Vetëm përmes një qasjeje mendore të përqendruar dhe të qetë, mund të përfitojmë pikat tona të forta psikologjike. Është koha që t’i zgjojmë dhe t’i përdorim mirë ato. Të jetosh në situata kaotike nuk është e lehtë. Ashtu siç nuk është e lehtë të ruajmë ekuilibrin kur stuhia dhe era fryn nëpër flokët tanë, duke na pëshpëritur mesazhe frike në veshë, të cilat kanë shijen e pasigurisë. Kur kapemi nga paniku, priremi të reagojmë shpejt, si emocionalisht, ashtu edhe në sjellje. Sidoqoftë, në këto raste, idealja është të ruajmë qetësinë.
Psikologët dhe sociologët pajtohen me faktin se fjala e vitit për vitin 2020 me siguri do të jetë “frika”. Ngjarjet aktuale na tregojnë tashmë aspektet e ndryshme të këtij termi, duke filluar nga sjelljet më të paarsyeshme deri te reagimet më të kontrolluara. Në rastin e fundit, i referohemi atyre që kanë frikë, por arrijnë të ruajnë proaktivitetin e tyre në përpjekje për t’i zgjidhur problemet.
Psikiatri Karl Augustus Menninger pretendon se frika mund të kontrollohet, dhe ky është momenti kur bëjmë hapat më të rëndësishëm dhe vendimtarë. E lehtë të thuhet, por kontrollimi i frikës është ndoshta akti më kompleks dhe traumatik ku e gjen veten qenia njerëzore. Kur kaosi troket në derë dhe kërcënon qetësinë tonë, mendja jonë humbet kontrollin. Për më tepër, është edhe më e rrezikshme atëherë kur kaosi infekton edhe të tjerët deri në atë pikë sa ta bëjnë frikën një armik të madh. Në këtë kontekst, sidoqoftë, duhet të mbizotërojë qetësia.
Të qëndroni të qetë është një zgjedhje që mund të trajnohet sepse, në fund të fundit, frika, ankthi dhe sjellja iracionale janë viruse që mund të mësojmë se si t’u përmbahemi. Në situata kaosi duhet të kemi një qasje mendore të bazuar te qetësia. Kemi arritur në pikën ku jemi mbytur me “lajme të këqija”. Televizioni, radio dhe rrjetet sociale vazhdimisht na japin të dhëna shqetësuese dhe mesazhe negative që i tejkalojnë ato pozitive. Në përgjithësi, shpërndahen të parat lajmet negative, përngjarje pa shpresë. Kjo bëhet pa u treguar të kujdesshëm dhe pa kontrolluar nëse lajmi është i vërtetë apo jo.
Është e vërtetë që kemi të drejtë të dimë, se informacioni është fuqi dhe se duhet ta njohim realitetin që po përjetojmë. Sidoqoftë, ka raste kur rrethanat dhe faktet e caktuara janë aq mbingarkuese saqë menjëherë ndiejmë një ndjenjë pafuqie. Të mos dish se çfarë mund të ndodhë nesër është padyshim ajo që na tremb më shumë. Jemi mësuar të kemi kontroll mbi realitetin që na rrethon, ose të paktën mendojmë se është kështu. Papritur, gjendemi në situata kaosi dhe e gjithë siguria jonë e djeshme bëhet e pasigurt.
Kjo na dhemb dhe krijon një parehati vështirë për t’u duruar. Çfarë mund të bëjmë në këto raste? Të ruajmë qetësinë është një qëndrim që marrim kur pranojmë se nuk kemi kontroll mbi gjithçka. Në një kontekst pasigurie, ankthi rritet. Kësaj i shtohet edhe një faktor tjetër: njerëzit përreth nesh transmetojnë emocionet dhe frikën e tyre tek ne. Asgjë nuk krijon më shumë ankth sesa vetë pasiguria. Për shembull, është më keq të mos dimë nëse do ta humbasim punën tonë se sa të jemi të sigurt se e kemi humbur atë. Truri funksionon në këtë mënyrë. Prandaj duhet të mësojmë të tolerojmë pasigurinë.
Duhet të kemi parasysh faktin që, edhe nëse nuk e kemi kontrollin mbi gjëra të caktuara, mund të zgjedhim se si të reagojmë ndaj rrethanave. Ky është çelësi për t’u përballur me situatat që na shfaqen në jetë. Të veprosh me qetësi është qëndrimi më i mirë. Kjo është qasja mendore përmes së cilës mund të reagojmë në mënyrë të arsyeshme dhe adekuate ndaj situatave, duke dhënë më të mirën nga ne.
Fluturat brenda mendjes
Në situata kaotike mendja duhet çlirohet dhe t’i largojë mendimet katastrofike. Në situata kaotike, mendimet katastrofike nuk ndihmojnë, përkundrazi, përkeqësojnë gjithçka. Në vështirësi dhe brenda një skenari plot dyshime dhe probleme, mendja duhet të jetë aleati ynë dhe jo një kundërshtar që na pengon në çdo hap. Prandaj është shumë e rëndësishme që të jemi në gjendje ta “pastrojmë” mendjen nga mendimet që na pengojnë dhe na ushqejnë frikën. Duhet të gjejmë zgjidhje dhe të mos i shtojmë problemet. Për më tepër, duhet të jemi të vetëdijshëm për dialogun tonë të brendshëm negativ dhe ta eliminojmë atë. Qetësia duhet të jetë aftësia për të na udhëhequr në errësirë.
Në situata kaotike, kush zgjedhim të jemi?
Në kohë të vështira si ato që po përjetojmë, t’i përgjigjes kësaj pyetjeje, se kush duam të jemi, mund të na ndihmojë të dalim nga kaosi. A duam të jemi heroi apo viktima? Kush ka ndihmuar apo kush e ka përkeqësuar situatën? Të jesh dikush për të cilin je krenar apo dikush që ka zgjedhur pasivitetin dhe panikun? Varet nga ne të vendosim se kush duam të jemi në ditët kur jemi të detyruar të japim më të mirën. Në kohë krize, qetësia është bashkëudhëtarja e aftë për të na bërë të ndjekim rrugën e duhur.
Duke ecur me veten, do të jemi në gjendje t’i shohim gjërat më qartë dhe do të jemi në gjendje të reagojmë më mirë ndaj situatave, si dhe të jemi proaktivë dhe më të përgjegjshëm. Në këtë periudhë ndryshimesh dhe pasigurie, është koha të qëndrojmë të qetë. Të gjithë duhet të veprojmë së bashku me qetësi, inteligjencë dhe gjakftohtë.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 155
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.