Asnjë fëmijë nuk ka mësuar të ecë pa u penguar, rrëzuar dhe lënduar, sepse ajo frazë që thotë se “vetëm duke bërë gabime mund të mësosh” është më e vërtetë se kurrë. Dhe ne e dimë mirë, shumica kanë mësuar mësimet më të mëdha dhe më të rëndësishme të jetës pikërisht nga përvoja e atyre rënieve dhe dështimeve.
Kjo është arsyeja pse edhe fëmijët duhet të bëjnë gabime dhe puna e një prindi është t’i lejojë ata të bëjnë gabimet e tyre. Nga ana tjetër, përsosmëria nuk i bën dobi askujt, as atyre që, duke u rritur në një flluskë me shkëlqim dhe sigurisht të bukur, do të kenë vështirësi të mëdha kur ta gjejnë veten të ballafaquar me problemet reale të jetës, pasi atëherë ata mund të lëndohen vërtet.
Qortimi i fëmijëve ose kërkesa që ata të mos bëjnë më gabime të caktuara është gjëja më e gabuar që një prind mund të bëjë gjatë arsimit. Nëna dhe babai duhet ta lënë të voglin të lirë të bëjë gabime, sepse vetëm në këtë mënyrë fëmijët mund të njohin mundësitë e rritjes që gjenden në dështim.
Le të kthehemi në atë moment kur fëmijët, me këmbëngulje dhe guxim, vazhdojnë të ngrihen, sepse ata duan të fillojnë të ecin të pavarur me çdo kusht. Çfarë do të ndodhte nëse një nënë e qortonte atë kur rrëzohej? Një keqardhje që do ta shtynte fëmijën të ndalonte së provuari nga frika e një gabimi të përsëritur.
Kjo është një e vërtetë që vlen për të gjitha fazat e rritjes së fëmijëve. Është normale që ne kurrë nuk do të dëshironim t’i shihnim të vuanin ose të qanin, por vetëm duke i lënë të bëjnë disa gabime, ne do t’i bëjëm ata më të fortë. Sepse një ditë fëmijët tanë do të hapin krahët e tyre të mëdhenj dhe të fortë për të fluturuar larg nesh dhe ne nuk mund t’i mbrojmë më ata. Dhe në atë moment, si do të reagojnë ata ndaj një dere të mbyllur ose një refuzimi? Si do të ndihen ata për dështimet dhe zhgënjimet?
Të bësh gabime dhe t’i bësh përsëri: kjo është formula e përsosur për pavarësinë dhe autonominë e fëmijëve tanë, ky është mësimi i shkëlqyeshëm që duhet t’u përcjellim atyre në mënyrë që ata të transformojnë veten e tyre në burra të jashtëzakonshëm. Vetë Maria Montessori ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e gabimit:
Ne do të shohim se si fëmija punon në përsosmërinë e tij. Rruga e duhur tregohet jo vetëm nga objektet që ai përdor, por edhe nga mundësia e njohjes së gabimeve të tij me anë të këtyre objekteve.
Perfeksionizmi nuk është çelësi i lumturisë për fëmijët, ashtu siç nuk është për ne të rriturit. Lërini fëmijët tuaj të lirë të shkruajnë gabimisht emrin e tyre, të lidhin këpucët dhe të bëjnë shumë gabime të tjera.
Burimi / https://dilei.it/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.