Sot në mëngjes një nënë që fliste në celular dhe me fëmijët e saj, vajzën 8 vjeçe dhe djalin 3 vjeç po shkonin drejtë shtëpisë, pasi kishin blerë ushqime dhe fruta. Djali i vogël largohej nga grupi dhe hypte nëpër shkallina ndërtesash apo stola që i haste në rrugë, nëna ndërpriste të folurën dhe i thoshte djalit : “fëmijë i keq”, “s’ke turp”, “do hash dru”, “rri urtë”, “më lodhe” dhe si mbaronte së numuruari etiketimet vazhdonte muhabetin në celular.
Djali i vogël mesa duket ishte mësuar me këtë mënyrë dhe vazhdonte të hypte në ato vende që i dukeshin interesante. Për një kohë nëna heshti, mesa duket biseda ishte shumë interesante, atëherë e mori komandën vajza 8 vjeçe dhe filloi të fliste duke imituar nënën që nga zëri e shprehjet, të cilat i tha sipas rradhës që i kish thënë nëna.
Nëna kini kujdes, fjalët që përdorni dhe sjelljet që zgjidhni të kryeni, kur jeni me fëmijët. Është e vërtetë që doni edhe të flisni me shoqet apo të afërm për gjëra që ju pëlqejnë apo pse doni një mendim, dhe është e drejtë e juaja, por po aq të drejtë kanë edhe fëmijët të jenë në qendër të vëmendjes së nënës së tyre. Ata kanë dalë me nënën dhe duan t’i tregojnë gjërat që dinë apo që janë të zot të bëjnë. Duan të kënaqen me të, të flasin me të, por nëna i anashkalon dhe nuk u kushton vëmendje. Kujdes nëna për pak takt dhe organizim, prishni lidhjen tuaj me fëmijët dhe bëheni padashur një model jo cilësor. Mbase mund të uleni diku ose të paktën kujdes me fjalët që u drejtoni fëmijëve kur ju bezdisin.
Tek e fundit kjo është mëmësia, ta zgjedhësh fjalën para se ta thuash dhe të kontrollosh zërin që të mos tregojë padurim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.