Në fokus

January 30, 2019 | 14:35

Në jetë meritojmë të duhemi, respektohemi, vlerësohemi!

Në qoftë se ka një gjë që është e qartë për mua në këtë jetë, është se meritoj të duhem, të vlerësohem dhe respektohem, gjë e cila nuk më klasifikon në të qenit njeri egoist. Përkundrazi, kjo është ajo që më thërret së brendshmi si një shpirt i lirë, të jem në gjendje t’i buzëqesh jetës dhe që zemra të gjejë vendin e duhur në botë.

T’ia përsërisim këto fjalë vetes shpesh me zë të lartë nuk është një shenjë marrëzie, dhe aq më pak mendjemadhësie. T’i thuash dhe të jesh i bindur se e meritojmë të duhemi, sikur të ishte gjëja më e bukur që një person tjetër ka parë ndonjëherë, na pasuron. Të qenit i respektuar dhe i vlerësuar nuk është privilegj: është e drejtë që gjithkush e ka. Kush meriton ta duan, duhet edhe të jetë në gjendje të dashurojë sipas mënyrës së vet, të dijë të njohë personin tjetër si pjesë të vetën. Është një akt lirie dhe shprehjeje personale që na bën të mëdhenj dhe që të gjithë e meritojmë ta jetojmë.

Të gjithë meritojmë të na duan, duke nisur nga familja, më pas miqtë, dhe natyrisht edhe nga partneri, i cili duhet të jetë i aftë të na falë dashuri të vetëdijshme, të pjekur dhe reciproke. Nuk ka gjë më të denjë dhe nuk ekziston parim më themelor për një qenie njerëzore sesa të ndihet i dashuruar, i vlerësuar dhe i respektuar.

Përgjatë rrugëtimit personal, gjej dritën, jo stuhitë!

Kush sjell me vete stuhi dhe ditë dimri, nuk di të dashurojë dhe vlerësojë plotësisht veten. Kush mban mbi vete parehati, indiferencë, pamjaftueshmëri, është një mjeshtër i vërtetë i palumturisë dhe askush nuk meriton të trajtohet në atë mënyrë. Askush nuk duhet të përjetojë zbrazëtinë dhe të mos dashurohet e të mos shpërblehet për këtë ndjenjë. Dashuria që njeh dhe vlerëson fëmijën, partnerin apo mikun, na ofron rrënjët ku të rritemi e tek të cilat duhet të kapemi fort me tokën që të mund të lulëzojmë në harmoni si brenda dhe jashtë.

Dashuria për veten është padyshim një bazë themelore, por duke qenë se jetojmë në kontekste të caktuara sociale dhe kemi nevojë për të krijuar lidhje të ndryshme, është thelbësore edhe të mos harrojmë asnjëherë aspektet e mëposhtme:

  • Dashuria për veten është ajo që na thotë se si meritojmë të na duan: duam një dashuri pa lot, plot me fjalë të sinqerta dhe jo ironike, duam afërsi dhe bashkëpunim, dhe jo rrjeta që na manipulojnë dhe as një dashuri plot me vuajtje apo që na burgos.
  • Dashuria për veten na thotë se meritojmë respektin, që askush nuk ka të drejtë të na diskriminojë ne apo fjalët tona, sepse e dimë që fjalët fyese apo gënjeshtrat dëmtojnë. Për këtë arsye evitojmë ata që i thonë, mbrojmë dhe vendosim kufij.
  • Dashuria për veten na kujton edhe që meritojmë të vlerësohemi për atë që bëjmë, për atë që jemi dhe që nuk bëhet fjalë për egoizëm. Sepse kush i jep vlerë pranisë sonë, tregon që na do, ndaj t’u japësh vlerë njerëzve do të thotë t’i japësh atyre një vend në botë! Do të thotë, t’u japësh atyre një zë, një prani, një vlerësim…

Të duash dhe të ndjehesh i dashuruar

Edhe pse i dimë se cilat janë limitet që duhet të vendosim në jetën që të tjerët të mos i thyejnë të drejtat tona, është e rëndësishme të mbani mend se, ashtu siç kërkojmë të na duan, vlerësojnë dhe respektojnë, ashtu dhe ne duhet të ofrojmë të njëjtën gjë. Në botën e emocioneve, ekzistojnë dy humnera nga të cilat është e pamundur të dalësh: e para, mos të të duan kur dashuron dikë me intensitet, dhe e dyta, të mos dish të duash atë që të do vërtetë. Nëse doni që t’ju duan, duhet të mësoni të dashuroni në një mënyrë më të përulur, të sinqertë dhe të ndërgjegjshme. Hapeni zemrën dhe sytë, mos dashuroni verbërisht, jepni gjithçka për të tjerët, por kërkoni të merrni gjithashtu të njëjtën.

Të duash dhe të jesh i dashuruar mund të jetë një nevojë, një vlerë që karakterizon qeniet humane. Duhet të jemi në gjendje t’i duam të dashurit e zemrës dhe të dimë se si të marrim afeksionin prej tyre e ta vlerësojmë. Asnjë prind nuk duhet t’ia mohojë përkëdhelitë fëmijës dhe asnjë partner nuk e kupton marrëdhënien e tyre me përjashtim të gjesteve të vogla në përditshmëri, të cilat ndërtojnë dashurinë, pasionin, admirimin që shpërblehet gjithmonë.

Të duash në mënyrë të vetëdijshme dhe të matur, do të thotë të vlerësosh tjetrin për atë që është, do të thotë ta njohësh si pjesë të jetës, e cila përbën dhe një pjesë të pazëllit tonë emocional, jetësor dhe personal. Dhe pa dyshim, të gjithë e meritojmë një dashuri që na ofron lumturi dhe jo trishtim, një ndjenjë të sinqertë që na shtrëngon fort dorën dhe që na bën të na largohen frikërat dhe pasiguritë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top