Dëshmi

July 14, 2018 | 13:20

Nevin Bilali: Energjia e të rinjve po i ndryshon faqen Tiranës

Ikja e trurit është kthyer në një refren të ditëve tona. Por jo, ka dhe nga ata që zgjedhin ta vënë në punë trurin në vendin e tyre të lindjes. Me energjitë e moshës dhe aftësive të mbrujtura në leksionet e plota të universitetit, shumë prej ndryshimeve që janë mirëpritur në vend, mbajnë pikërisht vulën e tyre. Nevin Bilali është njëra prej të rinjve që falë talentit ka treguar se ndryshimi dhe zhvillimi vjen pikërisht nga energjitë e të rinjve. 

Nevin Bilali, Arkitekte, Bashkia Tiranë

Nevin Bilali, Arkitekte, Bashkia Tiranë

Modeli përkushtues në realizimin e disa projekteve ka treguar se si mjaft mjedise publike, “Pazari i Ri”, rikonceptimi i sheshit Skënderbej dhe plot projekte të tjera mbajnë pikërisht vulën e këtyre të rinjve. Arkitekte e Bashkisë së Tiranës, ajo rrëfen se nga puna e bërë ka provuar ndjesi që e kanë plotësuar jo thjesht në aspektin profesional, por mbi të gjitha në atë njerëzor. Në çdo takim pas përfundimit të një projekti, ku shërbimi ka qenë kryesisht për qytetarët, kanë marrë pafund falënderime dhe mirënjohje për punën e bërë. 

Këto çaste, të regjistruara tanimë njëra pas tjetrës me projektet e arritura, për Nevin Bilalin janë të pashlyeshme në kujtesë, duke i dhënë një dimension edhe më të gjerë profilit të saj. Aktualisht në përjetimin e ëmbël të një nëne të re, Nevin ndau kënaqësitë që ka marrë nga periudha gati 3-vjeçare e punës së saj në Bashkinë e Tiranës.

Si ka qenë kjo periudhë?

Gjërat që unë kam arritur janë shumë plotësuese për mua, por që sot mund të thosha edhe më plotësuese për një femër, siç është të qenit nënë. Do të thosha që dhe aktualisht, edhe pse me bebe pak muajshe, kam qenë shumë aktive edhe në punë. Kjo ma ka bërë më eficente ditën time dhe më ka plotësuar në tërësi.

Ju ka bërë më të përgjegjshme mëmësia edhe pse është herët?

Më ka ndryshuar totalisht këndvështrimin edhe në punë. Ato që tani i quaj vogëlsira në anën profesionale, të cilat më stresonin dhe më jepnin shumë emocione të forta, tani janë të papërfillshme. Ndërkohë më ndihmojnë për të qenë më e vendosur, sepse kupton që ka gjëra shumë të rëndësishme, shumë më të mëdha për jetën, si në familje dhe në profesion. Kjo më ka bërë më kërkuese.

Si pjesë e stafit të arkitektëve në Bashki keni marrë reagime nga ata që i jetojnë këto hapësira? Si ndihesh?

Unë kam qenë arkitekte, kam punuar në studio të ndryshme, në programe të ndryshme, në mënyra të ndryshme në profesionin tim, por kjo përvojë si arkitekte në Bashkinë e Tiranës, është më ndryshe sepse ti ndikon në qytet. Gjurma jote është shumë e madhe, dëshira jote për të ndryshon, gjërat bëhen realitet. Fatmirësisht jam në një periudhë të mirë të punës, pasi realisht po ndodhin gjëra, je pjesë e historisë së qytetit praktikisht. Ashtu si projekti i “Pazarit të Ri”, Sheshi “Skënderbej”, Bulevardi i ri, bashkë me transformimet e tyre do të shënohen në historinë e qytetit. Ashtu si dhe shumë projekte të tjera të mëdha që pritet të ndodhin. Është shumë qejf të jesh pjesë e këtij ekipi.

Si i mësoni nevojat që ka qyteti?

Fatmirësisht ne jemi ekip që jemi të rinj në moshë, në këtë përvojë dhe me energji. Përveçse nga ana formale që në Bashkinë e Tiranës bëhen dëgjesa publike, ku vijnë grupe interesi, jemi një grup të rinjsh që pyesim çdo ditë njëri-tjetrin, të rinj, shokë që jetojnë jashtë, familjarë. Personalisht unë e praktikoj shumë në çdo gjë shohim. Edhe në shkollën që unë kam bërë një ndër gjërat që na kanë mësuar është që: përpara se të bësh një projekt, duhet të shkosh në terren e ta përjetosh. Fakti i kësaj lëvizjeje të ndihmon shumë, përpara se të hedhësh çdo vizë në letër. E vazhdojmë akoma këtë praktikë bashkë me kolegët që bashkëpunojmë në bashkinë e Tiranës. Para projektimit të një hapësire publike, të një parku të vogël, kolegu im ka shkuar, është ulur aty tre ditë dhe e ka përdorur atë hapësirë, duke e parë se si reagon një moshë e tretë te stoli dhe ambienti, për çfarë ka nevojë, duke pyetur fëmijët se si e përdorin atë hapësirë. Tek e fundit, kur ti projekton një park sheh që rruga është këtu, por njerëzit krijojnë një drejtim tjetër, dhe e shënon.

Ku e gjeni motivin për çdo punë të realizuar me sukses?

Duke përfshirë edhe familjen time, shumë. Fakti që sa më shumë punë bën, aq më shumë kërkojnë, kjo është pozitive, na motivon. Njerëzit nuk mund të jenë të kënaqur, sepse nuk mbaron me kaq, mund të gëzojnë për një gjë, por jo të gjithë mund ta kenë rrugicën te shtëpia të shtruar. Problemet nuk mbarojnë e për pasojë ka dhe kërkesa. Rëndësi ka që njerëzit vazhdojnë e kërkojnë më shumë, kjo gjë na bën të mos ndalemi!

Ambiciet e radhës, edhe pse me shkëputje nga puna?

Kur të kthehem në punë, funksioni im do të jetë pak ndryshe. Do punoj në drejtorinë e projektimit e do merrem me projektimin e objekteve dhe hapësirave publike. Aktualisht në bashkinë e Tiranës po merremi me korsitë e biçikletave, që është një gjë që unë jam më e angazhuar, duke qenë se dhe vetë lëviz me biçikletë. Kështu që kryetari mendoi që një person që e përdor vetë biçikletën është më i mirë për ta ndjekur këtë projekt. Janë edhe projekte të tjera që do të vijnë si shtrimi i disa hapësirave publike në kryeqytet, modelimi urban etj. Jemi një ekip shumë i mirë që na presin sfida shumë të bukura.

Në terren sa të rëndësishme janë detajet për një punë të arrirë?

Jo vetëm në kontekstin e Bashkisë Tiranë, por për çfarëdolloj arkitekture që po futet tani, detajet bëjnë diferencën, si në anën konstruktive ashtu dhe atë vizuale.

Po në jetën e përditshme, sa të rëndësishme janë detajet?

Ndoshta duhet gjetur balanca, ekuilibri i duhur, sepse ndonjëherë edhe në jetën e përditshme, të ndalohet në gjëra shumë të vogla, ndoshta na stopojnë, e ndonjëherë njerëzit mund të thonë edhe e fiksuar. Janë të rëndësishme, por që duhet të bëhen pak më fleksibël që disa gjëra edhe mund të kalojnë. Të mos e përjetojmë çdo gjë me të njëjtin intensitet!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top