Ka njerëz për të cilët të ndihen mirë dhe të shijojnë kënaqësitë e jetës shkakton një shqetësim të madh; mund të flitet për një lloj alergjie psikologjike ose fobi e ushqyer dhe e mbështetur nga mekanizma që rrallëherë janë të vetëdijshëm.
Është një gjendje nga e cila ndihen të huaj dhe nga e cila preferojnë të largohen, sesa ta përballin. Qoftë pasojë e një fëmijërie të vështirë, ndjesisë se nuk e meritojnë një nder të tillë, apo ndoshta për shkak të perfeksionizmit, thjesht janë të paaftë të shijojnë ndonjë gjendje mirëqenieje.
Gjatë momenteve të këndshme ndiejnë se janë në rrezik të madh: rreziku i të mësuarit me ndjesinë e të qenit mirë, ndonëse ndiejnë se kjo do të zhduket shpejt dhe në mënyrë të pashmangshme. Janë të paaftë të konceptojnë jetën ndryshe përveçse si një betejë ose si një udhëtim i mbushur me vuajtje. Një jetë pa beteja, pa nevojën për të shtrënguar dhëmbët dhe për të tensionuar muskujt, është për ta shenjë se diçka nuk shkon.
Kënaqësi të jetës që nuk më takojnë
Ky fenomen ishte i zakonshëm dikur, për shembull, kur një person nga një klasë e caktuar shoqërore ngrihej në një klasë më të lartë. Veçanërisht nëse kjo ngritje ishte e pasigurt, personi prirej të tregonte rezistencë ndaj shijimit të privilegjeve që kishte arritur ose që i ishin dhënë për shkak të fatit.
Mbizotëronte ideja se klasa shoqërore ku lindje duhej të ishte edhe ajo ku do të vdisje, dhe çdo ndryshim në këtë drejtim, edhe nëse ishte për mirë, nuk shihej me sy të mirë. Ishte çështje praktike, por edhe mendore.
Në këtë kuptim, ka njerëz që edhe kur janë të lirë nga shqetësimet, priren t’i kërkojnë ato vetë. E njëjta ndodh me dhimbjen: kur vuajmë për diçka të madhe, nuk i vëmë re dhimbjet më të vogla. Epo, disa njerëz skanojnë vazhdimisht trupin e tyre sepse janë të paaftë të besojnë se mund të mos ekzistojë ndonjë shqetësim i vogël, ndonjë simptomë e lehtë që t’u japë atyre mundësinë të besojnë se mund të jenë viktima të ndonjë sëmundjeje të rëndë, si për shembull kanceri.
Ndihen shumë më rehat në rolin e viktimës, të shtypurit apo të atij që goditet, sesa në rolin e fitimtarit. Për këtë arsye, është e rrallë t’i shohësh duke festuar për diçka: gjithmonë gjejnë një arsye për të mos e bërë, duke e ekzagjeruar atë ose madje edhe duke e trilluar, vetëm për të mos shkaktuar tek të tjerët asnjë emocion tjetër përveç mëshirës.
Për ta, mëshira është arma më e fuqishme për të siguruar shoqërinë e të tjerëve. Është ngushëllimi i tyre dhe nuk janë të gatshëm ta heqin dorë prej saj, edhe nëse kjo do të thotë të heqin dorë nga të gjitha arritjet e mundshme që duken në horizont.
Viktima të përhershme
Përveç maturisë me të cilën përballen me kënaqësitë e jetës, roli i tyre si viktima endacake dhe të përhershme u jep atyre një justifikim të vlefshëm (të vlefshëm kryesisht për sytë e tyre) për të mos përmbushur disa detyrime. Fshihen pas dhimbjeve të tyre të vogla ose pas një vuajtjeje të zgjatur për të mos kryer ndonjë nder.
“Si mund të kujdesem për të tjerët kur jam kaq keq, kur jam ai që është në gjendjen më të keqe dhe që duhet të përballojë problemet më tragjike? Çfarë ndodh nëse ndihmoj dikë tjetër dhe ai mësohet me këtë?”
Frikë. Kjo është ndjenja. Frikë nga vetmia, frikë se nuk do të mund të jenë të pavarur, frikë se do t’i zhgënjejnë të tjerët, frikë se do të kthehen shpejt në trishtim, frikë të synojnë diçka që dikur ishte vetëm një ëndërr, por që tani duket e mundshme. Frikë nga shikimi poshtë dhe shikimi i rrëzimit të afërt, frikë nga shikimi lart dhe të kuptuarit sa shumë ka mbetur për të ngjitur. Frikë nga gjetja e kufijve të vetvetes, frikë se janë të paditur, jo mjaftueshëm inteligjentë. Frikë të shijojnë kënaqësitë e jetës dhe të dorëzohen para kësaj ndjenje.
Të gjitha këto frikëra zhduken, ose në shumicën e rasteve flenë, kur nuk lëvizim shumë, kur nuk guxojmë të shijojmë plotësisht. Kur nuk e paraprijmë kënaqësinë nga frika se do të shfaqet një gropë që do ta përpijë dhe zhdukë. Frikërat zbuten kur marrim një qëndrim konservator, kur nuk krijojmë pritshmëri për të mos u zhgënjyer – një gjë që të gjithë e kemi bërë të paktën një herë për t’u mbrojtur, duke e mbështetur këtë ide me çdo kusht.
… dhe na dukej si një strategji e zgjuar për t’u përballur me jetën. Por jeta është kapriçoze dhe ndonjëherë i ndërron të gjitha kartat në tryezë. Të gjitha, përnjëherë, dhe lamtumirë loja.
Në vetvete, kënaqësia shfaqet dhe mund të shfaqet vetëm kur çlirohemi dhe i dorëzohemi plotësisht përvojës. Kur jemi të bindur se çfarëdo karte që të na bjerë, do të dimë të luajmë me të dhe të shijojmë lojën. Nuk bëhet fjalë për të mbijetuar, por për të jetuar. Ky është një hap thelbësor mendor, përndryshe do të jetë e vështirë të çlirohemi nga bindja se sa më shumë të shijojmë gjërat pozitive, aq më shumë fati ynë do të pakësohet derisa të zhduket.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.