FB

December 29, 2021 | 8:30

Ndiq zemrën, pa harruar mendjen!

Ekstrakt nga libri “Fleksibiliteti Emocional” i Susan David

Në përpjekjen për t’i afruar veprimet tona me atë që na intereson në të vërtetë, ne mund të forcojmë disiplinën dhe forcën e vullnetit tonë. Por, për fat të keq – siç e kanë mësuar shumica prej nesh në një mënyrë të vështirë – kjo rrallë çon në rezultate më të mira. Mund të detyroheni të shkoni në palestër, por sa shpesh kjo iniciativë ju ndihmon të ushtroheni mirë? Apo të telefononi të afërmit tuaj pa ju detyruar kush, sa shpesh keni një bisedë kuptimplotë me ta?

Nga Esmeralda Birçaj, Eksperte e Shëndetit Mendor

Kur fillojmë diçka në këtë mënyrë – të motivuar nga një gisht kritik dhe jo nga një zemër e gatshme – mpleksemi në një lëkundje të përhershme midis qëllimeve të mira dhe ekzekutimit më pak efektiv, madje edhe kur qëllimet përfundimtare – përmirësimi i shëndetit, marrëdhëniet më të mira familjare – janë teorikisht të lidhura me vlerat tona. Dy mijë e gjysmë vjet më parë, Platoni e kapi këtë luftë të brendshme duke përdorur metaforën e një qerreje që e tërhiqnin dy kuaj shumë të ndryshëm. Njëri kalë ishte pasioni (impulset dhe dëshirat tona të brendshme) dhe tjetri ishte intelekti (mendja jonë logjika, morali).

Me fjalë të tjera, Platoni e kuptoi që ne jemi vazhdimisht midis dy drejtimeve të kundërta: çfarë duam të bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë. Detyra jonë, si drejtues, është të zbusim dhe drejtojmë të dy kuajt ku duam të shkojmë. Siç rezultoi, Platoni nuk ishte gabim. Teknika moderne e neuroimazhit tregoi se sa herë që sistemi impulsiv i trurit tonë (pasioni) bie ndesh me qëllimet tona të arsyeshme e afatgjata (intelektin), truri ynë përpiqet – fjalë për fjalë – të tërheqë frenat.

Supozoni se po përpiqeni të hani më shëndetshëm. Jeni në një restorant dhe shikimi juaj bie mbi një muse të shijshme çokollate në vitrinën e dyqanit me ëmbëlsira. Kjo shkakton një aktivitet në bërthamën e pjerrët, një zonë e trurit që lidhet me kënaqësinë. Zoti e di se sa e dëshironi këtë muse prej çokollate.

Por jo, kujtoni veten. Nuk mund ta hani atë. Ndërsa mblidhni forcën tuaj për të refuzuar ëmbëlsirën, spiralja e përparme e poshtme, një zonë e trurit e lidhur me vetëkontrollin, merr frenat. Me këto dy fusha të aktivizuara, truri ynë lufton me veten e tij ndërsa përpiqemi të vendosim nëse do të nxitojmë të kryejmë veprimin apo të përmbahemi. Por gjërat bëhen edhe më të komplikuara, pasi instinktet tona të ulëta kanë përparësi.

Përsëri, sipas neuroimazhit të trurit, kur përballemi me një zgjedhje të thjeshtë, ne përpunojmë tipare kryesore, siç janë p.sh. shija, mesatarisht 195 milisekonda para se të përpunojmë çështje shëndetësore. Me fjalë të tjera, truri ynë na nxit të bëjmë zgjedhje specifike shumë kohë përpara se fuqia e vullnetit të paraqitet në plan të parë.

Kjo mund të shpjegojë pse në një studim 74% e njerëzve thanë se do të zgjidhnin fruta dhe jo çokollata “në një moment në të ardhmen”, por kur vendosën fruta dhe çokollatë para tyre, 70% rrëmbyen çokollatën.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top