Marrëdhënie

April 18, 2018 | 13:46

Nga Adelina Pjetra / Mbështetja dhe trajtimi psikologjik në familje

Familja është sistemi i marrëdhënieve primare në procesin e individualizimit, rritjes dhe ndryshimit të individit. Familja është një sistem i gjallë, jetësor. Ajo është një grup i organizuar nga marrëdhëniet prindërore dhe të atashimit, i cili gjendet në përballimin e detyrave të zhvillimit në marrëdhënie, në etapat e ciklit jetësor.

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

Cili është cikli jetësor i familjes?

Formimi/bashkimi i çiftit, lindja e fëmijës së parë, familje me fëmijë në moshë shkollore, familje me adoleshentë, familje me fëmijë adult, familje që janë në moshë të thyer, mosha e tretë. Probleme familjare mund të kenë edhe familjet më të shëndetshme, që mund të rezultojnë sfiduese, frustuese dhe me ndërveprime të ashpra ndërmjet anëtarëve të familjes, të cilat mund të jenë nga irritime të vogla deri tek zemërimi, nga argumentet dramatike tek të ndjerit në faj, zhgënjime dhe zemërime, aq sa as i dinim që i kishim. Familjet tona na nxjerrin në pah emocionet tona më të forta që përjetojmë, për mirë apo për keq.

Shqetësimet dhe shenjat më të zakonshme

Idealja që mendojmë dhe dëshirojmë është se familja jonë është ajo ku gjithmonë mund të mbështetemi dhe mund të kërkojmë përkrahje, nga e cila marrim forcë dhe mendime, ndjejmë dashuri dhe shqetësim dhe na bën të ndihemi të afërt dhe mirë, që ndajmë hapur mendimet dhe ndjenjat. Në të vërtetë, pak familje i plotësojnë këto pritshmëri në 100% të kohës, dhe në disa raste, familja e dikujt tjetër mund të jetë shumë larg ideales, me stres, keqkuptime, zemërim, pa ndërveprim me njëri-tjetrin, etj. Nga familja e origjinës, zhvillojmë pritshmëritë tona për të tjerët, aftësitë e komunikimit, aftësinë për të dhënë dhe për të marrë dashuri, aftësi përballuese, si e shohim jetën. Përgjatë trajtave të tjera të panumërta, problemet kronike familjare mund të kenë efekt të qëndrueshëm. Problemet familjare nga më të lehtat, deri te më të rëndat, mund të ndryshojnë çdo familje në njëfarë mënyre. Këto mund të rezultojnë nga probleme të shëndetit mendor dhe të sjelljes ose nga ngjarje specifike stresuese.

Problemet më të zakonshme familjare përfshijnë:

  • Probleme financiare
  • Largimi nga jeta e një të afërmi apo miku
  • Abuzimi me substancat
  • Probleme me sjelljen dhe shqetësime për arritjet akademike të fëmijëve dhe adoleshentëve
  • Probleme të shëndetit mendor
  • Ndarje ose familje me shumë anëtarë të grupmoshave të ndryshme
  • Sëmundjet kronike

Pavarësisht nga burimi, dinamikat stresuese familjare mund të ndërhyjnë shumë në mënyrën e funksionimit të çdo anëtari të familjes, duke përfshirë edhe familjet e shpërndara në vende të ndryshme banimi. Edhe pse ata që jetojnë në të njëjtën banesë, kanë më shumë shanse të preken nga probleme familjare të shumta, krahasuar me ata që jetojnë veçmas, të ndarë nga familja bazë. Kur anëtarët e një familjeje nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, tensioni mund të ndikojë në shëndetin mendor dhe fizik të secilit anëtar të familjes, në marrëdhëniet me të tjerët e madje edhe në rutinën e përditshme të tij ose të saj.

Evidencat për probleme familjare mund të materializohen përmes konflikteve të vazhdueshme familjare, ndryshimeve të menjëhershme dramatike të sjelljes së fëmijëve dhe adoleshentëve, luhatje humori dhe depresion. Fatmirësisht, për të zgjidhur problemet familjare kërkohet bashkëpunimi i gjithsecilit në familje, dhe kjo siguron një mundësi të madhe për të fuqizuar komunikimin dhe ndërveprimin familjar.

Trajtimi psikologjik në familje

Terapia familjare është e dizenjuar të ndihmojë familjet që të bashkëpunojnë për të adresuar problemet e familjes. Koha e trajtimit është shpesh e shkurtër dhe shumica e modeleve të terapisë familjare shohin si të munden të adresojnë mënyrën e komunikimit (verbale dhe jo verbale), stilin e familjes dhe çdo problem individual që mund të ndërhyjë në kohezionin e sistemit familjar.

Nuk është e thënë që duhet të kemi probleme të mëdha familjare për të kërkuar terapi. Nga puna me një terapist, familjet mund të presin të mësojnë që të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin, të komunikojnë më me efikasitet dhe të punojnë më shumë për të rregulluar problemet e pashëndetshme. Terapistët familjarë dhe të çiftit mund të kërkojnë ta takojnë familjen në grup gjatë seancave terapeutike ose mund të bëhen seanca individuale për të zëvendësuar seancat në grup. Format më të shpeshta të terapisë familjare janë nën terapinë sistemike familjare, edhe pse ka disa modalitete të tjera të trajtimit që janë të përshtatshme për të adresuar shqetësimet familjare.

Idealja do të ishte nëse problemet familjare do të trajtoheshin në terapi menjëherë sapo ato shfaqen, por shpesh ndodh që problemet familjare nuk trajtohen në kohë, madje ndonjëherë nuk trajtohen fare dhe për këtë, problemet që rrethojnë një ngjarje apo çështje të familjes, mund të shfaqen tek anëtarët e familjes më vonë në jetë. Problemet e familjes së origjinës zakonisht trajtohen si pjesë e terapisë individuale, edhe pse personi zgjedh të bëjë terapi saktësisht për këto lloj problemesh apo për shqetësime të tjera.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top