FB

May 5, 2022 | 12:10

“Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit”, kujtimet e fuqishme të një adoleshenteje në vitet ’70, betejat me varësitë e frikshme të kohës dhe kërkimit të vetvetes

Mesazhi i Kristianës për lexuesit thotë Publishers Weekly, është shumë i qartë: “Mos ndiqni rrugën time!”. Megjithatë, ajo gërsheton çaste të bukura gëzimi me tmerrin dhe frikën, duke sjellë një vështrim të thellë në kërkim të dashurisë dhe kuptimit mes kaosit të botës. Ndërsa The Guardian ndan këtë përshtypje: Kjo është historia ngjethëse jo vetëm e Kristianës dhe varësisë së saj nga heroina, por e një brezi të tërë fëmijësh të Berlinit Perëndimor që po vdisnin për shkak të një epidemie heroine.

2Kujtimet e fuqishme të një adoleshente, pre e abuzimit me drogën u përmblodhën në një roman-dokument, i cili dha një vërtetësi tronditëse që theu heshtjen mbi përdorimin e drogës nga të rinjtë. I pajisur me fotografitë reale të protagonistëve të historisë, vendeve ku mblidheshin, diskotekave dhe udhëkryqeve ku ishin të detyruar të prostituonin, ky libër është një autobiografi e jashtëzakonshme e Christiana Vera Felscherinow-it dhe adoleshentëve të tjerë të Berlinit perëndimor, në fund të viteve 1970.

Libri u botua për herë të parë në vitin 1979 nga gazetarët gjermanë K. Hermann dhe H. Rieck dhe nga protagonistja Christiane Vera Felscherinow. Ai lindi nga një sërë intervistash që gazetarët zhvilluan për rreth dy muaj me Christiane-n, e cila në atë kohë ishte e akuzuar dhe dëshmitare në një gjyq, që përfundoi në qershor 1978 me dënimin e saj për përdorim droge dhe prostitucion.

3

Romani ngjalli reagime të shumta në të gjithë botën, për shkak të moshës shumë të re të protagonistëve të përfshirë në xhiron e varësisë nga droga dhe prostitucioni. Vajzat dhe djemtë ishin futur në kthetrat e drogës qysh në moshën 12-vjeçare dhe nevoja për të siguruar paratë për blerjen e drogës i detyronte edhe të prostituonin. Kështu, Kristiana F. është katërmbëdhjetë vjeçe. Ka një baba të dhunshëm dhe një nënë të paaftë për ta mbrojtur. Një histori droge, prostitucioni dhe dhune. Në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, provon për herë të parë alkoolin, hashashin dhe LSD-në dhe gjithë përvojat e saj janë përshkruar me imazhe evokuese. Kristiana rrëfen pamjen e zymtë të prostitucionit dhe xhiros së ndyrë të drogës rreth e përqark stacionit të metrosë të Kopshtit Zoologjik të Berlinit, por lexuesit do të shohin edhe sensin e komunitetit që zhvillohet mes Kristianës dhe miqve të saj.

Pikiata e saj e shpejtë drejt abuzimit me heroinën dhe prostitucionit është tronditëse, por mërzia, nevoja për t’u pranuar nga të tjerët, rreziqet drithëruese, madje edhe fiksimet muzikore që mbushin jetën e Kristianës janë të njohura për shumë lexues. Ky portret i luftës së Kristianës nuk është vetëm beteja e saj kundër varësisë nga heroina, por është historia e një adoleshenteje që kërkon të gjejë vetveten dhe vendin që i takon në këtë botë.

1

Më 1981, romani u ekranizua me të njëjtin titull dhe filmi pati po aq sukses sa dhe libri. Gjithashtu, më 2021, në Amazon Prime është shfaqur një serial me tetë seri bazuar mbi këtë libër, por pajisur edhe me episode të tjera aktuale.

Christiane Vera Felscherinow (Hamburg, 20 maj 1962) nga një vajzë e re narkomane u shndërrua në një figurë simbolike kundër abuzimit me drogën, si dhe e problemeve të të rinjve në shoqërinë gjermane. Pas daljes së librit, u orvat t’i përkushtohej karrierës muzikore dhe ka bërë një jetë endacake. Vite më vonë, ra sërish pre e heroinës, pas së cilës iu nënshtrua një terapie çintoksimi. Jeton në Berlin dhe ka një djalë.

 

Fragmente nga libri

1) … Kjo shkollë po ma shpifte fare. Me mësuesit nuk kishim asnjë kontakt personal. Edhe lidhja ndërmjet nxënësve të klasës po bëhej gjithnjë e më e dobët, sepse secili ndiqte lëndë të ndryshme. Qëllimi ishte vetëm se si ta shkatërroje tjetrin. Askush nuk e ndihmonte shokun, secili donte të ishte më mirë për vete. Mësuesit i masakronin nxënësit, sepse kishin fuqinë për të dhënë nota. Ndërsa nxënësit provuan fuqinë e tyre mbi mësuesit që kishin zemër të mirë dhe nuk këmbëngulnin.

2) Në një moment, grupi sikur ngeci. Pisllëqet, pra, hashashi dhe trip-et nuk jepnin më efektin e duhur. Ishim mësuar tashmë me to. Në njëfarë mënyrë, gjendja jonë normale ishte nën efektin e hashashit apo të pilulave. Nuk sillnin më përjetime të reja. Gjithsesi, bëhej fjalë për të njëjtat gjëra: drogë, muzikë, trip-i i fundit dhe pastaj, gjithnjë e më tepër për çmimet e tregut për hashash, LSD dhe pilula të ndryshme. Shumicën e kohës isha aq dru saqë nuk më pëlqentetë flisja dhe doja të qëndroja vetëm.

3) Përveç kësaj, mjedisi “natyror” ofron pak natyrë dhe për rrjedhojë pak mundësi për zhvillim. Grupet më vulnerabël në shoqëri, fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit, janë drejtpërdrejt në mëshirën e kushteve të tilla shkatërruese të jetesës. Pas përfundimit të zhvillimit, pra, pas shfrytëzimit të truallit për ndërtim, në Gropiusstadt mungojnë ambientet e përshtatshme të lojës për fëmijët, ambientet e kohës së lirë për të rinjtë dhe të rriturit dhe, mbi të gjitha ambientet çlodhëse. Nuk ka parqe të mëdha, livadhe, pyje; thjesht asgjë ku fëmijët të lëshohen lirisht ose ku të rriturit të mund të dalin për shëtitje.

4) Logjika e qyteteve të tilla si Gropiusstadt-i bazohet në përfitimin e kapitalit dhe nuk është e orientuar drejt nevojave dhe kërkesave të jetës së njerëzve. Pasojat e mënyrës së jetesës së parafabrikuar që deri dje hamendësoheshin, tani po bëhen gjithnjë e më të qarta.

5) Vërtet befasues nuk është fakti se sa njerëz i përdorin ato, por sa nuk i përdorin pavarësisht problemeve të mëdha ekzistenciale. Kjo vlen veçanërisht për të rinjtë. Duke pasur parasysh situatën e tyre, nuk duhet të na habisë rritja e abuzimit me drogën, e kriminalitetit, e brutalitetit dhe e përhapjes së ideve fashiste midis të rinjve të klasës punëtore.

0

SKEDA

Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit

Autore: Christiana F.

Përktheu: Marsela Likaj

Zhanri: Autobiografi e romanizuar

Koleksioni: Skandal

Maj 2022

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top