Sikundër çdo kategori shoqërore provoi shqetësime të shkaktuara nga pandemia e Covid-19, edhe fëmijët e spektrik autik përjetuan përvoja aspak të këndshme. Izolimi, kufizimi dhe kushtëzimi i tyre përmes kushteve të reja, nxorri në pah problematika në regresin e tyre. Silvana Gjoni, terapiste ABA dhe logopediste e paraqet këtë situatë tek fëmijët e spektrik autik, si sfiduese, duke sjellë tek ata çrregullime neurozhvillimore.
Intervista
Silvana Gjoni, terapiste ABA dhe Logopediste
Si ka ndikuar rikthimi në terapitë fizike tek fëmijët?
Në kontekstin që ndodhemi, akoma nuk ka përfunduar pandemia. Kështu që vështirësitë janë akoma të pranishme. Pjesa më e madhe e fëmijëve janë kthyer në terapi fizike. Rikthimi ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i vështirë, pavarësisht përpjekjeve që terapistët dhe prindërit kanë bërë për të mos humbur ritmin e terapisë. Fëmijët janë kthyer me regres në zhvillimin global, por sidomos atë social, të paktën pjesa më e madhe e tyre. Pavarësisht lejes së posaçme që fëmijët me autizëm kanë pasur për të dalë gjatë karantinës, asgjë nuk e zëvendëson socializimin.
Terapistët nga ana e tyre kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë kolosale, që rikthimi i këtyre fëmijëve në terapi të mos jetë traumatik, por sa më i lehtë për ta. Është kërkuar një bashkëpunim i ngushtë me prindin, që në pjesën më të madhe e kemi pasur dhe për këtë jemi falenderues.
Tashmë, ata duhet të përshtaten edhe me mësimin online. Kjo paraqet një sfidë, për të gjitha palët.
A ka ndikuar mësimi online në mirëqenien e tyre?
Patjetër që po. Me mirëqënie po i referohem faktit psikologjik dhe atij social, pa lënë pas edhe atë fizik. Ka ndikuar dhe ndikon akoma. Duke qenë se një pjesë e mirë e fëmijëve dhe adoleshentëve me çrregullime neurozhvillimore duhet të ndjekin mësimin online, gjendja paraqitet e vështirë. Prania fizike nuk zëvendësohet dot nga Zoom-i! Për pasojë, duke ditur edhe problematikat e tyre zhvillimore, shtimi i pranisë së një pajisjeje elektronike dhe marrja e komandave nëpërmjet saj, ul ndjeshëm nivelin e suksesit.
Si ka qenë kalimi nga mësimi online tek kalimi në shkollë dhe në shoqërimin me terapistët dhe shokët?
Për të qenë të sinqertë, goxha i vështirë. Kemi hasur me kundërshti, refuzime, të qara, regres. Kalimi, pavarësisht se terapistët dhe prindërit janë munduar shumë, ka mbetur i vështirë. Aktualisht gjendemi në fazën e përshtatjes së vonë, pra nuk mund të themi se e kemi marrë veten totalisht nga pasojat post-karantinim. Por secili nga ne po bën pjesën e tij, me përkushtim maksimal.
Në gjendjen e tyre psikologjike, si kanë ndikuar ndryshimet e njëpasnjëshme?
Kur i referohemi fëmijëve të vegjël, këto ndryshime nuk kanë lënë shije të mirë, sepse edhe aftësia e tyre për të kuptuar çdo lloj ndryshimi dhe shkak-pasojën është e vështirë. Sot, ata që janë adoleshentë duhet të mbajnë një maskë. Më parë, edhe fëmijët nxiteshin të mbanin maskë. Pra, ishin këto ndryshime që ndodhnin një pas një, që e bënë edhe më të vështirë përshtatjen e fëmijëve. Gjithashtu, distancimi fizik është një pikë shumë e diskutueshme sesa një fëmijë apo adoleshent me autizëm mund ta mbajë. Përpara nesh, paraqiten goxha vështirësi, që të gjithëve neve na ndikojnë, dhe më shumë personat me çrregullime neurozhvillimore. Ajo që mund të them, është që të përpiqemi të bëjmë durim dhe ditë më të mira do vijnë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.