Nga Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor
Disa ditë më parë duke parkuar makinën time, pata një përplasje nga pjesa e pasme, duke konstatuar se sensorët e mi të parkimit nuk po funksiononin. Një vëzhgim tjetër që kisha bërë ishte se për sa kohë që funksiononin sensorët e parkimit, unë isha një shofere dembele që shikoja me përtesë në pasqyrat e mia ndërsa parkoja.
Dikush “tjetër” e bëri punën për mua. Unë? Zoti!
Edhe pse asociacioni i mësipërm është i çuditshëm, dua t’i referohem forcimit të përgjegjësisë dhe pavarësisë së fëmijëve tanë, duke filluar nga “Mos i bëni fëmijës gjëra që ai mund t’i bëjë vetë!”.
Këmbëngulja jonë për ta “udhëhequr” apo përkëdhelur fëmijën arrin vetëm t’i tregojë se sa i paaftë dhe i pabesueshëm është, duke i treguar se sa superiorë, të aftë dhe në fund të fundit jemi më të mëdhenj. Por a është ky qëllimi ynë?
Unë mendoj se ajo që ne prindërit duam është të krijojmë individë të pavarur, të mbështetur te vetja, me vullnet të fortë dhe me vetëbesim. Individë që, duke u rritur, do të mund të “lënë” folenë e tyre dhe të hapin krahët e tyre.
Kur prindërit marrin përsipër gjithçka për fëmijët e tyre, qoftë nga faji apo rraskapitja, ose thjesht sepse duan që puna të kryhet duke menduar se kjo është mënyra më e lehtë, ata krijojnë varësi në vend të autonomisë te fëmijët e tyre.
Le t’i japim fëmijës pak hapësirë për t’u pjekur, zhvilluar dhe realizuar aftësitë e tij përmes sfidave të vogla të përditshme të thjeshta si marrja e lodrave, rregullimi i shtratit etj.
Është mirë të kemi rolin e “sensorit të parkimit” në jetën e fëmijëve tanë pa u hequr aftësinë për të qenë “shoferë” të mirë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.