FB

October 16, 2023 | 7:51

Neurodiversiteti, terminologjia që i jep një tjetër kuptim dhe një qasje më pozitive Edukimit Special

 

 

“Neurodiversiteti” termi ombrellë që shpjegon karakteristikat neurobiologjike të trurit tek njerëzit me spektër, ADHD, disleksi, dispraksi. Neurodiversiteti përshkruan mënyrat e ndryshme se si truri i njeriut punon. Ky koncept shpjegon se si lidhemi dhe ndërveprojmë me botën në mëyra të ndryshme. E parë kjo në fushën e Edukimit Special, dhe kryesisht në çrregullime të veçanta si: Çrregullimi i Spektrit të Autizmit, ADHD (çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet), vështirësitë në të nxënë, duket se jep një përshkrim më të mirë të kushteve dhe mënyrës se si funksionon truri i këtyre njerëzve dhe programeve të përshtatura ndaj tyre.

untitled

Përgatiti Adelaida Mezini, Psikologe këshillimi/shkollore

 

Neurodiversiteti kundrejt Nevojave të Veçanta

Nga viti në vit ka ndryshime në përkufizimin dhe përcaktimin e Aftësisë së Kufizuar. Kjo është parë si nevojë për gjithë shoqërinë për të shmangur stigmatizimin dhe për të mos i përjashtuar këta individë nga shoqëria. Në manuale apo literaturë të ndryshme, termi “Aftësi e Kufizuar” është zëvendësuar me “Nevoja të Veçanta”. Në fillimet e diagnostikimit dhe njohjes së çrregullimit të autizmit, përcaktohej “autizëm” ose “autik”. Pas thellimeve të njohurive dhe evidencave nga studime të ndryshme, tani përcaktohet ÇSA, Çrregullimi i Spektrit të Autizmit dhe ka një dallim të madh.

kl

Në gjuhën e komunikimit mes specialistëve, neuropsikatërve, terapistëve, nuk parapëlqehet që një fëmijë me spektër, ADHD apo disleksi, të cilësohet me aftësi të kufizuar, as fëmijë me nevoja të veçanta, por më pranueshëm aftësi ndryshe, ose dallimi nga tipikë në atipikë. Dhe mes dilemash dhe emërtimesh të ndryshme, është Neurodiversiteti që jep një kuptim të plotë për mënyrën e funksionimit dhe diversitetit.

Neurodiversiteti është qasja që jep një dritë jeshile edukimit special dhe mund të themi se ky koncept është katalizatori për ndryshime të mëdha në mënyrën se si janë parë dhe etiketuar deri tani nxënësit me nevoja të veçanta. Në kontekstin e shkollës dhe në programet e edukimit, neurodiversiteti duhet konsideruar e ardhmja e edukimit dhe kryesisht Edukimit Special.

Veçanërisht në kushtet e ADHD, apo disleksisë, nxënësit emërtohen me çrregullim apo paaftësi për të mësuar. Pra theksohet më shumë paaftësia. Mund të quhen më pak inteligjentë, apo pa mundësi për të funksionuar në një fushë apo tjetrën.

Në fakt është e gabuar. Një fëmijë me ADHD, apo vështirësi në të nxënë, nuk është më pak inteligjent, apo i paaftë, por truri funksionon në një mënyrë ndryshe.

 

Pse duhet parë në këndvështrimin e neurodiversitetit, kushte të tilla diagnostikuese?

Në qoftë se duam të aplikojmë metoda sa më efektive me fëmijët dhe të hapim dritare të reja për kërkimet me bazë neurologjike, edukimi special duhet të ndryshojë. Neurodiversiteti është koncepti që sfidon mësuesit, edukatorët, për të lëvizur nga perspektiva e paaftësisë, drejt perspektivës së diversitetit, dhe përdorimit të strategjive ku bazohen te pikat e forta, për të ndihmuar nxënësit të kenë sukses në shkollë dhe në jetë.

 

Pse është i rëndësishëm Neurodiversiteti në shkollë?

Neurodiversiteti ul tendencën e sjelljeve bullizuese në klasë. Fëmijët me nevoja të veçanta bëhen shpesh prè e bullizmit në shkollë, duke u cilësuar ndryshe nga pjesa tjetër. Neurodiversiteti, ndihmon që kjo situatë të ndryshojë, pasi orienton fëmijët me aftësi ndryshe të ndjekin pikat e forta dhe të punojnë mbi pikat e forta.

Së dyti krijon një tablo më të gjerë dhe hedh më shumë dritë në të kuptuarin e sjelljes së një fëmije, pasi është kuptuar se truri funksionon në një mënyrë ndryshe, por jo se nuk ka aftësi te fëmija.

Së treti, neurodiversiteti jep një pikëpamje se ndryshimet neurologjike janë normale, ndryshe nga deficencat.

Së katërti bazuar në planet e individualizuara, neurodiversiteti nuk është një disavantazh, por duhet parë me përparësi dhe duhet përfshirë në planet e punës dhe planet individuale, kurrikulë, për të ndihmuar nxënësit të kenë sukses dhe të kenë arritje të kënaqshme.

Këta fëmijë munden të arrijnë dhe të kenë sukses aty ku kanë aftësitë dhe pikat e forta. Kjo jep mundësinë që këta fëmijë jo vetëm të rrisin vetvlerësimin, por edhe të kenë arritje dhe të jenë produktivë në shoqëri.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top