Psikofakt

October 27, 2015 | 10:07

Ndjenja e fajit

MondiNga Edmond Tupja

Nuk ka njeri që të mos ketë provuar ndonjëherë ndjenjën e fajit, qoftë ajo e imponuar nga të tjerët (familja, shkolla, shoqëria, shteti) ose e diktuar nga ndërgjegjja jonë. Qysh në fëmijërinë e hershme, në atë moshë ende të njomë kur sapo kemi nisur të bëhemi të vetëdijshëm për unin tonë, fillimisht prindërit dhe edukatorët në strukturat e arsimit parashkollor na e fusin këtë ndjenjë, me ose pa të drejtë, sepse ajo përbën një ndër hapat e parë drejt një shoqërizimi më të zhvilluar të unit tonë, që kalon nga stadi biologjik në atë social. Në moshën e pjekurisë, njeriu e kupton se ndjenja e fajit, kur ai ka kryer një veprim ligjërisht dhe, sidomos moralisht, të dënueshëm, është krejt normale, ajo e ndihmon atë të vetëkorrigjohet, çka përbën një veprim të shëndetshëm jo vetëm individual, por edhe shoqëror.

Problemi zë e koklavitet kur, në stadin e adoleshencës, njeriu, nën trysninë e familjes dhe të shoqërisë, pra, të edukatës që merr, fillon, për një arsye ose për një tjetër, të fajësojë vetveten pa të drejtë. Le të marrim si shembull, nga mesjeta e largët, rastin me të skajshëm, atë të një fetari të devotshëm, i cili, pasi bëhej murg i një urdhri të caktuar, ndëshkonte vetveten duke u vetërrahur me kamxhik, madje edhe publikisht, sepse sipas dogmës dhe rregullave të imponuara prej asaj, trupi ishte i urryeshëm, vetëm shpirti e meritonte paqen e amëshuar, çka e bënte murgun në fjalë të fajësonte veten si qenie njerëzore dhe, rrjedhimisht, ta ndëshkonte atë. Një vetëndëshkim të ngjashëm, me të njëjtën ndjenjë faji, priftërinjtë katolikë i imponojnë vetes duke mos u martuar, pra, duke shkuar kundër natyrës, gjë që i shpie disa prej atyre, në kisha apo manastire, drejt praktikash homoseksuale apo pedofilike.

Nga ana tjetër, ndjenjën e fajit njeriu e “kultivon” sidomos në regjimet diktatoriale, të djathta apo të majta, sado laike qofshin ato, si në vendin tonë dikur, çka e detyron njeriun, veçanërisht intelektualin e artistin, të vetëcensurohet nga frika, pra, nga ndjenja e fajit dhe e përgjegjësisë së parandier jo aq për veten sesa për familjen e tij. Gjithsesi, edhe në shoqëritë e sotme demokratike, ndjenja e fajit është e pranishme përderisa ka ligje e norma, që ndonëse të nevojshme nga pikëpamja morale, mund të interpretohen subjektivisht për arsye të rrethanave, duke e bërë njeriun të ndihet fajtor më shumë sesa duhet, çka mund ta kthejë atë në objekt depresioni ose neurozash pak a shumë të rënda; i tillë ka qenë rasti i një punonjësi të administratës shtetërore para shumë vitesh, i cili “përvetësoi” një makinë shkrimi të dalë jashtë përdorimit dhe që, edhe pasi e ktheu atë disa muaj më vonë në magazinën e qendrës së punës, nuk u shërua dot nga depresioni që iu shfaq pikërisht për shkak të ndjenjës së fajit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top