Në fokus

March 10, 2018 | 9:22

Në luftë për mbijetesë, nënë e bijë bëjnë apel për ndihmë

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuam drejt Shkupit, drejt një shtëpie që veç e tillë s’mund të quhet. E improvizuar me dërrasa, kartonë e plastmasë, ajo shërben si strehë për nënë e bijë.

Barraka mund të shembet nga momenti në moment dhe nënë e bijë që jetojnë atyre, u duket sikur orët i ka të numëruara. Historia e Shkupit që u bë virale në rrjetet sociale sapo u publikua në TV21 të Shkupit, kësaj here vjen në emisionin e “News24”. Është historia që tronditi gjithë shqiptarët atje, të cilët vërshuan me mesazhe në faqen e “Facebook” të “Shqiptarët për Shqiptarët”, dhe të Elvis Naçit për t’i ardhur në ndihmë familjes.

Adriana 38 vjeç, rrëfen dramën e jetës së saj, një dramë që ka nisur që kur ishte 7 vjeç, kur e ëma e la jetime. Vitet që do të vinin më pas do t’i sillnin asaj veç vuajtje e mjerim.

“Këtu jam rritur, nëna më la kur isha 7 vjeç, vdiq nga zemra. Babai u martua, jetova me njerkën e cila ndërroi jetë edhe ajo. Ma la vëllain 7 vjeç dhe motrën 3 vjeç me sindromën Down. I rrita me babin të dy. Më vdes edhe babi më la motrën dhe vëllain. Isha vetëm 23 vjeç kur më ndodhën këto. Jam bërë nënë dhe babë për të vegjlit. Në vitin 2004 u martova linda një vajzë, sot është 11 vjeç. U ndava me burrin. Kushtet i kam shumë të vështira, natën nuk fle, vajza ka frikë, jeton e stresuar. Dua t’i plotësoj dëshirat por nuk mundem dot, nuk kam fuqi. Veten e lë pa bukë për t’i plotësuar asaj nevojat që ka. Na ka ndodhur që për tre ditë rresht nuk kam futur bukë në gojë, për t’ia dhënë vajzës. Ia kam dhënë pjesën time. Nuk e di si është dashuria prej prindërve, nuk kam ndier kurrë ngrohtësi”, rrëfen mes lotëve dhe ngashërimit Adriana.

“Babi më vdiq në duart e mia, amaneti i tij i fundit ishte mos i lërë vetëm fëmijët. E çova në fund amanetin e babit tim”, thotë ajo.

Adriana është nënë e një vajze 11-vjeçare, të cilën asnjëherë s’do të donte ta shikonte duke qarë e vuajtur. Por Belkisi e përjeton shumë realitetin e hidhur që e rrethon. Vajza jeton me frikë çdo ditë.
Mësimet i bën në dhomën e saj të errët, që gati po i bie në kokë.

“Kur të rritëm dua të bëhem mjeke, dua të ndihmoj njerëzit që kanë nevojë”, thotë ajo e përlotur.
Lotët mezi e lënë të flasë. Drama e saj është e madhe dhe supet e njoma janë rrahur me shumë dallgë të jetës. Thotë se njerëzit mbledhin para për to për të blerë ushqime.

“Kur qan mami unë mërzitem shumë, e përqafoj. Mami e heq ushqimin nga goja, ma jep mua”, thotë vajza. “Lus Zotin të kem ushqim, dhomën time, këto dua të më plotësohen”, shprehet Belkisi e mbytur në lot.
Me zemër në dorë, nënë e bijë apelojnë për ndihmë.

“Rrimë pa gjumë themi po sikur të na zërë kulmi dhe të na gjejnë të vdekura brenda. Nuk e kam të lehtë, kemi vërtetë nevoje për ndihmën e shqiptarëve, për ndihmën e njerëzve human. I lus nga zemra të na ndihmojnë sa më shpejt. Bëjeni për hir të kësaj vajzë”, thotë nëna Adriana në apelin e saj për ndihmë.

“Sa shumë e kam mbajtur veten që mos të stresoj vajzën me hallet e mia, por nuk mundem më. Nuk mundem më, ja shpërtheva. Lus Zotin të ndodh një mrekulli të shikojmë një ditë të bardhë, jeta jonë ka qenë vetëm terr vetëm zi. Nuk po mundem dot më. Jeta më ka dëshpëruar. Ishalla nuk del lajmi se kjo shtëpi është rrënuar”, thotë Adriana që nuk e mban dot veten nga dëshpërimi i thellë që po përjeton.

“Kurrë gjë nuk duam, veç të kemi shtëpi, të hamë ushqim”, thotë vajza.

Burimi / http://www.balkanweb.com

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com