Ka gjithmonë diçka të bukur në jetën tonë, për të cilën duhet të jemi mirënjohës e falenderues. është mendja jonë ajo që vendos pengesa, të cilat nuk shikojnë qartë çdo mundësi që është aty.
Arta Llana, psikologe klinike
Një varfanjak po ecte përgjatë rrugës, i dekurajuar dhe i trishtuar. Kishin kaluar vite që ishte lodhur në përpjekje për të ndryshuar jetën e tij. Ai u lut që të kishte ndihmë nga fqinjët e fshatit, ose dhe mundësinë për një punë që të jetonte me dinjitet. Filloi ta komunikonte me këdo që takonte, me shpresën se kur të bëhej i ditur problemi i tij, atëherë dhe të tjerët do dinin si ta ndihmonin.
Por ai gaboi. Një pjesë nuk ishte se ishin kopracë apo të pakujdesshëm. Vetëm se edhe ata ishin të goditur nga varfëria dhe mezi kishin mjaftueshëm të ardhura për të mbështetur familjet e tyre. Ndërsa pjesa tjetër ishte e mbizotëruar nga babëzia, egoizmi, e madje disa shkonin deri në cinizëm me deklarata të ndryshme.
Tani, rrugës për në shtëpi, mendjen e kishte tek xhepat e zbrazët dhe zhgënjimi i vazhdueshëm. Sytë i kishte me lot dhe këmbët i hiqte zvarrë, duke ecur kuturu. Nuk kishte ndierë as shiun që e kishte lagur komplet. Ashtu i dorëzuar, e gjeti veten të ulur tek fundi një peme. U mbështet atje dhe brenda shpirtit të tij dukej sikur kërkonte pak çaste lumturie, pak paqe edhe në kohën me shi.
Filloi të lutej. E la veten të lirë në mendime, pa u shqetësuar për asgjë. Pak më vonë doli dielli dhe iu gëzua rrezeve e ngrohtësisë që po i thante rrobat e lagura. Më tutje dëgjohej muzikë dhe filloi të kërcente, pse jo, askush nuk mund t’ia pengonte dëgjimin.
Papritmas, kuptoi se me sa duket kishte ecur në një terren tjetër që nuk mund ta shpjegonte dot as vetë, ishte diçka që vetëm mund të ndjehej, ashtu si era që vetem ndjehet dhe nuk shihet ose preket.
Ndoshta jam në ëndërr, mendoi ai!
Po shkoj në shtëpi – tha me vete – dhe të shoh çfarë mund të bëj ndryshe nga ato që nuk kam bërë deri tani. Ka aq shumë gjëra të bukura që mund t’i gëzohem jetës saqë trishtimi dhe varfëria m’i kishte zbehur e zvogëluar pothuajse gjithçka – mendoi ai.
Dhe shkoi punoi bahçen e tij, filloi të ushqehej me to, madje edhe të shiste kur tepronte diçka, filloi të pastronte dhe të rregullonte shtëpinë e tij duke i dhënë krejt pamje tjetër dhe të kërcenin dhe këndonin plot hare për shëndetin e tyre, të festonin për besimin që ende e kishin në zemër. Të mirat po fillonin të ndryshonin si me magji. Shtëpia po ndriçohej nga harmonia dhe paqja.
Ende dyshonte dhe vetë, nëse kishte qenë e gjitha një ëndërr ajo që i ndodhi atë ditë, dhe i shkreti e tregonte me sinqeritet kur e pyesnin në fshat se si ndryshoi gjendja e tij. Ai tregonte se gjithçka filloi të ndryshonte në një ditë me shi, kur ishte ulur diku në fundin e një peme. Nuk kaloi shumë kohë para se të ishte hapur fjala nëpër gjithë fshatin. Madje disa ishin kureshtarë se si mund të ishin aq të lumtur në familjen e tij, me aq pak gjëra materiale?!
“Sa fat i mirë,” – i thanë njëri-tjetrit.”
Le të shkojmë në të njëjtin vend dhe të marrim të gjitha të mirat që mori ky njeri. Madje mbase gjejmë edhe kohën me shi njëjtë sikur e kishte ky njeri.
Dhe u nisën secili sipas mendimit për interesat e veta personale. Disa pritën me ditë dhe nuk gjetën asgjë të veçantë, disa u acaruan pasi ndiheshin të vënë në lojë nga një varfanjak, disa të tjerë filluan t’i shtinin zilinë se aq sa ke arritur nuk ia vlen barra qiranë të marrim rrugën deri tek vendi ku bëhej fjalë, etj,.
Opsionet ishin nga më të ndryshmet. A duhej të dëgjonte sërish opinionet e atyre që u kishte kërkuar dikur ndihmë? A ia vlente, a do e ndihmonin? Apo do binte sërish në grackën e ziliqarëve?
Ai vazhdoi të kërcente muzikën e tij që i pëlqente dhe të shikonte bukuri atje ku nuk mundeshin dot të shikonin të tjerët. Ndihej i bekuar!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.