Këshilla dhe sugjerime psikologjike
Gjatë 3 muajve të verës mungon konsumimi i kohës dhe stimulimi mendor që ofron shkolla. Kjo përkthehet në një angazhim më të shtuar të prindërve për të ndërtuar aktivitete për fëmijët. Mirëpo, nga ana tjetër kjo periudhë është një mundësi e shkëlqyer për të thelluar besimin, komunikimin dhe lidhjen emocionale me fëmijët. Mos harroni se marrëdhënia juaj me fëmijën është parashikuesi më i rëndësishëm i vetes dhe suksesit të tij në të ardhmen.
Alma Marku – Psikologe Klinike
Në fakt, zhvendosja e fëmijëve në rutina të reja mund të jetë sfiduese dhe të shoqërohet me ndryshime në sjellje, shqetësim dhe ankth, por ka disa hapa që mund të ndërmerrni për ta bërë tranzicionin sa më të qetë për familjen tuaj.
Krijoni struktura fleksibile – Pushimet verore janë një kohë kur fëmijët nuk mund të mbështeten në rutinën e shkollës për të strukturuar ditët dhe javët e tyre dhe një pushim i plotë nga të gjitha strukturat mund të çojë në kaos. Punoni së bashku në fillim të javës për të ndërtuar një orar fleksibël për të cilin ju dhe fëmija juaj bini dakord duke gërshetuar orë të planifikuara si lojërat, shëtitjet apo udhëtimet me kohë të lirë të paplanifikuar. Studimet zbulojnë se loja e lirë e pastrukturuar lidhet me ndërveprime më cilësore prind-fëmijë.
Luani jashtë në natyrë – Pak ajër i pastër dhe argëtim në ambient të hapur janë të mirëpritura nga të gjithë. Lejojini fëmijët të jenë të lirë duke nxitur kreativitetin e tyre në mënyrë që të mos u privohet mundësia për të eksploruar ide të reja. Loja në natyrë formëson zhvillimin intelektual, emocional, social dhe fizik të fëmijëve. Në të njëjtën kohë, kjo iu stimulon atyre përdorimin e të gjitha shqisave.
Inkurajoni mësimin e një aftësie të re – Një aspekt i mrekullueshëm i verës është se u jep fëmijëve kohë për të ndjekur idetë dhe aktivitetet që i bëjnë ata të ndihen të frymëzuar. Ndërsa viti shkollor po mbaron, kërkojini fëmijës tuaj të zgjedhë një gjë të re që dëshiron të mësojë gjatë verës, e cila mund të jetë një hobi. Kjo do të modelojë kreativitetin, këmbënguljen e të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Lexoni, lexoni dhe lexoni – Shumë fëmijë të moshës shkollore i mendojnë pushimet verore si një kohë për t’u çlodhur, për t’u argëtuar dhe për të bërë çfarë të duan. Leximi me fëmijët tuaj ka një ndikim pozitiv dhe mund të jetë po aq efektiv sa shkolla verore në parandalimin e humbjes së të mësuarit gjatë verës.
Merrni kohë të organizoni pushime familjare – Përvojat e përbashkëta krijojnë ndikime të qëndrueshme te fëmijët dhe bazuar në kërkime, ato kanë treguar të jenë fenomenale në zhvillimin e tyre. Eksplorimi i një vendi të ri është po ashtu një lehtësues i gjithanshëm i stresit. Më e rëndësishmja, koha e familjes gjatë pushimeve është më e gjatë, krijohen kujtime të reja dhe eksperienca emocionuese.
Së fundmi, kujtoni që si prindër, keni një mundësi unike për të forcuar lidhjen me fëmijët gjatë kësaj periudhe pas mbarimit të shkollës. Duke ndërtuar paraprakisht një plan për verën, mund të jeni më të përgatitur dhe të aftë për ta bërë atë një përvojë pozitive për të gjithë. Sigurohuni që të merrni kohë edhe për veten tuaj, pasi si prind keni nevojat tuaja fizike dhe emocionale. Kujdesi për shëndetin dhe mirëqenien tuaj përpara fëmijëve tuaj është një mënyrë e fuqishme për të modeluar sjellje që tregojnë se sa e rëndësishme është që ata të kujdesen vetë për veten e tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.