Dënimi duhet ta bëjë fëmijën të mendojë dhe jo të ndihet i keq dhe të ngecet në ujërat e dyshimit. Tmerri i dyshimit është shumë i njohur dhe i studiuar në të gjitha moshat. Dëmi i tij është i pallogaritshëm, sidomos në fëmijëri, prandaj specialistët insistojnë që fëmijës i duhet treguar dhe folur për çdo gjë që do ti ndodhë. Nuk duhet lënë nën trysninë e fantazisë së manipuluar nga tmerri i dyshimit, se çfarë do ti ndodhë dhe çfarë ka bërë, pse ishte kaq e keqe ajo që bëri, e me radhë…
Nga Lira Gjika
Mos harroni, fëmija po rritet dhe shumë veprime edhe pse mund të bëhen me qëllim nuk janë për të bërë keq, por për të tërhequr vëmendjen, se është keq.
Fëmijës i duhet treguar me fjalë dhe veprim, që ndëshkohet veprimi dhe jo ai, fëmija. Fëmija duhet të jetë i qartë për ndëshkimin. Duke mos qenë i qartë ai dyshon për gjithçka, që është i keq, që nuk e duan dhe që është i pazoti. Kur fëmija nuk e di se për çfarë ndëshkohet dhe sa kohë do të ndëshkohet ai pushtohet nga paniku apo “tmerri i dyshimit”. Kur e ka të qartë se përse, kupton se ka disa gjëra, që janë në dorë të tij dhe ai mund t’i evitojë që të mos gjendet në telashe. Kështu mëson përzgjedhjen dhe rëndësinë e veprimeve.
Koha e dënimit është një minutë për vit moshë. Nëse është 2 vjeç vetëm dy minuta, nëse është tre vjeç vetëm tre minuta. Kujdes, mos harroni të shkoni te fëmija sapo të mbushet koha e caktuar për dënimin. Vonesa për ti thënë fëmijës se mbaroi koha e dënimit, bën vetëm dëm. Tregon vetëm neglizhencë dhe prepotencë nga ana e të rriturit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.