Media prestigjioze The Guardian i kushtoi një artikull viktimave të abuzimit, të cilët gjykohen se nuk kanë mbajtur pajisjen mbrojtëse: “Ndjenja e mbulimit të hundës dhe gojës, si gjatë dhunës, mund t’u shkaktojë atyre kthim prapa dhe sulme paniku”. Veshja e maskës, për viktimat e abuzimit, nuk është kaq e thjeshtë. Është si një kthim i vazhdueshëm i mendjes në dhunën e pësuar, kur hunda dhe goja ishin të mbuluara nga agresori, dhe mund të provokojë atak ankthi dhe paniku.
The Guardian ua kushtoi këtë artikull veçanërisht viktimave të dhunës, të cilët po e shohin bashkëjetesën me maskën të vështirë: kush refuzon të mbajë veshur pajisjen mbrojtëse në vende publike, në fakt, shpesh fyhet dhe shënjestrohet. “Shumica e të mbijetuarve të sulmeve seksuale kanë mbuluar gojën dhe hundët gjatë abuzimit. Mbulimi i fytyrës dhe hundës së këtyre njerëzve përsëri mund të shkaktojë kthim prapa, sulme paniku dhe episode të mëdha ankthi”, shpjegon Kate Russel, zëdhënëse e shoqatës” Rape Crisis England and Wales”, për të cilën shumë nga viktimat raportuan problemin.
Megjithëse qeveria britanike ka njohur – midis arsyeve të vlefshme dhe ligjore për të mos përdorur pajisjen mbrojtëse – një “vuajtje serioze” ose “një shqetësim serioz”, viktimat e abuzimit që frekuentojnë vendet publike pa maskë gjykohen dhe fyhen rëndë. “Ata që nuk mbajnë maska tani konsiderohen egoistë, budallenj dhe të pamatur”, shton Russel.
Një shembull më shumë sesa i dhimbshëm mund të jetë kthimi pas është ai i Georgina Fallow, 29 vjeçe, viktimë e dhunës seksuale. Sot ajo vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik dhe nuk mund të durojë të mbulojë gojën, me gjithë abuzimet prej vitesh. “Gjatë dhunës, agresori im më mbuloi gojën me dorën e tij. Si rezultat, nuk mund të ndiej asgjë në gojën time, madje as maskën e oksigjenit, përndryshe më shkakton kthim prapa. Fizikisht ndihem sikur jam përsëri atje, ndjehem sikur ai akoma po abuzon me mua dhe ndjej sikur po vdes”.
“Do të doja të isha në gjendje ta mbaja maskën – shtoi ajo – jo vetëm për shëndetin tim, por për të mos krijuar shqetësime tek të tjerët”. Dhe për të shmangur episodet e pakëndshme: siç kur shkoi te parukierja, u paraqit pa pajisjen mbrojtëse, duke pretenduar se ishte e përjashtuar nga veshja e saj dhe u fye. “Më tha se ishte qesharake dhe se nuk kisha prova. Kam qarë gjithë rrugës për në shtëpi. E kishte menduar seriozisht se isha një vajzë injorante dhe egoiste, se nuk më interesonin të tjerët”. Që nga ajo kohë, Georgina po përpiqet të shmangë daljet në vende publike: “Nuk mund ta shoh familjen time, e cila jeton dy orë larg meje. Sepse nëse dua të shkoj diku, duhet të eci”.
Historia e saj u përmblodh nga “Rape Crisis” (Kriza e Përdhunimit), e cila po përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin për këtë çështje. “Njerëzit kujtojnë se kanë të drejtë t’ju gjykojnë dhe është e tmerrshme – shton Georgina. Nuk mund të më shikoni dhe ta dini se unë jam përdhunuar, megjithatë kështu është, dhe është një problem i madh për mua. Kam kaluar pjesën më të madhe të kohës duke u përpjekur ta harroj atë që ka ndodhur. Nuk kam nevojë të më qëllojnë tre ose katër herë në ditë, thjesht po përpiqem ta jetoj jetën time. Dhe e gjithë kjo më kujton diçka që unë dëshpërimisht po përpiqem ta fshij”.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.