FB

January 15, 2022 | 8:12

Mposhtni mendimet negative!

Duhet ta pranojmë: mendimet negative nuk kanë qenë asnjëherë kaq të shumta sesa në vitin 2020. Nuk është vetëm një mënyrë pesimiste të shprehuri, por një e vërtetë e hidhur. Të dhënat që vijnë nga studime të shumta botërore, tregojnë se si kjo pandemi ka sjellë jo vetëm efektet e dëmshme që dëgjojmë nga lajmet, por edhe pasoja më intime, të cilat vështirë se dalin në pah dhe vështirë se mund të kontrollohen.

Që në shkurtin e kaluar, në mes të trazirave botërore, në “Lancet Psychiatry” u botua studimi “Mental health service for older adults in China during the Covid-19 outbreak” (Shërbimi i shëndetit mendor për adultët e rritur në Kinë gjatë shpërthimit të Covid-19) ku denoncoheshin efektet e para shkatërruese në psikën e personave që kishin kaluar kufizime të domosdoshme për të ndalur përhapjen e virusit.

Në marsin e vitit 2020, ndërkohë që sapo kishin filluar të shfaqeshin rastet e para dhe sapo kishte nisur beteja kundër Covid-19, u morën masa që të ofrohej ndihma e psikologëve. Shqetësimet e kësaj pandemie janë të ngjashme me sindromën e stresit post-traumatik. Stresi post-traumatik është studiuar gjatë në literaturën shkencore, njësoj si dhe pasoja e një traume masive, për shembull duke analizuar reagimet e të mbijetuarve të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në New York apo të Parisit në vitin 2015.

Jeta na vendos përpara sfidave, shumë herë pa arritur të gjejmë qetësi dhe pa kuptuar se sa burime kemi në dispozicion. Të keni mendime negative ose disfatiste është normale në situatën që po kalojmë. Megjithatë, t’i ushqeni ato apo t’i memorizoni përkeqëson cilësinë e jetës dhe ndot imazhin që keni për veten.

Mendimet negative përbëjnë muret e burgut tonë, një burg që e ndërtojmë për veten tonë. Të çlirohemi nga dënimi, është aq e thjeshtë, njësoj si të ndryshojmë mënyrën e të menduarit. Pse duhet ta ulni në këtë mënyrë vetëbesimin tuaj? Ndonjëherë mendimet negative janë vetëm një vegim në mendjen tonë. Kur kjo gjë ndodh, duhet të jemi të vetëdijshëm, në mënyrë që t’i dallojmë menjëherë dhe të kuptojmë se kur po mendojmë negativisht. Vetëm duke fituar vetëdijen për mendimet tona, mund të ndërhyjmë për t’i mposhtur ato.

Strategjitë që ju propozojmë më poshtë ju ndihmojnë të mposhtni mendimet negative dhe do t’ju thjeshtësojnë detyrën që të mendoni pozitivisht.

Vëzhgoni mendimin tuaj: zakonisht mendimet negative janë frut i shtrembërimeve konjitive ose forma irracionale të të menduarit. Vëzhgojini ato si të ishit spektator. Nëse nuk i lejoni që të zënë rrënjë në mendjen tuaj, ato do të largohen. Imagjinojini si pemë përgjatë vijës së lumit: herët a vonë do t’i humbni nga sytë. Pranojini mendimet negative dhe lërini të largohen.

Rikonsideroni çfarëdolloj çështjeje që po ju gërryen: Kur e vrisni mendjen vazhdimisht mbi diçka, e bëni me bindjen se mund ta zgjidhni problemin vetëm duke menduar sa më shumë për të. Por në fakt, kjo gjë është e kotë. Para se të kërkoni zgjidhjen, duket të shpluhurosni gjithçka që karakterizon me të vërtetë mendimet tuaja dhe të eliminoni ato që keni krijuar ju vetë në mendjen tuaj. Mos u habisni, nëse pasi të keni eliminuar fantazinë, do të zbuloni se nuk keni asnjë problem, përveç atij që keni krijuar ju vetë.

Lëvizni dhe veproni fizikisht mbi mendimin tuaj: kur jeni të bllokuar në një mendim negativ, vihuni në lëvizje. Të shtypni butonin që rizgjon mendimet pozitive nuk është një gjë që ndodh menjëherë, nëse mendja juaj është e zënë duke kërkuar një mënyrë për të vuajtur. Është momenti ideal për të dalë, për të bërë një shëtitje apo për të vrapuar, për të kërcyer ose për të bërë joga. Mos rrini duke menduar, mbajeni mendjen të zënë, thjesht lejoni që trupi juaj të marrë frerët dhe ta çojë mendjen tuaj diku tjetër.

Evitoni shkakun e mendimeve negative: një këngë, një fotografi, një libër, një emision në televizor, shoqëria e disa njerëzve… Sapo zbuloni se cilët janë stimujt nga ku lindin mendimet tuaja negative, evitojini ato. Dhe, sa më shumë të jetë e mundur, zëvendësojini me të tjera që zgjojnë brenda jush ndjesi të këndshme. Mos torturoni veten dhe mos e bëni gjithçka më të vështirë nga sa është.

Rrethohuni nga njerëz pozitivë: nëse ajo që shihni, dëgjoni dhe lexoni është pozitive, nëse njerëzit që ju rrethojnë janë pozitivë, do të jetë më e lehtë që të mbani sa më larg mendimet negative. Nëse jeni të rrethuar nga optimizmi, do të jetë më e lehtë të largoni çfarëdolloj burimi mendimi negativ.

Mendoni për gjërat pozitive kur mendoni negativisht: zakonisht mendimi negativ është një zakon i përfituar. Ndaj, në vend që të përfshiheni nga mendimi negativ, përshtatuni të mendoni pozitivisht në rrethana të caktuara. Për ta kujtuar dhe forcuar, mund të mbani gjithmonë me vete një letër ku të shkruani gjëra të bukura.

Mos harroni, askush nuk është i përsosur: është e lehtë që vazhdimisht ta mbani mendjen te gabimet tuaja. Por mund të nxirrni mësime prej tyre dhe të ktheni fletë. Sado ta vrisni mendjen, asgjë nuk do të ndryshojë. Dhe nëse ajo gjë që rizgjon mendimet negative është një dobësi apo mungesë, përqendrohuni te pikat tuaja të forta dhe cilësitë e mira që keni. Nëse nuk mund të ndryshoni të shkuarën, mundohuni të merrni më të mirën nga e ardhmja.

Mendimet nuk zgjasin përgjithnjë

Mendimet negative janë kalimtare dhe të përkohshme, përveç nëse doni t’i bëni ato të përjetshme. Nuk kanë asnjë fuqi të vërtetë, por mund t’ju dëmtojnë shumë, nëse u jepni mundësinë që të shtohen. Një mendim ka atë fuqi që duam ne vetë t’i japim, por edhe t’i bëjmë ato të pavlera është një detyrë e vështirë: nuk bëhet më fjalë për një mendim, por është një dinamikë.

Secili është përgjegjës për mënyrën se si i menaxhon mendimet e veta. Nuk është i rëndësishëm fakti që një mendim del në sipërfaqe: e rëndësishme është që ta ndaloni atë dhe të krijoni një kontekst të përshtatshëm, që ai të venitet e të largohet krejtësisht. Çelësi për t’ia dalë mbanë qëndron në faktin që t’i dalloni këto mendime negative para se ato të kenë mundësinë të nguliten thellë në mendjen tuaj.

 

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top