Ne vrasim çdo ditë, me fjalë, me gjykime, me heshtje. Me sytë që përçmojnë, me gojën që përqesh, me gjestet që përjashtojnë.

Ne vrasim kur qeshim me fatkeqësinë e tjetrit, kur nuk japim dorë, por thikë pas shpine. Vrasim dhe pastaj qajmë mbi kufoma, për sy e faqe.
Shkojmë në drekë, kujtojmë të ndjerin me një shaka. Turp.
Kur dikush arrin, ne pyesim: Pse ai?, Pse ajo?…
Por harrojmë se kur ai punonte, ti thjesht shikoje.
Kur ajo sakrifikonte, ti thjesht gjykoje.
Suksesi nuk falet. Dhe ne, shpesh, nuk dimë të gëzojmë për tjetrin.
Po kur na ndodh neve? Ah, atëherë kërkojmë mirëkuptim, butësi, drejtësi.
Dhe harrojmë, nuk ia dhamë askujt.
“Bëj për të tjerët atë që do të doje të bënin për ty.”
Nënë Tereza e tha… Por ne, shqiptarët, nuk e kemi gjithmonë gjakun e saj.
Urrejtja na është bërë sport. Zilia, hije që na ndjek kudo.

Ndaluni njëherë!
Mos gjykoni, mos përçmoni, mos vrisni me fjalë!
Një jetë kemi, veç një.
Le ta bëjmë më të mirë.
Për veten, për tjetrin, për të ardhmen.
*Fatbardha Alimeta, psikologe këshillimi, shkrimtare, aktiviste
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

