Dëshmi

April 16, 2022 | 9:40

Në shtëpinë e një besimtareje te re, ku besimi në Zot nuk është një sakrificë, por një e drejtë shpirtërore!

Nga Katerina Isufaj

Jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit për besimtarët myslimanë, muajin e sakrificës, i cili shoqërohet me 30 ditë agjërim dhe lutje. Suada Pirro, një vajzë e re, ambicioze për jetën, rrëfehet për rrugëtimin e saj krah fesë islame. Studentja Pirro rrëfen se si po i kalon këto ditë të veçanta, ku përpos agjërimit ndjek dhe studimet në universitet.

316-pai4147-eye

INTERVISTA

Si u gjendët në këtë ritual besimi dhe sa vite keni që agjëroni?

Kam nisur të agjëroj që në klasë të tetë. Jam gjendur në këtë rrugë duke u rritur me frymën fetare të Islamit. Për mua, besimi në Allah është një nga gjërat më me vlerë që unë di të bëj, ndoshta për dikë tjetër nuk është kështu, por mënyra se si unë kam mësuar dhe kam besuar që e vogël, më bën që ta cilësoj si diçka shumë të rëndësishme.

 

Jeni një besimtare praktikante, apo shpirtërore?

Plotësisht shpirtërore. Jo domosdoshmërish unë praktikoj çdo ritual, por besimi brenda meje tejkalon çdo gjë. Ndonjëherë veprat nuk tregojnë atë çfarë ti ndjen vërtetë.

 

Pse nuk e praktikoni shaminë apo veshjet karakteristike?

Momentalisht kam zgjedhur që të mos vendos shami, por ndonjëherë e mendoj që në të ardhmen pse jo. Pastaj, vendosja e shamisë nuk “simbolizon” thjesht pjesën e mbulimit, por ka edhe disa kushte që duhet t’i mbash dhe t’i zbatosh më pas.

 

Po në xhami shkoni, apo zgjidhni të meditoni në mëvetësinë tuaj?

Edhe pse jo shpesh, xhamia mbetet vendi ku unë e kam për nder të lutem. Fundja, është shtëpia e lutjeve tona.

 

Këtë muaj sakrifice dhe lutjesh po e kaloni vetëm apo me familjarë?

Po e kaloj me familjarët, ne agjërojmë si familje.

 

Cilat janë ritualet e këtyre ditëve?

Për shkak të angazhimit në shkollë dhe në punë, këto ditë janë pakëz të lodhshme, por In Shaa Allah këto sakrifica të vogla që po bëj uroj të më shpërblehen. Unë ngrihem në syfyr së bashku me familjen, duke ngrënë ushqime të lehta për trupin: vezë të zier, një gotë qumësht dhe fruta. Kur kthehem herët në shtëpi, ulem dhe lexoj Kur’an, dëgjoj ilahi apo ndonjë dijetar që na jep mësime mbi fenë. Më pas, nis dhe përgatis iftarin. Hapjen e iftarit e bëjmë me hurma arabie. Gjatë kësaj, bëjmë ‘Dua’ (lutje) të gjithë bashkë dhe kështu mbyllet një ditë agjërimi.

 

Çfarë të bën ty si vajzë e re të besosh në fe?

Fryma me të cilën jam rritur, historitë që kam mësuar mbi Allah-un, predikimet e fesë sime, të gjitha këto e kanë bërë tashmë fenë islame pjesë të pandashme të rrugëtimit tim.

Si i përballon ditët pa pirë ujë apo pa konsumuar diçka? Është e lehtë apo e vështirë?

Ndryshe nga mendimi i shumicës, agjërimi nuk është aspak i vështirë dhe i lodhshëm, të paktën për mua. Në momentin që ti i beson asaj feje, je tashmë pjesë e saj, duke pranuar dhe zbatuar me kënaqësinë më të madhe çdo ritual. Nuk është e vështirë te pjesa e ushqimeve, pasi trupi yt është mësuar. Madje, edhe kur shikoj të tjerët duke ngrënë apo pirë gjatë ditës, e kaloj fare thjesht. Nuk më bën përshtypje.

 

Prej sa vitesh agjëroni dhe kush ju ka treguar për këtë rrugëtim të shenjtë për besimtarët myslimanë?

Këtë rrugëtim unë e kam mësuar nga familja ime. Ndikimin më të madh e kam marrë nga daja im, i cili është Hoxhë. Janë bërë plot 8 vite që agjëroj.

 

 Çfarë e bën të veçantë për ju sakrificën e këtij udhëtimi 30 ditor? Mesazhet që mund të nxirrni?

Mua më pëlqen shumë një thënie: “Në këtë muaj të bekuar, besimtarët mysliman e kanë stomakun bosh dhe shpirtin plot.” Është një muaj që ta mbush shpirtin me paqe, me qetësi shpirtërore, je larg thashethemeve, larg inateve apo gjërave që mund të ta prishin humorin. Këtë muaj ne jemi të mbushur plot me dashuri dhe adhurim ndaj Allahut.

 

 E dini se ky udhëtim është një regjim i shëndetshëm psikofizik, rregullon ritmin trup-mendje, konfirmuar nga shkenca…

Po, jam në dijeni se agjërimi ka të mirat e veta, jo vetëm në anën fetare, por edhe në anën shëndetësore. Madje, agjërimi është mjaft i rekomandueshëm dhe nga mjekët. Si për çudi, unë çdo Ramazan shëndoshem (qesh).

 

Çfarë do të doje të kishe bërë më shumë përgjatë këtij muaji, që ndoshta për shkak të angazhimeve me shkollën nuk mund ta bësh, si pjesë e sakrificës shpirtërore them?

Do doja shumë që këtë muaj të bëja një udhëtim në Mekë dhe të bëja më shumë iftarë me të afërmit e mi. T’i kushtoja akoma më shumë kohë gjatë ditës riteve fetare të Islamit.

 

 Një nga shtyllat e islamit është vizita për Haxh, pelegrinazhi në Mekë, në Gurin e Qabe-s. Është në planet e tua?

Po. E kam menduar dhe është një ndër dëshirat më të mëdha për mua. Uroj vërtetë që ta realizojnë të ardhmen.

 

Sa të ka ndihmuar besimi në Zot për të arritur qëllimet e tua?

Në fakt, nuk e shikoj besimin në Zot me qëllimin se do të më sjellë përfitime “shtesë”. Unë them se Zoti është gjithmonë me mua, në të mirë e në të keq. Besimin në Zot e ndiej me shpirt, dhe e di që asgjë në këtë jetë nuk arrihet nëse nuk e ndjen vërtetë. Pastaj, Zoti është një dhe i vetmi për të gjithë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top