A të ka ndodhur ndonjëherë që energjia në një dhomë të ndryshojë menjëherë për keq sapo dikush hyn brenda? Ose të ndihesh i/e lodhur sa herë që kalon kohë me një mik të caktuar?
Të gjithë ne mbartim një energji të veçantë që të tjerët mund ta ndiejnë. Disa njerëz na ngrejnë shpirtin me praninë e tyre, ndërsa të tjerë na lodhin dhe na shterojnë. Prandaj, është e rëndësishme të zgjedhim me kujdes se me kë kalojmë kohën.
Nëse dikush shfaq këto 10 sjellje, me shumë gjasë është një person që na konsumon emocionalisht dhe është më mirë ta shmangim.
1.Flasin vetëm për veten
Një nga sjelljet e para që do të vini re tek njerëzit rraskapitës është egoizmi. Ata flasin vetëm për veten, pa treguar interes për jetën tuaj. Këta njerëz, të njohur ndryshe si “vampirë energjie”, kërkojnë dikë që t’i dëgjojë – dhe sapo ta gjejnë, fillojnë të derdhin gjithë problemet e tyre.
Gabimi më i madh që mund të bësh është të tregohesh i interesuar. Sa më shumë të tregosh që po i dëgjon, aq më shumë do të “ushqehen” me energjinë tënde. Por ndryshe nga narcisistët që flasin për veten për të treguar sa të mirë janë, këta flasin vetëm për problemet – çka lidhet me pikën tjetër.
2.Ankohen vazhdimisht
Të gjithë njohim dikë që ankohet pa pushim. Pavarësisht motit të bukur apo gjërave të mira që kanë në jetë, ata gjithmonë gjejnë arsye për t’u ankuar. Shpesh ankohen për gjëra të vogla, por për shkak të ndikimit të tyre, edhe ti fillon të shohësh gjithçka në një dritë negative.
Sipas psikoanalistit holandez Manfred F.R. Kets de Vries, disa njerëz e kanë zhvilluar këtë sjellje që në fëmijëri, si mënyrë për të lidhur me të tjerët. Por, kur ankohen, nuk është se kërkojnë ndihmë. Në fakt, nëse u ofron zgjidhje, do ta refuzojnë menjëherë – që na çon te sjellja tjetër…
3.Refuzojnë ndihmën dhe këshillat
Shumë prej këtyre njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për sjelljen e tyre. Ata nuk e kuptojnë se janë negativë, sepse për ta kjo është normale – kështu janë mësuar të komunikojnë që në vogëli. Prandaj, nëse u japësh një këshillë, ata ose do të të tregojnë pse ajo nuk funksionon, ose do të të injorojnë krejtësisht.
Ankimi për ta është një formë rehatije – nëse problemet zgjidhen, nuk kanë më për çfarë të ankohen. Dhe kur nuk kanë më drama, i krijojnë vetë…
4.Kërkojnë gjithmonë dramë
Ka persona që duket sikur i ndjek drama gjithmonë. Sapo gjërat fillojnë të shkojnë mirë, menjëherë ndodh diçka tjetër. Nuk është çështje fati – ata e kërkojnë dramën, sepse pa të ndihen bosh.
Shpesh shkaktojnë konflikte pa arsye, përzihen në grindje që nuk u përkasin dhe krijojnë drama në marrëdhëniet e tyre, edhe kur gjithçka po shkon mirë. Nëse do të kuptosh kush është ky person, thjesht thuaju një thashethem – do ta shohësh menjëherë ndriçimin në sytë e tyre.
5.Luajnë gjithmonë viktimën
Një tjetër tipar i fortë i këtyre personave është që nuk marrin kurrë përgjegjësi për asgjë. Ata gjithmonë viktimizohen. Përdorin fraza si “Pse gjithmonë më ndodhin mua këto gjëra?” dhe kërkojnë vazhdimisht keqardhje nga të tjerët.
Sipas terapistes Arlin Cuncic, kjo sjellje mund të vijë nga trauma të së kaluarës dhe ndjenja të thella të pafuqisë. Por duke fajësuar gjithmonë të tjerët, ata nuk rriten kurrë emocionalisht dhe mbeten të bllokuar në një cikël ankese dhe vetëviktimizimi.
6.Kanë nevojë të vazhdueshme për vërtetim
Njerëzit rraskapitës shpesh kanë vetëbesim të ulët dhe varen nga të tjerët për vërtetim emocional. Ata kërkojnë siguri të vazhdueshme, p.sh.:
Ankohen për defekte që nuk ekzistojnë, që t’u thuash “jo, je shumë mirë”
Dërgojnë mesazhe pafund dhe mërziten nëse nuk u përgjigjesh menjëherë
Pyesin shpesh “A më do akoma?” ose “Je i/e mërzitur me mua?”
Kjo varësi emocionale të bën të ndihesh i shtrydhur dhe i parespektuar.
7.Janë kërkues dhe të padurueshëm
Njerëzit që nuk dinë të vetëqetësohen, bëhen shumë kërkues.
Duhet të jesh gjithmonë i/e gatshëm për ta. Nuk respektojnë kohën dhe kufijtë e tu.
Nëse i thua që je i zënë, do të vazhdojnë të të bëjnë presion derisa të dorëzohesh.
Kjo sjellje është toksike dhe rraskapitëse. Me kalimin e kohës, thjesht nuk do të duash më të komunikosh me ta fare.
8.Ndryshojnë humor vazhdimisht
Nuk di kurrë me çfarë versioni të tyre do të përballesh. Një moment janë mirë, momentin tjetër janë nervozë apo të mërzitur. Njerëzit rraskapitës preken nga gjithçka dhe kjo të bën të ecësh “si në gjemba” pranë tyre. Përfundon duke qenë gjithmonë në gjendje vigjilence, gjë që e lodh sistemin nervor dhe të lë pa energji.
9.Presin gjithmonë më të keqen
Njerëzit që të shterojnë emocionalisht janë edhe shumë pesimistë.
Ata nuk shohin anën e mirë të situatave – vetëm anën negative.
Studimet kanë treguar se humori i keq është ngjitës dhe ndikimi i kësaj negativiteti shkon përtej mendjes – dëmton edhe shëndetin fizik. Sipas Dr. Travis Bradberry, të qëndrosh pranë njerëzve negativë ndikon në funksionimin e trurit dhe inteligjencën tonë.
10.Nuk përqendrohen dot
Mendja e tyre është gjithmonë e shpërndarë. Nuk përqendrohen në bisedë, ndërrojnë temë papritur dhe kalojnë nga një gjë te tjetra pa përfunduar asgjë. Kjo shpesh vjen nga trauma ose nga emocione të pazgjidhura që mbajnë brenda vetes.
Mendime përmbyllëse
Të kesh pranë një person rraskapitës emocionalisht mund të të lërë të lodhur, pa motivim dhe me humor të ulët. Prandaj, kur është e mundur, është më mirë t’i shmangësh këta njerëz.
Nëse nuk mund t’i largosh (sepse janë familjarë apo kolegë), vendos kufij të qartë dhe mëso të thuash “jo”. Vampirët e energjisë kërkojnë njerëz që t’i ushqejnë – nëse kuptojnë që ti nuk u përgjigjesh më si më parë, do të kalojnë te viktima tjetër.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.