Përgatiti Orjona Tresa
Nëntori, për shqiptarët, nuk është thjesht një muaj vjeshte romantik, disi i ftohtë e me gjethe të rëna pemësh. Në historinë e tyre shqiptarët e veçojnë këtë muaj si një periudhë të mbushur me data domethënëse. Janë pikërisht datat e shënuara në fundin e këtij muaji, që i bëjnë jehonë historisë, krenarie të një kombi që ka luftuar për të mbajtur gjallë emrin, flamurin dhe shpirtin e tij.

Në nëntor të vitit 1443, në një tokë të përgjakur nga betejat, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti në Krujë për herë të parë flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe. Ai nuk ngriti thjesht një copë që valëvitej mbi muret e kalasë, por një simbol të papërkulshmërisë dhe shpresës së një populli që edhe në vitet më të vështira të represionit osman nuk do ta ulte kokën. Flamuri me shqiponjën dykrenash, u bë një thirrje për bashkim dhe liri, e mbi të u betuan ata dhe pasardhësit që do t’i jepnin Shqipërisë një tjetër datë nëntori.
Më shumë se 450 vjet më vonë, në nëntor të vitit 1912, nga Vlora, Ismail Qemali do të ngrinte përsëri flamurin, këtë herë si shenjë e një Shqipërie të Mosvarur. Kishin kaluar 450 vite të errëta por Ai e dinte se flamuri i Gjergj Kastriotit nuk ishte vetëm simbol i një shpendi krenar mbështetur mbi gjakun e të rënëve, por identiteti, historia dhe ëndrra e një populli. Dhe kjo e ka shpjegimin e vet.

Nga këndvështrimi psiko-sociologjik, bazuar në teorinë mbi modelimin social të psikologut të njohur kanadezo-amerikan Albert Bandura, kuptojmë se si figurat e Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit kanë ndërtuar jo vetëm histori, por edhe identitetin kolektiv të shqiptarëve. Ata janë kthyer në modele të fuqishme që transmetojnë vlera si guximi, bashkimi dhe rezistenca, cilësi të cilat individët i marrin si shembull për t’u përballur me sfidat e jetës dhe për të ndërtuar një vetëdije kombëtare të fortë. Nga ana tjetër, sipas konceptit të ndërtuar nga historiani anglo-irlandez Benedict Anderson, simbolet dhe mitet historike, bëhen thelbësore për ndërtimin e identitetit të përbashkët. Në këtë kuptim, Gjergj Kastrioti dhe Ismail Qemali janë jo vetëm figura historike, por edhe simbole që lidhin brezat në një narrativë të përbashkët, duke ushqyer ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë. Në psikologjinë sociale, mbajtja gjallë e këtyre kujtimeve dhe simboleve ndihmon në ruajtjen e kohezionit social dhe fuqizon qëndrueshmërinë kolektive, aftësinë e një komuniteti për të përballuar dhe rimarrë veten nga traumat historike apo sfidat e tanishme.

Nëntori i shqiptarëve është një testament i forcës së shpirtit njerëzor, i vendosmërisë për të mbijetuar dhe për të qenë krenar për rrënjët e veta. Kur shqiptarët në nëntor nxjerrin nëpër dritare e ballkonë flamurin kuq e zi, ata shohin tek ai më shumë se një simbol kombëtar. Ata shohin një histori të jetuar, një dhimbje të përjetuar, një luftë që nuk mbaron asnjëherë, dhe betimin për të mos u dorëzuar kurrë.
Nëntori na mëson se guximi dhe qëndresa nuk janë vetëm histori të kaluara, por pjesë e përditshme e jetës sonë. Ky muaj na fton të reflektojmë mbi rrugën tonë, mbi betejat që kemi fituar dhe ato që ende na presin, dhe mbi rëndësinë e mbajtjes gjallë të atyre që na bëjnë ne shqiptarë të fortë dhe të lirë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

