Editorial

March 28, 2016 | 7:14

Në trenin e jetës vrapojmë!

Orjona TresaNga Orjona Tresa

Një vit ikën “vjedhurazi”, një tjetër është gati të të “shpërthejë” derën nëse nuk ia hap! Është një cirkuit i vazhdueshëm, i gjithmonshëm, që nuk di të lodhet kurrë.

E ndërsa treni i jetës na ka rrëmbyer në rrugëtimin e tij të vështirë e plot pengesa, ne jemi krejt të paaftë për ta ndaluar. Megjithatë, në vrapin e kohës përpiqemi të realizojmë gjithçka kemi ëndërruar, pritshmëritë, si dhe përgjegjësitë apo detyrimet e pandashme të jetës. Asnjëherë nuk merr fund. E, për më tepër, nuk ka kompromise përballë kësaj sfide. Por, gjithsesi, duhet jetuar me dinjitet. Sepse gjithmonë del një e papritur, diçka që me qëllim a pavetëdije e kemi mënjanuar, por që s’mund ta lëmë në mes dhe nëse duam. Ka diku qejfmbetje a mërzi të pakusht, inate e kapriço që të lodhin e stërmundojnë.

Por asgjë s’mbaron këtu.

E në këtë rrugë të gjatë, qëllimet mbarten, ka arritje objektivash dhe vijojnë motive të reja. Prej tyre varet shumëçka. Ndërkohë, vija e largët e finishit bëhet më e afërt, sigurisht. Rrethi ngushtohet. Koha merr një tjetër kuptim në hapësirë. Dhe këtu sërish s’ka kompromis dhe nëse të duhet ta dhurosh të gjithë pasurinë. Ajo që nuk kthehet më janë vitet e ikura, pas të cilave kemi lënë ndjesi dhe emocione të shumta. Është nostalgjia. E ndërkohë që gjithçka rrjedh më shpejt nga sa e mendojmë, mendojmë prindërit, të afërmit e zemrës që meritojnë më shumë nga sa u japim. Ndihemi në faj për kohën e munguar. E këtu nuk duhen lënë mënjanë ata me të cilët përpiqemi të ndërtojmë ura lidhëse e kështjella mbrojtëse për të siguruar të ardhmen tonë.

Jemi në luftë, të heshtur dhe të zhurmshme njëkohësisht.

Pa dyshim, në borxh të përhershëm u mbetemi dhe fëmijëve tanë, brezit të vazhdimësisë që do të ndërtojë modelet e reja të shoqërisë së mëpastajme. Shpirt i shpirtit tonë gjithmonë vuan nga mungesa e kohës sonë, apo vëmendja e munguar ndaj tyre. Sepse, pa dyshim, duan hapësirat e nevojshme dhe më shumë mbështetje në rrugëtimin e tyre. E në justifikimin e vazhdueshëm për “dëmin” ndaj tyre, veç u themi se edhe kur nuk jemi pranë i kemi në zemër në çdo rast. E në këtë fillimviti për të gjithë të vegjlit tanë urojmë më të mirën për ta. Rrugëtimi vazhdon.

Ne jemi pasagjerët e përhershëm, hipur mbi një tren imagjinar apo në bordin e një anije hapësinore. Është një udhëtim që nuk merr fund asnjëherë.

Ndërkohë i japim vetes kënaqësinë që në çdo ndërrim vitesh të trokasim gotat. Shumë gjëra duhen hedhur pas krahëve dhe më të mirë bëhemi. Gjëra të reja lindin dhe prej një urimi të thjeshtë “vit të mbarë”. E pra, bashkë me trokitjet e gotave, mirësi u urojmë të dashurve tanë, miqve të zemrës, kolegëve, atyre që na besojnë pozicionet e punës: “Ky mot ardhtë më i mirë për të gjithë ne!”.

Mirënjohës duhet t’i jemi gjithkujt për vlerësimet e ndiera, e gjithçka tjetër që bëhet për të nxitur më fort e për të çuar përpara një mision të konsoliduar tashmë. Vit të mbarë!

Botuar në revistën Psikologjia, nr. 104

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top