Çdo ndarje përfundimtare mund të quhet një zi, sepse ajo trajtohet si e tillë. Çdo formë e ndarjes sjell dhimbje, ndjenjë boshe, nostalgji dhe do kohën e saj shëruese.
Kemi përjetuar shumë “vdekje” në jetën tonë.
Kemi humbur miqtë, disa nga të dashurit tanë, kafshët tona … Të gjitha të dhimbshme, të asaj dhimbjeje të padurueshme dhe të pakuptueshme. Ashtu si të gjitha stuhitë emocionale, dhimbja na çon në mendimin dhe rishqyrtimin e jetës sonë, mënyrën se si jetojmë, dimensionin e dashurisë që na lë brenda nesh.
Krahasojmë, përpiqemi të kuptojmë, kujtojmë, qajmë, rebelojmë, qajmë përsëri, përpiqemi të kthehemi në normalitet, por vazhdojmë të qajmë. Shoh përreth dhe kuptoj se të gjithë kanë zinë e tyre, pak a shumë intensive, të tejmbushura, të rezervuara, të dukshme, të përmbajtura. Kështu që mësoj se nuk duhet të gjykoj apo krahasoj dhimbjen e dikujt.
Dhimbja duhet të kuptohet dhe të ngushëllohet, nuk duhet lënë pas dore.
“Të gjitha e kanë një ilaç, përveç vdekjes” … Sa herë e kemi dëgjuar këtë? Dhe është e vërtetë: për sa kohë që ka jetë, ka zgjidhje. Kur i/e dashura na lë, e vetmja mënyrë është e bërë nga dhimbja, nostalgjia, dëshira dhe në fund, rilindja e brendshme. Çdo gjë kalon, me dhimbje, ngadalë, por kalon.
Ndonjëherë ndodh që t’i jetojmë të gjitha këto emocione, duke kaluar zinë për dikë që është zhdukur nga jeta jonë, por është ende gjallë. I shëndetshëm, i fortë dhe i bukur.
Pse themi se këto ndarje janë të ngjashme me një zi për t’u përballur?
Sepse shohim përreth dhe kemi një ndjenjë të madhe dhe të dhimbshme të mungesës: ai person nuk do të zërë më hapësirat tona, nuk do ta dëgjojmë zërin e tij, ngrohtësinë e një përqafimi. Vazhdon të jetojë në botë, por larg prej nesh.
Vuajmë në të njëjtën mënyrë, bëjmë njëmijë pyetje … “Ku do të jetë tani? Me kë do të jetë? A është më i lumtur pa ne apo nuk na mungon?”
Ndarja pa vdekje, përveç dhimbjes, gjithashtu sjell dëshirën. Dhe ka kohën e vet të shërimit.
E dëshirojmë atë person të veçantë, edhe nëse jeta jonë duhet të vazhdojë pas. Sepse duhet të ecim përpara gjithsesi, madje pa atë që kemi dashur, pa ato ëndrra, në një mënyrë krejt tjetër nga ajo që imagjinohet.
Koha do të bëjë detyrën e vet, dhe madje, edhe në këtë rast, do të sjellë ngushëllim. Askush nuk mund të zëvendësojë askënd, por do të ketë partnerë të rinj, miq të rinj … në mënyrë që dashuria jonë të mos mbytet në gjoks dhe të gjejë një shtëpi tjetër ku të jetojë dhe pushojë.
Ja pra, dashuria nuk vdes.
Përgatiti Orjona TRESA / Burimi: giornodopogiorno.org
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.