FB

December 30, 2022 | 8:55

Ne jemi dhe vlerësohemi mbi atë çka paraqesim! / Njeriu e ka të vështirë të zbulojë të ardhmen, dhe më të vështirë e ka të njohë vetveten

Çfarëdolloj vlere, t’i japësh nderit, luksit, pozitës shoqërore, përsëri ato nuk mund të krahasohen me shëndetin dhe ta zëvendësojnë atë, kur ky,  mund t’i zëvendësojë ato pa ngurrim. Ekzistenca dhe mirëqenia nuk vlejnë asgjë, vlen vetëm ajo, që të tjerët mendojnë për ne.

000

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

 

Tacite, (Hist,IV. 6):  Zilia dhe urrejtja lindin nga e njëjta rrënjë.

Gëte: Për të nderuar të tjerët duhet të sakrifikohemi. Edhe te njerëzit e ditur etja për lavdi zgjat deri në skajin e fundit. Ndikimi i mirë që sjell tërheqja e përkohshme në vetmi, mund të sjellë paqen tonë shpirtërore, kjo varet për më tepër nga fakti që, ajo na sjell te vetvetja, duke na shkëputur nga jeta e jetuar para syve të të tjerëve dhe nga shqetësimi i pa reshtur  për opinionet e tyre.

Marrëzia e natyrës njerëzore, përbëhet nga tre elementë thelbësor:

Ambicia

Mendjemadhësia

Krenaria

 

Ambicia: (Për mirë) Dëshirë e fortë dhe synim këmbëngulës, për të bërë diçka me vlerë, që të ngre në sytë e të tjerëve dhe të shtyn përpara.

(Për keq) Dëshirë e fortë për lavdi personale, për pozitë ose për pushtet, synim për të dalë me çdo mënyrë mbi të tjerët, në përpjekje për të arritur një qëllim.

Mendjemadhësia: Është dëshira për të nxitur te të tjerët bindjen, se ne kemi vlera dhe në përgjithësi, është e shoqëruar nga dëshira, për të bindur edhe veten mbi këtë apo atë fakt.

Krenaria: Është bindja që kemi për vlerat tona superiore në çfarëdolloj kuptimi. Pra, krenaria është një vlerësim i lartë për vetveten që vjen nga brendësia shpirtërore e njeriut dhe prandaj është e vetvetishme.

d-4

Ndërsa, mendjemadhësia është dëshira për të arritur një vlerësim të tillë së jashtmi, pra tërthorazi. Prandaj: Mendjemadhësia, na bën llafazanë, kurse krenaria të heshtur.

Nuk është krenar ai që ka dëshirë të hiqet pak a shumë i tillë, madje ky individ  do të tradhtojë  shpejt veten, sikur të jetë duke luajtur në një rol.

Vetëm bindja e brendshme e vërtetë e fortë dhe e pandryshueshme si dhe e të qenit me cilësi superiore ose duke pasur  një kurajë të jashtëzakonshme mund të bëhemi  krenarë, pra këto cilësi duhet që të ekzistojnë në të vërtetë.

Krenaria, duke pasur rrënjët e veta në një bindje, nuk ka të bëjë më një akt vullneti dhe nuk varet nga ne. Duhet kuptuar se armiku më i madh i saj, madje pengesa kryesore për të është vullneti, i cili  përdor duartrokitjet e të tjerëve, për të formuar me ta vlerësimin e madh për vetveten.

Për krenarinë është kusht paraprak, që vlerësimi i lartë të ekzistojë dhe të jetë krejtësisht i qëndrueshëm. Në përgjithësi kritikohet njeriu krenar, por dihet se këtë e bëjnë njerëzit që nuk kanë asgjë me të cilën mund të krenohen. Ka dhe njerëz të tjerë, që këta i tallin apo i quan naivë, ose duan t`i venë në lojë. Këtyre njerëzve iu duhet treguar vendi, duke iu bërë prezent përpara syve zbrazësitë dhe mediokritetin, që ata të tërhiqen ndaj atyre njerëzve, të cilët meritojnë të jenë krenarë.

d-3

Lidhur me krenarinë, Horaci ka thënë: “Tregohu krenar sipas meritave të tua. Kush ka veti të rëndësishme personale, do t’i kuptojë shumë qartë të metat e shokut të vet, sepse e ka gjithmonë përpara syve”.

Përballë fyerjeve, duke u treguar i qetë, arrin që të bësh një vlerësim për vetveten. Po kështu, ndaj shpërfilljes dhe mungesës së qartësisë do të ishte më e mira të reagohej qetësisht dhe pa u nxehur, sepse mençuria dhe edukata na mësojnë, të ruajmë gjakftohtësinë dhe ta fshehim inatin.

Fyerjet janë si procesionet, kthehen gjithnjë në pikën e nisjes. Kështu, superioriteti i shpirtit do të fitonte më në fund, vendin e duhur në shoqëri të cilin tashmë e ka grabitur fshehtësish, superioriteti fizik.

Duke u përdorur forca fizike, si kafshëri, i jep të drejtën secilit të dhunuar t’i drejtohet organeve të drejtësisë, si dhe të apelojë çfarëdolloj vendimi që ka të bëjë me nderin. Çdo poshtërsi e kryer është një përdorim i vërtetë i kafshërisë. Forca shpirtërore ose e drejta morale, quhet si e pa mjaftueshme, nga ata që sillen si kafshë dhe vendin e saj e zë forca fizike. Kjo si sentencë ka: Përdorimin e shprehjes, “E drejta e forcës”, jo më pak ironike këtu gjen vend shprehja tjetër, “Shpirti i çmendurisë”.

Për t’i kuptuar më drejt këto mendime, iu referohemi disa thënieve të mençura:

Biseda më e mençur, përgjumet në veshin e kokëtrashit.

Fjala më e lumtur kthehet në një moçal, nëse ai që e dëgjon e ka veshin të shurdhër.

Është e kotë të veprosh atje ku s`ka interes, sepse çdo gjë do të mbetet e pa lëvizur.

Mos u dëshpëro, guri në ujin e kënetës nuk bën rrathë.

Lidhur me paaftësinë intelektuale të njerëzve Gëtia ka thënë: “Ajo që është e përkryer, njihet dhe vlerësohet akoma më pak se sa mund të gjendet”. Sigurisht, kjo shoqërohet si gjithmonë me çoroditje morale e cila shfaqet nën veshjen e zilisë. Sa më shumë që lavdia e ngre individin që e ka merituar atë mbi gjithë njerëzit e tjerë të së njëjtës racë, aq më shumë këto rezultojnë të zhvleftësuara. Ndaj, kush është i pajisur me talent  të pazakontë e fiton lavdinë në kurriz të atyre, të cilët nuk i kanë këto cilësi.

Pra, në çfarëdolloj forme të shfaqet superioriteti, ai nxit kundërveprimin e masës së pafundme të mediokërve, të cilët mblidhen menjëherë bashkë dhe në aleancë për të komplotuar, për të mos lejuar përparimin dhe për ta mbytur atë nëse është e mundur. Parulla e tyre e zakonshme është: “Poshtë vlerat”.

Sikurse mendimi tjetër, me lindjen e një lavdie të re, nuk shihet me sy të mirë as nga ata që kanë merita edhe se njihet zyrtarisht, sepse pranë vezullimit të ri, ylli i vjetër do të shkëlqejë më pak.

d-1

Nderi si rregull, vlerësohet drejt nga njerëzit dhe pa ndonjë kundërshtim, madje dhe deri apriori si besueshmëri për një njeri fisnik, ndërkohë që lavdia duhet të fitohet duke luftuar kundër zilisë dhe kryeneçësisë.  Ne, të gjithë duam dhe mund të ndajmë nderin me të tjerët, ndërsa lavdia do të zvogëlohej në një rast të tillë, madje sa herë që dikush e fiton, bëhet më se i vështirë për tu arritur. Përveç kësaj, vështirësia për të arritur lavdinë përmes veprave, qëndron në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e njerëzve që përbëjnë publikun.

Në këtë kontekst, mbetet gjithnjë me vend shprehja e thënë nga Osorio, te  “De Gloria”, që:  “Lavdia i largohet atij që e ndjek dhe ndjek atë që e le pas dore”, vërtet të parët i përshtaten shijes së bashkëkohësve të tyre, kurse të dytët e sfidojnë.

Nëse është e vështirë të arrish lavdinë, nga ana tjetër, s`është e lehtë të ruash. Dhe pikërisht këtu ajo dallohet nga nderi, i cili iu jepet të gjithëve bashkë me besueshmërinë, por me kusht që të ruhet, gjë që nuk është e lehtë, sepse për një veprim të padenjë, nderi bëhet i pakthyeshëm. Ndërsa lavdia në vetvete, nuk mund të humbasë, sepse veprimi apo veprat përkatëse qëndrojnë  të paluajtshme në përjetësi dhe autori i tyre vazhdon të mbetet i famshëm edhe pse ai nuk shton asgjë të re. Vetëm lavdia e rreme, humbet efektivisht edhe sikur autori të rrojë më tepër.

Lavdia ka të bëjë pikërisht me raportin, midis asaj çka jemi dhe asaj, çka janë të tjerët. Në këtë aspekt për ta kuptuar më mirë i referohemi thënies së Lesingut: “Disa janë të famshëm, të tjerët meritojnë të jenë”.

Nga pikëpamja e Eudemonologjisë, lavdia nuk është gjë tjetër, veçse kafshata  më e rrallë dhe më e kushtueshme për krenarinë dhe kryelartësinë e njeriut.

Lidhur me lavdinë disa filozofë shprehen:

Milton:Lavdia është shtysa që nxit mendjet e qarta (dobësia e fundit e shpirtrave fisnikë), për të përbuzur kënaqësitë dhe për të jetuar ditë të vështira.

Beattie: Sa e vështirë është të kacavirresh majave ku shkëlqen tempulli i lavdisë.

Jeta jonë është aq e varfër, sa që duhen ndarë të mirat me shumë kursim.

Lavdia, është si dardhat vjeshtake, që piqen ngadalë gjatë gjithë verës dhe vilen vetëm, kur bie dëbora e parë. Sigurisht, nuk ka kënaqësi më të madhe në pleqëri se sa të gjesh forcat e rinisë të mëshiruara në veprat personale e pra ato, nuk plaken si autori i tyre.

Mirësjellja (virtyt tipik i njerëzve të kulturuar), mund të përkufizohet kështu: Mirësjellja është një marrëveshje e heshtur, me të cilën shpërfillet mjerimi i zakonshëm moral dhe intelektual, duke mos ia kujtuar njëri-tjetrit, në këtë mënyrë do të kemi një përfitim të ndërsjellët.

Nëse mirësjellja është mençuri, rrugaçëria është marrëzi. Të bësh armiq me fyerje të kota është çmenduri, madje është njësoj, si t`i vesh flakën shtëpisë tënde.

Kush kursen vepron pa arsye, kush tregohet dorëlëshuar i arsyeshëm, jep prova mirëkuptimi.

Dylli i fortë dhe i thyeshëm nga natyra, me pak nxehtësi arrin përkulshmërinë, sa për t`i dhënë çdo formë që duam. Pra kështu, me pak mirësjellje dhe dashamirësi, mund të bëjmë për vete edhe njerëzit më të pabindur dhe kokëshkretë.

d-5

Sigurisht, mirësjellja është një detyrim i rëndë, sepse kërkon që të tregosh ndaj të gjithëve respektin më të lartë edhe ndaj atyre (të cilët përbëjnë pakicën), që heshtin ose shtiren, sikur ata marrin pjesë gjallërisht në një bisedë. Në të vërtetë duhet të pranojmë se, duhet të ketë oponencë dhe mendim ndryshe, por nga ana tjetër, s`duhet të gëzohemi që nuk shfaqin asnjë interes.

Të bashkosh, mirësjelljen me krenarinë do të thotë, të bësh një vepër të vërtetë.

Fyerja, që në fakt ka të bëjë vetëm me një shprehje mosvlerësimi, do të na cënonte shumë më pak, nëse nuk ushqejmë një opinion tërësisht të tepruar dhe një krenari pa vlerat për dinjitetin tonë. Në këtë aspekt do të krijonim një koncept më të qartë për të, kur secili nga ne të bëjë rregullsi, që të mendojë dhe ndjejë çdo gjë për të tjerët, si për vete, duke dëgjuar përgjigjen  e zemrës së vet.

Duhet të kemi parasysh gjithnjë faktin se, zakonisht mirësjellja nuk është gjithmonë një maskë që ngërdheshet, por nga ana tjetër, nuk duhet të bërtasim nëse kjo na hiqet për një çast. Kush është i pastër, në fund të fundit nuk bën gjë tjetër, veçse heq maskën dhe shfaqet sa më natyrshëm, ashtu siç është. Natyrisht, në këto kushte, o fitohet respekti dhe vlerësimi, ose urrejtja dhe përçmimi përpara njerëzve.

Nuk mund të merret askush, si model për sjelljen personale, meqë rrethanat dhe marrëdhëniet nuk janë kurrë të njëllojta, sepse dallimet e karakterit, gjatë të menduarit dhe të vepruarit japin  ngjyrime të ndryshme. Kur dy njerëz bëjnë të njëjtën gjë, nuk do të thotë se janë të njëjtë. Ndaj duhet të veprojmë sipas karakterit tonë, mbas një arsyetimi të matur dhe gjykimi të hollë. Edhe në praktikë, origjinaliteti është i pashmangshëm, ndryshe ajo që do të bënim nuk do të përputhej, me atë çka jemi.

Kur dëgjojmë marrëzitë e një diskutimi, ne fillojnë menjëherë të bezdisemi, kjo na shtyn të mendojmë se, bëhet fjalë për një skenë komedie, ku recitojnë dy të çmendur.

Kush ka  ardhur në botë me qëllimin e mirë dhe serioz për të mësuar, formuar dhe edukuar njerëzit për çështjet më të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë shoqërore, mund të quhet me fat dhe shans, sigurisht kur ka plotësisht të drejtën morale ta bëjë atë, në të kundërt, vështirë se  shpëton lëkurën e vet.

Kush kërkon që të t`i dëgjohet një mendim, duhet të flasë në mënyrë të qetë, të “Urtë”, duke përcjellë përvoja, që iu shërbejnë të gjithëve, në interes të së mirës së përgjithshme, duke iu larguar dëshirës dhe pasionit për të ekspozuar veten dhe për tu mburrur. Në këtë aspekt, asnjëherë nuk duhet ta lemë veten në krahët e vetmburrjes edhe kur ne kemi të drejtë.

Në përgjithësi, siç ka vërtetuar dhe vërteton jeta, njeriu është i suksesshëm dhe i respektuar, kur shfaqën dhe aplikon më tepër mendjemprehtësinë e tij,  nëpërmjet të të heshturit (të dëgjuarit), se sa duke folur.

E para, është vepër e diturisë.

E dyta, krijesë e mendjemadhësisë.

Të zakonshme janë rastet për tu sjellë, në një mënyrë ose në një tjetër, por ne, parapëlqejmë kryesisht kënaqësinë fluturake, që na jep e dyta, ndaj sigurisë, që na jep e para.

m

Duke ditur që njerëzit edhe kur shfaqin ndonjë mendjemprehtësi të veçantë e cila mund të jetë algjebrikisht e përkryer, duke iu referuar interesave personale, por kjo duhet parë dhe në aspektin tjetër, që edhe përmes një të dhëne të vetme, të zgjidhen probleme edhe më të koklavitura në interes të të tjerëve.

Njerëzit janë kaq të etur për të vërtetat individuale, sa janë të pa ndjeshëm dhe shpërfillës për të vërtetat e përgjithshme. Si pasojë e kësaj, mësonjësit e mençurisë rekomandojnë bashkërisht se, njerëzit së bashku me ngrohtësinë shpirtërore dhe argumentet e drejta, të ruajnë gjithmonë heshtjen. Kjo shprehet mirë në disa proverba arabe me mjaft vlera si:

Mos i thuaj mikut tënd atë,  që nuk duhet ta dijë armiku yt.

Nëse nuk e tregoj sekretin tim, ai është i burgosuri im dhe nëse më shpëton ai nga goja, unë bëhem skllavi i tij.

Në pemën e heshtjes, varet fryti i paqes.

Nuk duhet ushqyer as mëria as urrejtja në mënyrë të menjëhershme dhe ndaj askujt, madje është mirë ta shohim këtë me shumë vëmendje, duke  e ngulitur mirë në kujtesë veprimet e secilit, për të përcaktuar vlerat reale dhe të vërteta, për të marrë qëndrimin dhe rregulluar sjelljen ndaj secilit njeri.

Të flasësh me theks (ky rregull nga më të lashtët e botës  njerëzore), do të thotë: Tu flasësh ndjenjave dhe gjithçka do të shkojë ndryshe.

 

Si errësira dhe pasiguria i bëjnë rreziqet të duken edhe më të mëdha.

Vërtet, nëse të këqijat dënohen në botën e përtejme, marrëzitë ndëshkohen në këtë dynja.

Njeriu më i përkryer i botës është ai, që nuk nguron dhe që nuk bëhet kurrë mospërfillës.

Pas mençurisë, guximi është karakteristika më thelbësore e lumturisë sonë.  Sigurisht, asnjëra as tjetra, nuk mund të dhurohen.

E para trashëgohet nga nëna.

E dyta nga babai.

Megjithatë, mund të shijohet prania e tyre, duke i ushtruar dhe bërë përpjekje, për t`i arritur.

Niçe:Atje ku nuk me shtrihet caku i të drejtave, nuk me ha malli të shoh asgjë dhe ndaj tyre, jam krejtësisht i verbër. Por, në cakun që ngulmoj  të njoh, mundem të jem edhe i drejtë edhe i ashpër, i shtrënguar dhe  kërkimtar,i egër  dhe  i palëkundur.

Thellë në veten tonë, ne nuk duam asgjë përveç qenies dhe veprës  sonë, atje ku është e madhe dashuria për veten, ngurojmë të shumohemi.

Atje ku  njeriu nuk mund të dashurojë më, duhet të ikë në ndonjë vend tjetër.

Kush dëshiron të kuptojë gjithçka që është njerëzore, duhet t’i provojë të gjitha. Por për këtë duhet që duart të jenë të pastra.

Si  te dhembshuria dhe te butësia fshihet edhe ndonjë rrezik  i madh, por ama, të gjithë  njerëzit, duan të jenë të dhembshur dhe të butë.

Tri gjërat e këqija të botës janë:

Epshi

Ambicia

Egoizmi

-Epshi:  Kush mund ta kuptojë plotësisht, se sa të largët janë mes tyre,burri dhe gruaja.

-Egoizmi: Fre i egër, që iu vihet popujve të pagdhendur.

-Ambicia: Para syrit të së cilës njeriu zvarritet, kërruset, jepet dhe bëhet më i neveritshëm se sa derri dhe gjarpri, deri sa përbuzja  shpërthen nga ato britma: “Po vij me ty”.

Njeriu e ka të vështirë të zbulojë diçka, ndërsa më të vështirën  e ka të njohë vetveten.

Ai që nuk mund të komandojë vetveten, nuk mund t`iu bindet të tjerëve. Këta njerëz të tillë dinë të komandojnë, por nga ana tjetër iu duhet mjaft punë, që ata të dinë të binden ndaj mendimeve dhe veprimeve të të tjerëve.

Kënaqësia dhe pafajësia janë dy gjëra nga më të turpshmet, madje asnjëra nga këto të dyja nuk duhet të kërkohet, kur është kryer një veprim, që ka poshtëruar apo keqtrajtuar një njeri dhe aq më keq, kur ky është terrorizuar, masakruar dhe si pasojë ka humbur jetën..

Nuk duhet të vjedhësh, nuk duhet të vrasësh: Atëherë, unë ju pyes: Cilët janë cubat  dhe vrasësit më të tmerrshëm në botë se sa këto fjalë? A nuk ekziston në vetë jetën e njeriut, të vjedhurit dhe kryerja e vrasjes? Pra, duke i shenjtëruar këto fjalë të tilla, a nuk e vrasim të vërtetën?

Jeta është burim gëzimi: Patjetër është gëzim për ata njerëz që kanë vullnet luani, por kush është i lodhur dhe bën lëshime, hyn në lojën e dallgëve.

Sido që të jetë e keqja, që mund të bëjnë njerëzit e këqij, është më e tmerrshme nga të gjitha të këqijat, që mund të bëjnë njerëzit e  mirë.

Më mirë të mos dish asgjë, se sa t’i dish ato në mënyrë gjysmake.

Sot bëhen zotë karavidhet, ata që predikojnë të gjitha mënyrat  e mashtrimit, të kujdesit për të pasur në tutelë, të zellit për të bërë prapësitë, të respektit për lëmoshat e dhëna nga përfitimet e pa drejta  e të gjitha poshtërsitë që pjell virtyti meskin. Këta  krimba dy këmbësh janë rreziku më i madhpër mbi Njeriun.

Asgjë nuk vlen më shumë (e cila është e rrallë), se sa norma etike e çiltërsisë.

Më mirë të çmendesh nga gëzimi, se sa nga hidhërimi.  Më mirë të vallëzosh  me ngathtësi, se sa të jesh i çalë. Këtë të vërtetë po jua them kështu: E keqja ka dy anë të mira dhe një krijesë e mirë,  ka dy këmbë për të vallëzuar, mësoheni këtë o njerëz, për të qëndruar në këmbë.

Fjalë të urta:

Miq dhe armiq të përhershëm nuk ka, vetëm interesat janë të përhershme. (Amerikane)

Ashtu si gjarpri,  po nuk ndërroi lëkurënngordh dhe njeriu e ka të domosdoshme të ndërrojë mendimet  dhe idetë e tij në jetë.

Dallimi  midis të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes është vetëm një iluzion. Koha nuk është  fare ajo që duket. Ajo nuk rrjedh vetëm në një drejtim, sepse e ardhmja ekziston në të njëjtën kohë me të kaluarën.

Përpiqu të dish cili je. Sokrati

I përcjell këto mendime në mënyrë përmbledhëse, ku secili lexues i thjeshtë e derisa ata që merren me formimin shoqëror, për të gjetur diçka të drejtpërdrejtë nga “Urtësia” e njerëzve të mëdhenj në këndvështrimin:“Ajo çfarë paraqesim”.

Gjithsesi, nga ana ime është një përpjekje që njerëzve t`ju ofroj diçka nga fusha e filozofisë dhe sidomos nga fusha e filozofisë morale apo etikës.  Sigurisht jo si qëllim në vetvete, por për tu ballafaquar dhe reaguar nëpërmjet reagimit për atë çka na mungon, në qëndrimet, sjelljet etike, marrëdhëniet dhe komunikimin me të tjerët, përfshi këtu familjarët, shoqërinë, institucionet etj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top