Lifestyle

May 20, 2016 | 7:44

Në kërkim të krijimit të një figure

2Kjo hyn… dhe gjithçka shohin të tjerët tek ajo (për momentin) është një model i thjeshtë flokësh, truk natyral, një veshje e këndshme, shumë e përshtatshme për rastin, e matur, joekstravagante dhe njëkohësisht joshëse për shumë sy. Fundja, këtë kërkojnë femrat, pak vëmendje… fare pak… Dhe, nëse dikush e bën me thjeshtësi dhe ia del, atëherë pse disa zgjedhin të jenë ekstravagante?!… Apo mos ndoshta sepse me versionin e thjeshtësisë nuk ia dalin të kenë të shumëkërkuarën “vëmendje”…

Në ndjekje të stilit

Të ndjekësh një stil është shumë e thjeshtë, mjafton ta gjesh atë. Rruga për tek stili personal është mjaft e gjatë, madje duhet të kalojë adoleshenca dhe mosha e rritur e hershme, derisa mes profesionit të zgjedhur dhe dinamikës së jetës ti zgjedh që të shfaqesh në këtë apo atë formë. Pra, rruga drejt paraqitjes së përsosur nuk është e lehtë. Dhe më besoni, nuk është çështje marke apo modeli, është thjesht përshtatje e veshjes me personin që e vesh. Për këtë arsye ne jemi vazhdimisht në kërkim të stilit tonë dhe kur e gjejmë, nuk e ndërrojmë më (pothuajse)… sepse kemi gjetur tashmë grupmënyrat tona të veshjes dhe paraqitjes, duke pasur për zemër disa modele dhe duke vulosur se nuk do t’i vishnim kurrë disa të tjera (po kurrë ama).

Ndryshimet radikale në look, lojë apo “kurë”…?

“Më lër të të shoh gardërobën, të të them se cili je!” Pak a shumë kështu… dhe do të priremi të besojmë se mënyra sesi vishemi, reflekton mënyrën se si ne ndihemi me veten tonë. Po mënyra se si ndryshojmë, çfarë na tregon për veten?! Është kjo një mënyrë për t’i thënë botës se sa unik dhe të veçantë jemi, apo thjesht po fshihemi pas rrobave, markave, look-t apo makiazhit?! Prandaj, çështja është: të jeni besnike të një stili dhe të luani “butë”, apo preferoni lojë “të rëndë” për të kuruar mungesat e brendshme dhe gjithfarë moskënaqësish… Zgjidhni! Pa dashur t’ju nxjerr “kartelat”, më lejoni t’ju përmend këtë shprehje: “Ndonjëherë, një grua e mbushur me shumë pasiguri profesionale dhe emocionale, do të rreket të gjejë vetëbesim dhe pavarësi vetëm në sensin e saj të look-ut dhe veshjes. Kjo është një fatkeqësi, sepse moda nuk mund të shërbejë kurrë si zëvendësuese e guximit dhe karakterit”. Loretta Young

Të ndryshosh shpesh, duhet dhe s’duhet tek: Artistët dhe njerëzit e skenës duket se e ndiejnë si domosdoshmëri të ndryshojnë në mënyrë radikale për të rënë në sy dhe njëkohësisht për të mos u bërë monotonë për sytë e ndjekësve të tyre (sidomos kush nuk është 100% i pozicionuar). Njerëzve nëpër pozicione të spikatura, ua ndalon profili profesional të ndryshojnë shpesh (duke qenë se janë tashmë model për t’u ndjekur, ndryshimet e shpeshta do të vinin në rrezik besueshmërinë), sepse personalisht mendoj se ndryshimet e shpeshta dhe radikale janë karakteristike e adoleshentëve në kërkim të vetes dhe njerëzve “të sëmurë” për vëmendje dhe konfirmim nga të tjerët.

Look-u, si pasaportë socializimi

Mënyra se si vishemi, ndikon në kategorizimin në shoqëri. Nëse jemi në market, shkollë, punë apo në “xhiro”, ne gjykohemi për pamjen tonë. Ndoshta gabohemi që gjykojmë për së jashtmi, por ky është fakt. Duhet ta pranojmë që veshja (pamja) është një pasaportë, një rrugë kalimi për tek ajo portë që rezulton të jetë pranimi (apriori). Pranimi në një grup të cilin ti ndjen se i përket, por nëse pranimi bëhet vetëm dhe ekskluzivisht nëpërmjet looku-t dhe veshjes, atëherë kemi arsye ta quajmë këtë grup paksa sipërfaqësor…hmm.

Mungesa e ndryshimit dhe vetëkënaqësia

Në të kundërt, me të drejtë, besojmë se një femër që nuk e ndryshon lookun, ndihet e pranuar dhe e kënaqur në tërësinë e saj dhe nuk ka nevojë të përdorë imazhin në përpjekjet për socializim. Të zgjedhësh t’i rrish besnike një stili, tregon një lloj qëndrueshmërie. Të krijuarit e imazhit fiks nënkupton që ke eksperimentuar dikur dhe ke ndaluar tashmë (mund të kenë një profesion që nuk ua lejon shumëllojshmërinë dhe eksperimentet). Kujdes! Ndonjëherë rutina dhe punët e përditshme mund të të ndalojnë të kujdesesh për veten dhe në këtë rast me të drejtë quhet “shpërfillje” e vetes.

 

Këshilla

Mos u bëj pre e “dukjes”; ajo ka vlerë, por kurrsesi aq sa mendon ti.

Moda ikën, stili mbetet (mendo të krijosh stilin tënd).

Të vishesh mirë është çështje disipline, dhe disiplina është diçka që ne e mësojmë gjatë jetës dhe edukimit tonë.

Sigurisht që duhet të kemi respekt për modën dhe look-un, por asnjëherë të mos i ndjekim verbërisht.

Ka çështje edhe më të rëndësishme se fasada.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top