Në një botë gjithnjë e më konkurruese, ideja e suksesit shpesh ngatërrohet me pushtetin, dominimin dhe fitimin me çdo kusht. Shprehje si “fito ose do të të fitojnë”, “bëje para se ta bëjnë ty”, ose “jeta është një garë” janë bërë pjesë e fjalorit të përditshëm. Megjithatë, psikologjia moderne dhe studimet mbi mirëqenien, lidershipin dhe marrëdhëniet ndërpersonale tregojnë një të vërtetë më të thellë: suksesi i qëndrueshëm dhe i vërtetë nuk ndërtohet duke shkelur të tjerët, por duke bashkëpunuar, respektuar dhe ndërtuar me integritet.
1.Kuptimi i suksesit, një vështrim i ri
Suksesi nuk është vetëm fama, pasuria apo pozita. Psikologu Martin Seligman, një nga themeluesit e psikologjisë pozitive, propozon modelin PERMA, i cili përfshin: Emocione pozitive, Angazhim, Marrëdhënie pozitive, Kuptim dhe Arritje. Në këtë kontekst, suksesi lidhet ngushtë me mirëqenien personale dhe ndërpersonale, jo me fitimin në kurriz të të tjerëve. Të “shkëlqesh” ndërsa ke lënë pas plagë morale te të tjerët, sjell sukses të përkohshëm, por jo paqe të brendshme, as respekt të vërtetë nga komuniteti.
2.Psikologjia e atyre që “shkelin” për të ngjitur shkallët
Individët që përdorin manipulimin, poshtërimin apo shtypjen e të tjerëve për të arritur qëllimet personale shpesh kanë prirje për narcizizëm, mungesë empatie dhe frikë nga dështimi. Këta persona kërkojnë kontroll sepse e ndjejnë veten të pasigurt në thelb. Studimet tregojnë se njerëzit manipulues mund të arrijnë suksese të menjëhershme, por shpesh përballen me:
Izolim social
Rënie të besueshmërisë
Nivel të ulët të kënaqësisë personale
Rikthim të pasojave afatgjata (humbje pozite, besimi, madje edhe shëndeti mendor)
3.Lidershipi dhe suksesi përmes bashkëpunimit
Sipas teorive moderne të lidershipit, si Lidershipi Transformues (Bass & Riggio, 2006), udhëheqësit më efektivë janë ata që frymëzojnë, ndihmojnë dhe zhvillojnë të tjerët. Ata nuk shkelin për të ecur përpara, por krijojnë ura dhe hapësira për rritje kolektive. Empatia, komunikimi i hapur, etika në veprim dhe integriteti janë vlera që nuk vetëm e forcojnë një individ, por ndërtojnë besim dhe ndjekje të qëndrueshme.
4.Pasojat psikologjike të suksesit të fituar me çdo kusht
Kur një person arrin qëllimet duke sakrifikuar dinjitetin e të tjerëve, pas një periudhe shpërblimi të shpejtë, shpesh ndjen:
Fajin e shtypur, që manifestohet me stres, pagjumësi, ankth; Frikën se “dikush tjetër do të bëjë të njëjtën gjë me ta”; Vetë-izolimin, pasi të tjerët fillojnë t’i shmangin; Kriza të identitetit: “A jam ky që dua të jem?” Psikologjia e dëmtimit moral tregon se edhe ata që e shkaktojnë padrejtësinë, përballen me pasoja të brendshme në vetëdije, ndonjëherë të thella dhe të pakthyeshme.
5.Suksesi që ndërtohet mbi respekt, është suksesi që zgjat
Në fund, individët që ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme, që janë të drejtë dhe që punojnë për të përmirësuar veten pa poshtëruar të tjerët, arrijnë: Reputacion të qëndrueshëm; Rrjete të forta mbështetëse; Vetëvlerësim të qëndrueshëm; Qetësi dhe paqe të brendshme.
6.Reflektim personal: Si po ndërtoj suksesin tim?
Ja disa pyetje që ia vlen t’ia bëjmë vetes:
A ndjej nevojë të dominoj për të fituar?
A jam i/e sinqertë në rrugën time drejt suksesit?
A e ndihmoj dikë tjetër të rritet, apo e pengoj?
A më respektojnë të tjerët për atë që bëj, apo më frikësohen?
Dhe për ta përmbledhur ç’ka u tha më sipër, të jesh i suksesshëm pa shkelur të tjerët, është akt guximi të zgjedhësh rrugën e ndershmërisë dhe të respektit. Por është edhe rruga më e qëndrueshme dhe më njerëzore. Të jesh i suksesshëm pa shkelur, do të thotë të jesh jo vetëm fitues në sy të botës, por edhe në sytë e vetes tënde.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.