FB

December 20, 2023 | 6:06

Në kërkim të një bote më të mirë

Nga Manjola Ereqi

Çdo qenie njerëzore është në kërkim të një bote më të mirë. Njerëzit janë aktivë dhe intensivisht të impenjuar në zgjidhjen e problemeve. Dhe, nëse nuk ka asnjë dyshim për presionin e jashtëm, më i rëndësishëm është fakti që njerëzit, në kërkimin e një bote më të mirë, gjejnë, shpikin e transformojnë ambiente të reja, për të jetuar mirë me të tjerët e për t’i bërë ata të ndihen mirë në këtë mijëvjeçar të ri.

128-1000x600

1.Sa herë që të tjerët bëjnë ndonjë gjë që ju pëlqen, edhe nëse është një gjë e vogël, si t’ju sjellin kafenë në tavolinë apo t’ju lënë radhën në dyqan, apo të bëjnë mirë diçka që duhet ta bëjnë se është puna e tyre, thuajani. Mos e humbni rastin t’u bëni të tjerëve një kompliment të sinqertë dhe të falënderoni me një buzëqeshje.

2.Sigurohuni që të tjerët ta kuptojnë mirë atë që thoni. Kontrolloni nëse e keni kuptuar mirë atë që të tjerët ju kanë thënë e atë që ata ndiejnë. Për shembull, mund të thoni: “Do të doja të jem i sigurt se jam shpjeguar mirë. Më thoni që e keni kuptuar me fjalët tuaja”. Ose mund t’i pyesni: “Më jepni një shembull, ju lutem”. Ose: “Më duket se nuk jeni mirë, sepse ju thashë… e kuptuat mirë?”.

3.Nëse duhet t’i thoni dikujt diçka për çfarë ka bërë dhe nuk ju ka pëlqyer, kritikoni sjelljen specifike dhe jo atë si njeri. Mos iu referoni rregullave të përgjithshme morale, por mënyrës sesi ndiheni. Në këtë mënyrë është më e lehtë që në të ardhmen ai person të sillet ndryshe. Gjithsesi, do të shmangni fyerje dhe grindje.

4.Për shembull, një baba duhet të mundohet të mos i thotë djalit: “Je i vetmi njeri që nuk di të sillet si duhet. Asnjë njeri normal nuk u bën bisht kështu detyrave”. Por, në të kundërt, mund të thotë: “Jam i zhgënjyer se nuk i ke përmbushur detyrat e tua. Çfarë mund të bëjmë që kjo gjë të mos ndodhë më në të ardhmen?”.

5.Mundohuni që një miku, i cili ka dëshirën të vazhdojë t’ju frekuentojë, edhe pse ju ka zhgënjyer dhe nuk është besnik për bisedat që bëni, të mos i thoni: “Je një njeri që nuk të zihet besë dhe një maskara. Më ke mërzitur më të vërtetë”. Do të ishte më mirë t’i thoni: “Jam i inatosur me ty sepse nuk di të ruash sekretet, edhe pse të kisha kërkuar të mos ia tregoje askujt. Më thuaj se çfarë ke ndër mend të bësh për ta rregulluar këtë gjë”.

Për t’u ndier mirë me veten

6.Bëj me të tjerët gjërat që lexuat më sipër. Ndihmojini të ndihen mirë. Është ndoshta mënyra më e mirë për t’u ndier mirë me veten.

7.Mos rrini shumë duke menduar se cili jeni në të vërtetë dhe se çfarë doni të bëni në të ardhmen. Të gjithë jemi shumë gjëra varësisht fazave të ndryshme të jetës e rrethanave dhe duam shumë, ndoshta shumë gjëra. Për shembull:

  • Pas një viti, dua të kem të paktën dy miq të vërtetë;
  • Brenda tre viteve dua të ndryshoj punë;
  • Dua të mësoj të kërcej vallëzime latine;
  • Dua të bëj pjesë në një grup vullnetarësh;
  • Brenda një viti dua të rilexoj mirë “Ungjillin” ose të lexoj të paktën tre libra të Bertrand Russell.

Dhe filloni të mendoni se çfarë duhet të bëni për t’i përmbushur këto objektiva.

8.Kërkoni shoqërinë dhe ndihmën e të tjerëve. Edhe ju mund të gjeni njerëz, të cilëve mund t’u besoni dhe me të cilët mund të ndiheni mirë. Nëse jeni në vështirësi apo dëshironi të përmirësoni cilësinë e jetës, merrni në konsideratë mundësinë të regjistroheni në një iniciativë të tipit grup ndihme apo grup vullnetarësh. Nëse keni domosdoshmërinë dhe mund t’ia lejoni vetes, gjeni një shoqe apo një mik me të cilin të dilni shëtitje apo të bëni blerjet e muajit apo t’ju shoqërojë atje ku dëshironi të shkoni.

9.Mësoni të bëni diçka sa më mirë. Zakonisht njerëzit mendojnë se të mësojnë diçka është e lodhshme dhe e mërzitshme. Nuk është e vërtetë. Nëse jeni ju që zgjidhni ta bëni këtë gjë, zakonisht është shumë e këndshme. Përveç kësaj, pasuron edhe personalitetin tuaj, ndihmon që të bëni njohje të reja e miq të rinj dhe ndoshta edhe të gjeni një punë apo të përmirësoni pozicionin tuaj në punën që bëni. Filloni menjëherë. Për shembull, mund të mësoni ta bëni më mirë punën tuaj, të gatuani receta të reja, të kërceni, të përdorni internetin, t’i bini një vegle muzikore, të flisni një gjuhë të huaj etj.

10.Një nga përparësitë e shoqërisë ku jetojmë është që çfarëdolloj gjëje që duam të mësojmë, zakonisht mund ta gjejmë vendin se ku mund ta mësojmë. Janë vende të zakonshme, për shembull, kurset e gjuhëve të huaja. Janë të shumtë, e gjenden pothuajse në çdo lagje.

11.Jini aktiv. Ushtrimet fizike mund të ndihmojnë shumë nëse ndiheni të trishtuar apo në ankth. Gjeni diçka që ju pëlqen (të shëtisni, të ecni me biçikletë, të notoni, kërceni, të bëni sport) dhe bëjeni rregullisht këtë gjë.

12.Mos mendoni shumë për gjërat e pakëndshme të së kaluarës. Mësoni nga gabimet që keni bërë, por shihni drejt së ardhmes. Njerëzit që kanë vuajtur e kanë gabuar dhe ia kanë dalë mbanë janë shpesh shumë të interesuar për ato që kanë pasur gjatë jetës. Mendoni sesi do të donin që të ndiheshin njerëzit që ju kanë dashur dhe i keni dashur.

13.Pranojeni veten për atë që jeni dhe për atë që doni të bëheni. Përveç se në raste ekstreme, është një privilegj shumë i madh vetëm fakti që merrni frymë, admironi agime e perëndime, shijoni aromën e luleve, luani me një fëmijë apo një qenush. Ta pranoni veten ndihmon për t’u bërë më të mirë dhe të mbroheni më shumë ndaj padrejtësive të shoqërisë. Mos jini shumë perfeksionistë. Kujtohuni që është më mirë të veproni, edhe me ndonjë pasaktësi, se sa të bëni pak ose fare, se sa të prisni të veproni më mirë se të tjerët.

14.Mos e vrisni shumë mendjen për gjykimet negative të të tjerëve. Mendoni për vlerat tuaja dhe për objektivat që i keni vënë vetes. Ata që nuk ju respektojnë, kanë probleme me veten.

15.Mos pini alkool ose pini me karar. T’i drejtoheni alkoolit për të zgjidhur apo për të harruar problemet ndihmon për momentin, por më pas nuk bën gjë tjetër veçse i përkeqëson gjërat.

Dhe në fund:

  • Mendoni çdo ditë: “Çfarë mund të bëj sot që të kem një çast harmonie?”, “Si mund të jem e nevojshme për të tjerët?”
  • Dhurojini vetes dhe të tjerëve ndonjë buzëqeshje më shumë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top