për të drejtat dhe drejtësinë do të shohim bindshmërisht dallimet mes fëmijëve të moshave të ndryshme. Fëmijët përmirësojnë shprehjen e tyre në çdo vit që kalon. Por nëse  kërkojmë shenjat e para të opinioneve morale, na nevojitet një teknikë që nuk kërkon aftësi kaq të avancuara verbale.  Psikologu  amerikan Elliot Turiel, një nga ndjekësit e Kohlbergut, zhvilloi një teknikë të tillë. 
Teknika e tij pioniere ishte të tregonte histori të shkurtra për fëmijët e tjerë që shkelin rregullat dhe më pas të bënte një sërë pyetjesh të thjeshta me përgjigjet po -dhe jo. Për shembull, ai tregonte një histori për një fëmijë që shkonte në shkollë i veshur me rroba të përditshme edhe pse ishte e detyrueshme të vishje uniformën e shkollës. Ai fillimisht kërkoi një vlerësim të përgjithshëm: “A ishte në rregull të bëje atë që bëri ai djalë?” Shumica e fëmijëve përgjigjeshin jo. Por nëse mësuesi thoshte se ishte në rregull që djali të vishte rrobat e zakonshme, a do të ishte në rregull? 
Turiel vuri në dukje se fëmijët deri në pesë vjeç shpesh thoshin se ishte e gabuar që djali të shkelte rregullin, por se do të ishte në rregull nëse mësuesi do të kishte dhënë lejen për këtë. Fëmijët e kuptojnë se rregullat për gjëra të tilla si veshja dhe ushqimi janë konvenca sociale, të cilat janë arbitrare dhe deri diku të këmbyeshme. 
Por nëse i pyet fëmijët për veprime që lëndojnë njerëzit e tjerë, si p.sh. një vajzë që shtyn një djalë nga shilarësi ngase don ta përdor vetë atë, marrim përgjigje të ndryshme. Pothuajse të gjithë fëmijët thonë se vajza ka gabuar dhe se do të ishte gabim edhe nëse mësuesja do të thoshte se kjo është në rregull. Fëmijët e kuptojnë se rregullat që parandalojnë lëndimet janë rregulla morale, të cilat Elliot Turiel i përcakton si rregulla që lidhen me “drejtësinë, të drejtat dhe mirëqenien që kanë të bëjnë me mënyrën se si duhet të sillemi me njëri-tjetrin”. 
Me fjalë të tjera, fëmijët e vegjël nuk i trajtojnë të gjitha rregullat në të njëjtën mënyrë, siç e mendonin  Piaget dhe Kohlberg. Fëmijët nuk mund të flasin si filozofë moralë, por ata i renditin informacionet sociale në mënyra të avancuara. Ata heret e kuptojnë se rregullat që parandalojnë dëmtimin janë të veçanta, të rëndësishme, të padiskutueshme dhe universale. Dhe kjo kuptueshmëri, sipas Turielit, është baza e gjithë zhvillimit moral. Fëmijët e bazojnë kuptimin e tyre moral në të vërtetën morale absolute se është e gabuar të lëndosh të tjerët. . Rregullat specifike mund të ndryshojnë midis kulturave, por në të gjitha kulturat që hulumtoi Turieli fëmijët bënin dallimin mes rregullave morale dhe atyre konvencionale. 
Përshkrimi i zhvillimit moral nga Elliot Turiel ndryshon në shumë mënyra nga ai i Kohlberg-ut, por domethënia politike është e ngjashme: morali ka të bëjë me trajtimin e mirë të të tjerëve. Bëhet fjalë për dëmin dhe drejtësinë dhe jo për lojalitetin, respektin, detyrimin, devotshmërinë, patriotizmin apo traditat. Hierarkia dhe autoriteti janë shpesh një gjë e keqe (kështu që është më mirë t’i lini fëmijët t’i kuptojnë gjërat vetë ). 
Prandaj, shkollat dhe familjet duhet të përqafojnë parimet progresive rreth barazisë dhe pavarësisë (për dallim nga parimet autoritare që u mundësojnë të rriturve që t’ i kontrollojnë dhe kufizojnë fëmijët).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top