Rrjetet sociale kanë pushtuar botën si kurrë më parë dhe kanë filluar të bëhen edhe pjesë e pandashme e jetës së njerëzve, pothuajse të të gjitha moshave. Disa prej tyre këto rrjete sociale i përdorin vetëm për kërkime të ndryshme shkencore, disa të tjerë i përdorin për të kaluar kohë, disa të tjerë kanë një qëllim për të arritur përmes përdorimit të këtyre rrjeteve sociale dhe një numër tjetër i njerëzve i përdorin për të njohur persona të rinj.
Keni nisur një njohje me dike në rrjetet tuaja sociale dhe keni interes të hidhni hapa për t’iu afruar. Kështu që ju vendosni, në mënyrën tuaj, t’i dërgoni atij/asaj një mesazh. Por ai ose ajo nuk e ka parë dhe as nuk e ka lexuar. Diku këtu është pika ku bie në grackën e “mesazhit të dyfishtë”. Dërgimi i dyfishtë i mesazheve do të thotë t’i dërgojmë dikujt dy ose më shumë mesazhe përpara se ai t’i përgjigjet mesazhit tonë të parë.
Sipas një sondazhi nga faqja e takimeve Seeking, mesazhet e dyfishta janë një flamur i madh i kuq. Kjo është një lëvizje që minon përpjekjet tuaja. Mos supozoni se personi që ju intereson nuk e ka parë mesazhin pasi pjesëmarrësit në sondazh deklarojnë se kjo nuk është e mundur. Nëse e lexojnë mesazhin e parë dhe nuk e shohin të arsyeshme të përgjigjen, një mesazh i dytë, që shfaqet pikërisht poshtë atyre pa përgjigje, na bën të dukemi të pasigurt, të padurueshëm dhe të dëshpëruar për pak vëmendje.
Prandaj, nëse shohim që dikush që është mësuar të jetë aktiv në rrjetet sociale ose mban një marrëdhënie të mirë me celularin, nuk i përgjigjet mesazhit tonë, shpjegimi nuk është se mesazhi ynë nuk është hapur nga ai. Ai/ajo thjesht e lexoi dhe e injoroi ose ndonjë arsye tjetër e detyron të mos e vazhdojë bisedën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.