Nga Lumturi Sinani, psikologe klinike
Narcisizmi, një term që rrjedh nga mitologjia greke, Narcis (njeri që bie në dashuri me reflektimin e tij/saj). Ky është një koncept që ka evoluar dhe zhvilluar në fushën e psikologjisë. Narcisismi karakterizohet nga një ndjenjë madhështore e vetes, një nevojë e vazhdueshme për admirim dhe mungesë empatie për të tjerët. Pra manifestohet në këto mënyra të ndryshme, duke përfshirë madhështinë, një ndjenjë të së drejtës, një preokupim me fantazitë e suksesit, pushtetit, shkëlqimit ose bukurisë.
Ndërsa të gjithë individët mund të kenë ankesa të caktuara narcisiste, një shtrembërim narcisist i personalitetit është shumë më i thellë dhe jofunksional, duke ndikuar seriozisht në marrëdhëniet ndërpersonale. Por imagjinoni sa e vështirë është kur të gjitha këto tipare i mban “veshur” një nënë? Sigurisht që kjo gjë do të ndikojë drejtpërdrejt tek fëmija ku pasojat janë të thella dhe afatgjata.
Karakteristikat e nënës narcisiste
Mungesa e empatisë është një nga karakteristikat më të dukshme të nënës narcisiste. Kjo do të thotë se është shumë e vështirë të kuptosh dhe t’u përgjigjesh nevojave emocionale të fëmijëve. Nënat me këtë personalitet krijojnë një mjedis familjar të paqëndrueshëm, të paparashikueshëm dhe të tensionuar. Fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit që jetojnë në këtë mjedis familjar mund të ndihen të pasigurtë, të shqetësuar dhe që nuk e dinë kurrë se kur ky person mund të ndryshojë gjendjen e tyre mendore ose sjelljen. Fëmijët gjithashtu mund të ndihen të hutuar dhe të çorientuar, sepse nëna e tyre mund ta shtrembërojë realitetin për t’u përshtatur interesave të saj. Nënat narcisiste shpesh i vendosin nevojat dhe dëshirat e tyre mbi fëmijët, gjë që mund t’i bëjë fëmijët të ndihen të injoruar, të zhvlerësuar, ose të padëshiruar, madje mund të jenë verbalisht ose fizikisht abuzive dhe emocionalisht e paqëndrueshme.
Lëvizin midis idealizimit dhe zhvlerësimit, nënat narcisiste kujdesen më shumë për imazhin dhe pamjen sesa për atë që po ndodh përreth tyre. Kjo do të thotë se ato do të kenë pak investime në mirëqenien emocionale të fëmijës. Nëse (në sytë e nënës suaj narcisiste) po sillni turp ose po dëmtoni reputacionin e familjes, do të detyroheni të konformoheni.
Një nënë narcisiste zakonisht nuk është në gjendje të dëgjojë asnjë kritikë ose ankesë. Ajo ka vend vetëm për një spektër shumë të ngushtë të emocioneve të fëmijëve. Dhe si pasojë fëmijët në këtë situatë mësojnë ngadalë të nënshtrohen dhe të miratojnë nënën e tyre, duke çuar në mungesë të vetëdijes dhe probleme me rregullimin e emocioneve. Nënat narcisiste shpesh kanë nevojë t’i kontrollojnë fëmijët e tyre. Ato nuk besojnë te kufijtë, nuk e respektojnë privatësinë dhe shpesh përdorin manipulimin për të arritur atje ku duan. Manipulimi nuk përdoret vetëm për kontroll, por për shumë qëllime të tjera.
Nëna manipuluese mund të përdorë vuajtjet e saj për t’i mbajtur fëmijët afër, për të tërhequr vëmendjen e tyre, për t’u kujdesur për ta.
Nëna narcisiste është egoiste dhe si rezultat, arritjet e fëmijëve të saj përjetohen si suksese personale. Fëmijët shihen si një zgjatim i vetes së saj, jo si individë të veçantë, e shohin suksesin e fëmijëve si një mënyrë për të pohuar statusin dhe vlerën personale. Kërkojnë vazhdimisht pushtet dhe se si t’a pohojnë atë, për këtë qëllim ato përpiqen të kontrollojë çdo aspekt të jetës së fëmijëve. I tregojnë se si të vishen, si të sillen, me kë të dalin dhe çfarë hobi të ndjekin.
Ndikimi që kanë nënat narciste tek fëmijët e tyre
Plagët e fëmijërisë mund të jenë shumë të thella dhe të ndikojnë në vetëimazhin e një fëmije. Këto plagë shpesh janë rezultat i tendencës së fëmijës për të fajësuar veten për sjelljen e të rriturve. Kur fëmijët trajtohen keq ose nuk marrin kujdesin e duhur, ata mund të zhvillojnë bindjen se kjo është për shkak të diçkaje që nuk shkon me ta. Nëse një nënë narcisiste vëren se fëmijët e saj janë të pavarur, ajo përdor ndjenjën e fajit për t’i mbajtur afër dhe për t’i kontrolluar. Një shembull është një nënë që e bën vajzën e saj të ndihet fajtore duke pretenduar se po vuan për shkak të saj. Faji është emocioni më i përdorur për ta bërë personin tjetër të bëjë atë që dëshiron. Dashuria e vërtetë është e pakushtëzuar, dashuria e sinqertë jepet pavarësisht se si sillet ose është personi tjetër. Nëna narcisiste ka vështirësi të përjetojë dashuri pa interes, dashuria e saj kushtëzohet nga sjellja e të tjerëve. Fëmijët janë ata që preken më shumë duke u shoqëruar dhe me pasoja sigurisht ku përmendim:
Vetëvlerësim i ulët, fëmijët shpesh ndiejnë se nuk janë kurrë mjaftueshëm të mirë në asgjë për shkak të faktit se nëna e tyre e ka pasqyruar disa herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes ndëshkimeve, siç është mungesa e dashurisë, ose dështimi për të përmbushur nevojat themelore të fëmijëve.
Varësia nga marrëdhëniet, fëmiijët e nënave narcisiste mund të ndjejnë se kanë nevojë për dikë që i udhëzon në çdo kohë: për nënën e tyre apo për shoqërinë. E kundërta mund të ndodhë gjithashtu: fëmijët e një nëne narcisiste, përveç adresimit të një varësie të caktuar në marrëdhëniet e tyre, mund të përfundojnë duke përvetësuar sjelljen që nëna e tyre kishte me ta. Sigurisht që kjo pastaj sjell pasiguri dhe probleme në marrëdhëniet që fëmijët kanë me të tjerët.
Fëmijë nëse nëna juaj është narcisiste mos prisni falje kur keni të drejtë, mos u përpiqni të ndryshoni personalitetin e nënës tuaj, është e vështirë. Mos e krahasoni nënën tuaj me të tjerët. E di që është sforcim dhe mundim për ju, por përpiquni për një marrëdhënie sa më të mirë të mundshme me nënën që keni.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.