FB

February 15, 2022 | 8:12

Mosha e rritur e mesme (40-65 vjeç), në aspektin e zhvillimit social / Kulmi i jetës apo fillimi i fundit?!

 

 

Lidhur me harkun kohor të moshës së rritur të mesme, mjaft studiues nuk janë të një mendimi. Një pjesë, moshën 40-65 vjeç e quajnë si kohë moshore të stabilitetit, të kënaqësisë, shfaqje të potencialeve intelektuale dhe shkencore e deri te prezantimi i të qenit lidership. Ndërsa disa të tjerë cilësojnë se është një periudhë moshore ku shfaqen pakënaqësitë, turbullimet e brendshme, streset, depresionet etj., por gjithsesi dhe vetëpërshtatja në këtë hark kohor është më e shpeshtë dhe mjaft e suksesshme për shkak të përvojës dhe pjekurisë.

dr-ilia-larti

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

Disa të tjerë theksojnë se, njerëzit e kësaj moshe kuptojnë se nuk janë më të rinj, por edhe vlerësojnë se janë në kulmin e jetës, sepse ndjehen të sigurtë dhe të ambientuar me jetën. Shumë të tjerë argumentojnë se, njerëzit e kësaj moshe ndiejnë se u kanë rënë forcat fizike, të cilët e kompensojnë me përvojën e pasur jetësore, e cila i lejon që ata të jetojnë jetën e tyre më mirë se në çdo moshë tjetër, sidomos në marrjen e vendimeve sa më të qarta dhe të drejta.

Sipas këtyre kërkimeve, specialistët nisur nga studimet e ndryshme arrijnë në konkluzionin se kjo grupmoshë (40-65 vjeç) të quhet brezi i pushtetit, për arsye se mjaft njerëz kanë arritur të bëhen intelektualë të zotë, shkencëtarë të suksesshëm, drejtues të talentuar të institucioneve shtetërore dhe biznesmenë me emër.

0

Në këtë kontekst mund të themi se: Kjo moshë për mjaft njerëz të rregullt të jetë kulmi i jetës në pikëpamje të familjes, karrierës, krijimtarisë. Por ka edhe nga ata që fillojnë e shqetësohen thellë për afrimin e vdekjes e drejt saj sikur vitet ecin më shpejt se më parë. Tek disa të tjerë mbizotëron shqetësimi: “Nëse kemi diçka për të bërë, duhet ta bëjmë”. Gjithashtu ka edhe njerëz të kësaj moshe që përjetojnë një sens urgjence. Ndonëse kjo periudhë përjeton një tranzicion gradual, gjithsesi mbetet si një periudhë krizash.

 

Dy modelet e moshës së rritur të mesme:

a.Kriza

b.Tranzicioni

a/1. Ky model i sheh krizat në moshën e rritur të mesme si norma të zhvillimit dhe të parashikueshme. Sipas studiuesit Daniel Levinson, rreth moshës 40 vjeç individi fillon e pyet, nëse ka arritur atë që ka synuar në jetën e tij. Nëse jo, atëherë ai mund të bëhet thellësisht i vetëdijshëm se nuk ka shumë shanse që të ndryshojë rrjedhën e jetës.

b/1. Modeli i tranzicionit nuk pranon se krizat janë normë në moshën e rritur të mesme. Ky model karakterizohet nga një sërë zhvillimesh, ndodhish madhore jetësore, që mund të parashikohen dhe të merren masa për t’i përballuar ato. Ky tranzicion i shoqëruar me këto ndodhi mund të jetë i vështirë, por nga ana jetër ka mjaft njerëz, duke ditur se kjo moshë i ka këto probleme jetësore, janë të aftë ta përshtatin veten e tyre mjaft mirë, pa rënë në stres dhe depresion.

Në këndvështrimin e këtij mendimi mund të themi se: Mosha e mesme është koha kur njeriu bën inventarin e jetës së tij. Disa njerëz të kësaj moshe ndihen efektivë, kompetentë dhe në kulmin kur mund të japin vendime nga më të pjekurat. Por ka edhe të tjerë, që e kanë të vështirë të bëjnë një analizë të jetës së tyre, të cilët nuk kanë aftësinë e përshtatjes dhe kalojnë moment krizash si: Thinja e flokëve, shtimi i rrudhave, rënia e flokëve, rënia e shikimit, të mos dëgjuarit mirë, menopauza te gratë etj., që janë ndodhi jonormative, të cilat bëhen shkak për: papunësi, divorc, stres, depreson, ankth. Këta s’bëjnë gjë tjetër veçse njeriun që nuk përshtatet dot të përjetojë kriza.

04Por, kur kemi të bëjmë me persona që kanë kulturë, njohuri psikologjike dhe mjekësore, janë në gjendje që ndryshimet fizike t’i përjetojnë si normale, pra këto pranime që shoqërohen me përshtatje normale, kanë pak shanse që të shkaktojnë kriza. Moshën e mesme, të rritur, të rinjtë 20-vjeçarë, e shohin si një gropë të zezë, e cila do të vijë në rrjedhën e jetës së tyre, ku shpresa shuhet dhe nisja e moshës tjetër shihem me pesimizëm. Por studiuesit mendojnë se mosha e 50-vjeçarëve është më e mira.

Pse? Sepse:

-Nuk shoqërohet me ankthet e rinisë, madje dhe me ato të moshës së vjetër.

-Ritmet e ankthit, depresionit, streseve fillojnë e bien aty nga mosha 35 vjeç e lart dhe nuk shfaqen deri në moshën 60-65 vjeç.

-Ka produktivitet e vendimmarrje.

-Shëndeti është mjaft i stabilizuar.

-Ana profesionale e konsoliduar i jep mirëqenie për të realizuar synimet.

-Propabiliteti për të ndodhur divorci është shumë i pakët.

-Në moshën 50-vjeçare njeriu realizon mjaft gjëra të rëndësishme, të cilat i ka ëndërruar, planifikuar dhe realizuar.

Në përfundim të këtyre mendimeve mund të themi se:

-Kriza në moshën e mesme është një përjetim me vend që të jetë një rregull.

-Pranimi krizave, atëherë ato nuk mund të përjetohen.

-Nëse ka ende iluzione një njeri se është akoma i ri, atëherë ka mundësi që ky iluzion të shoqërohet me kriza.

 

Zhvillimi social

A.Martesa në moshën e mesme

Njeriu, në krizën e moshës së mesme rivlerëson edhe marrëdhëniet bashkëkohore. Disa herë bashkëshortët mësojnë që të mbështetin njëri-tjetrin sesa të jetojnë me njëri-tjetrin. Aktivitetet dhe interesat e përbashkëta që ata kanë, janë vetëm ato që lidhen me fëmijët. Kur fëmijët ikin, ata kuptojnë sesa larg paskan qenë me njëri-tjetrin. Për të kuptuar këtë situatë, përdoret termi “Divorci emocional”. Përjetimi i divorcit shpesh mund të mendohet si një varg divorcesh të vogla që i paraprijnë atij. Gjithsesi, martesa që ka rezistuar deri në këtë stad, është në gjendje që të vazhdojë rrugën edhe më tej. Sipas studimeve të bëra, del se ritmet më të larta të divorcit ndodhin brenda 5 viteve të para të martesës. Për disa bashkëshortë, pasi fëmijët largohen për studime apo edhe martohen e hapin shtëpi më vete, fillon një periudhë e dytë e muajit të mjaltit. Sigurisht, bashkëshortët, njëherësh edhe prindër në këtë periudhë, ndjejnë dhe emocione negative sikur nisin çastet e braktisjes. Kjo gjendje quhet sindroma e “folesë bosh”. Por kjo gjendje kalon shpejt dhe marrin veten, duke menduar se në fund të fundit ia kanë arritur qëllimit të jetës, si bashkëshortë e prindër që t’i çojnë fëmijët t’i shkollojnë, të punësohen dhe martohen dhe të shijojnë fjalët e nipërve dhe mbesave duke u thënë gjysh e gjyshe.

07

Sindromën e “folesë bosh” e përjetojnë mjaft prindër e sidomos gratë. Kjo është disi mjaft e kuptueshme sepse gratë i dedikojnë vetes rolin e përkujdesjes së nënës. Kur fëmijët mëvetësohen, këto gra e humbin rolin e nënës dhe u duket se nuk kanë rolin e rëndësishëm në familje. Në këtë periudhë, sipas disa studiuesve, del se kënaqësitë familjare në moshën e rritur të mesme shkaktohen nga fakti se deri në këtë kohë shumica e çifteve të pakënaqur janë divorcuar. Pra, ata që kanë mbetur bashkë, quhen të mbijetuarit e divorcit, të cilët bëjnë një jetë bashkëshortore mjaft të larmishme, plot kënaqësi e harmoni dhe me dashurinë për të jetuar gjatë e të nderojnë pa e lënë gjatë njëri-tjetrin vetëm.

Në këtë këndvështrim shtrojmë pyetjen se a ka një formë optimale të martesës drejt së cilës secili prej nesh ta synojë?

Lidhur me këtë ekzistojnë dy teori:

1.Lumturia martesore nënkupton që burri me gruan të kenë të njëjtat interesa dhe nevoja (martesa normale përbëhet nga njerëz që kanë personalitet, qëndrime dhe karakteristika të njëjta)

2.Martesa e lumtur përcaktohet nga fakti sesa mirë e plotësojnë njëri-tjetrin. Partnerët kanë tipare të ndryshme dhe tipare që përputhen. Lidhur me këtë teori janë përcaktuar katër tipare të marrëdhënieve plotësuese në martesë:

a.Marrëdhëniet ibseniane (Ibseni, “Shtëpia e Kukullës). Këto marrëdhënie karakterizohen nga një mashkull përkujdesës, dominant dhe nga një femër e nënshtruar, miqësore.

b.Marrëdhëniet thurberiane (Nga emri i autorit Xhejms Thurber). Këto marrëdhënie karakterizohen nga një mashkull përkujdesës dhe i nënshtruar dhe femra dominante dhe miqësore.

c.Marrëdhëniet mjeshtër-çirak.  Këto marrëdhënie karakterizohen nga të qenit e burrit dominant, miqësor dhe femra e nënshtruar dhe përkujdesëse.

d.Marrëdhëniet nënë-djalë. Këto marrëdhënie konsistojnë në atë që mashkulli është i nënshtruar dhe miqësor, dhe femra dominante dhe përkujdesëse.

Pra, si konkluzion mund të themi se: Sa më tepër të rrinë së bashku çiftet, aq më shumë do të karakterizohen marrëdhëniet martesore nga rolet plotësuese.

06

B.Në bazë të studimeve të bëra në 400 martesa me jetëgjatësi prej 10 vjetësh, studiuesit kanë arritur të përcaktojnë 5 lloje martesash:

1.Martesa e ambientuar me konfliktin. Karakteristikë e kësaj martese është konflikti i lartë dhe tensioni që kthehet në diçka të zakonshme dhe të pranueshme për partnerët. Në fakt, qëndrueshmëria e debatit, fërkimit, mund të sigurojë një sens stabiliteti për martesën.

2.Martesa të asgjësuara. Në këto lloj martesash çifti beson se e duan njëri-tjetrin, por në fakt ka pak aftësi për të jetuar. Dikur edhe mund të ketë patur vitalitet, por tani ka pak intimitet dhe pasion. Partnerët në çift e shohin martesën ende si të mirë ndonëse janë të veteëdijshëm (dhe jo pa dhimbje) për humbjen e pasionit.

3.Martesa pasive-miqësore. Partnerët e çiftit në këtë lloj martese ndihen të kënaqur dhe konfort me atë që kanë dhe bëjnë pak përpjekje për të përmirësuar ose ndryshuar martesën. Nëse lindin konflikte në këtë tip martese, gjithsesi bëhet e mundur shmangia e konfliktit edhe se partnerët japin e marrin nga njëri-tjetri shumë pak.

4.Martesa vitale. Partnerët në këtë tip martese janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin sidomos për çështjet familjare, sidomos për anën ekonomike-financiare, kujdesen për fëmijët si dhe aktivitet sociale dhe zbavitëse.

5.Martesa totale. Në këtë tip martese partnerët kanë karakteristika më të plota se tipi i martesës vitale. Në tërësinë e vet kjo lloj martese preferon nivelin më të lartë të lidhjes së partnerëve me njëri-tjetrin. Por nga ana tjetër kjo lloj martese është shumë e rrallë.

05

C.Lidhur me kënaqësinë martesore ka mendime të ndryshme përcaktuese si:

Disa studiues thonë se: Kompatibiliteti seksual është një faktor themelor në kënaqësinë martesore.

Të tjerë studiues cilësojnë se: Në kënaqësinë martesore më me shumë rëndësi është pasioni reciprok i partnerëve (d.m.th, që jeta martesore karakterizohet nga përkujdesja, lidhja emocionale, besimi, përkushtimi dhe interesat e përbashkëta). Kjo njehsohet gati me martesën vitale dhe totale.

Sipas studiuesve kjo është baza e kënaqësisë martesore, sepse i lejon partnerët që të shkarkojnë streset e tyre të përditshme pa u refuzuar nga njëri-tjetri.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top