Mirëqenie

September 6, 2018 | 9:29

NDRIODENT / Garanci, standarde për një shërbim cilësor dentar

Hapat e parë për të shkuar deri te dentisti janë padyshim të vështirë. Një sërë mendimesh, frikërash dhe pasigurish të ngërthejnë befas. Ke dilema, të cilat ndodh të të kthejnë pas e të të pengojnë të marrësh shërbimin e duhur oral. Por edhe trauma të fëmijërisë bëjnë që të mbetesh peng i tyre, e figura e mjekut stomatolog të të duket gogoli ku nuk duhet shkelur.

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ

Në fakt, zhvillimi i teknologjisë, avancimi i shkencës, garancia në ofrimin e shërbimeve, por edhe trajnimi i vazhdueshëm i mjekëve të fushës në aspektin psikologjik, ka lehtësuar kushtet për një shërbim cilësor dentar dhe të garantuar në të gjitha fushat e dentistrisë si: terapi, endodonti, kirurgji, ortopedi, implantologji, ortodonti. Mjeku Eno Ndrio, kirurg stomatolog sjell përmes kësaj interviste kapërcimin e këtyre vështirësive dhe këshillat se ku çalon ende kultura orale në vendin tonë.

Sa vite keni që investoni në fushën e stomatologjisë?

Jam diplomuar në 2010-ën në Fakultetin Shtetëror të Stomatologjisë, dhe që në atë moment ka filluar karriera ime dentare. Kam pasur gjithmonë interes të mos e lë zhvillimin tim mjekësor vetëm me njohuritë e fakultetit dhe në mënyrë sistematike kam ndjekur trajtime, që kanë qenë kryesisht në Gjermani, Itali e Francë. Merrem kryesisht me kirurgji, i cili është pasioni im më i madh.

Çfarë është stomatologjia për ju?

Një thënie e vjetër thotë: “Zgjidh punën që do të bësh!” Në momentin që unë bëj një punë që më jep kënaqësi, nuk e ndiej lodhjen, përkundrazi është një formë e mirë shpërblimi ndaj pacientëve kur u vjen në ndihmë për problematikat që ata kanë. Kjo më motivon. Është një fushë me shumë problematika, dhe sa më e gjerë të jetë harta e problemeve, aq edhe më shumë duhet të investosh dhe të shqetësohesh për t’i zgjidhur ato.

Si ndiheni emocionalisht pas një pune të vështirë, por edhe të suksesshme?

Kënaqësia është e madhe kur vështirësia është e lartë. Në përgjithësi, në çdo lloj profesioni hyn edhe pjesa kur diçka bëhet rutinë, siç mund të jenë mbushjet apo pastrimet, por sadisfaksionin më të madh e kam te pjesa e kirurgjisë. Sa më i komplikuar të jetë rasti, aq edhe më i motivuar jam, dhe më i kujdesshëm gjithashtu!

Sa e rëndësishme është marrëdhënia me klientin?

Puna më e vështirë që na duhet të arrijmë, është heqja e frikës. Të gjithë vijnë në studio dentare me një lloj frike në koshiencën e tyre, që mund të vijë nga një traumë nga fëmijëria e tyre, ose prindërit që përdorin figurën e mjekut për t’i trembur. Ndoshta edhe vetë anestezitë e bëra pak dhunshëm, lënë siklet te pacienti, kështu që gjysma e punës është që nga ana psikologjike ne t’i përgatisim që ata të mos kenë frikë. Kjo është dhe puna më e vështirë, sepse në momentin që pacienti bëhet bashkëpunues, puna ecën vetë.

Keni pasur ndonjë pacient, të cilin sot mund ta keni edhe mik?

Ka disa procedura puna, që mbyllet në disa seanca, por që mund të zgjasin dhe në trajtime disamujore. Sa më të gjata të jenë takimet, aq më personale bëhet marrëdhënia me pacientët. Normalisht, ata që mbeten të kënaqur, është parim i yni i punës, bëhen klientelë, sjellin familjarët e tyre, shoqërinë… vjen natyrshëm afrimi shoqëror apo miqësor me ta.

Paraqitja estetike ndikon pozitivisht dhe rrit vetëbesimin. E ndjeni këtë te klientët?

Në përgjithësi, moshat e reja qasjen më të madhe në studiot dentare e kanë për estetikën, ndërsa moshat mbi 40 vjeç e kanë për anën funksionale, sepse me kalimin e viteve ndodhin edhe probleme të mëdha dentare, pasi vijnë nga amortizimi apo mungesa e dhëmbëve. Tani është bërë e udhës që duke rregulluar funksionimin, detyrimisht do të rregullohet edhe ana estetike. Moshat e reja janë shumë kërkues ndaj estetikës, gjë që unë e mbështes këtë pjesë te kërkesat e tyre, por duke ua plotësuar këtë dëshirë, kënaqësia është nga të dy palët. Ne për punën tonë, për atë çfarë kemi arritur të bëjmë (këtë e përcjellim në faqen tonë të internetit, si dhe në rrjetet sociale). Edhe pacienti merr atë që kishte menduar, madje në shumë raste, puna del më e arritur estetikisht se sa vetë pritshmëritë e pacientit.

Këshillat për një shëndet oral në praktikat ditore njihen, por çfarë mund të theksojmë më shumë?

Kujdesi dentar fillon që në mosha të vogla, kur mund të jetë kalcifikimi dhe fluorizimi i dhëmbëve, por kryesisht mund të mëshoj te higjiena e përditshme orale, sepse ka disa pacientë që mund të vijnë ta ndjekin në mënyrë konstante vizitën te mjeku, një herë në gjashtë muaj për pastrim gurëzash, por mjaftohen me aq. Kjo nuk është zgjidhje, sepse po nuk u kujdese për dhëmbin, ai do të vazhdojë në një drejtim negativ. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk mund ta ruajnë fluksin e larjes së dhëmbëve pesë herë në ditë, por mëngjesi para se të dalin nga shtëpia dhe darka, para gjumit, duhet të jenë vakte që nuk duhen shmangur asnjëherë për higjienën orale. Kjo gjë do të thotë: pastrim, higjienizim me kolutor dhe përdorimi i fijes dentare.

Çfarë ofroni në klinikën tuaj dhe ku qëndron çelësi i suksesit?

Një nga pikat tona më të forta është laboratori dentar. I mëshoj shumë kësaj pjese kur kemi vizita me pacientë të rinj, sepse tregu funksionon në mënyrë të tillë që dentisti bën pjesën më të madhe të punës, përgatit dhëmbët dhe pasi merr masat, i dërgon në laboratorin me të cilin bashkëpunon. Kjo nuk është një lloj mënyre që të ofron një garanci dhe zgjidhje të shpejtë kohore dhe cilësore. E kemi vuajtur në fillimet tona këtë dhe e pamë të udhës që të kishim laboratorin tonë dentar. 

Kjo na jep sigurinë që materialet që përdorim t’i zgjedhim të gjitha vetë, të cilat janë materiale gjermane të certifikuara e që i mbajmë në ekspozitor që të shihen nga çdo pacient e të ndihen të sigurt për materialin që i vendosim dhe për të gjitha diagnozat e vështira, është gjithmonë e nevojshme që laboranti të jetë i pranishëm e në bashkëpunim me mjekun të shohë si është diagnoza për riparimin e duhur të defektit dhe të rastit dhe e fundit, efekti kohë dhe çmim. Pretendojmë që kemi çmime të arsyeshme për cilësinë që ofrojmë, por edhe shpejtësi në kohë për nevojat e pacientëve tanë. Pa anashkaluar edhe elementin e garancisë që ofrojmë për çdo pacient.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top