Të parët në veprim, të fundit që kërkojnë ndihmë…
Oficerët e policisë janë ushtarët e vijës së parë në konfliktet e përditshme, incidentet, aksidentet dhe kur ka dhunë. Ndonëse shpesh janë të nënçmuar, këta burra dhe gra ndihmojnë që komunitetet tona të jenë më të forta dhe më të sigurta çdo ditë. Për fat të keq, punonjësit e policisë punojnë nën stres dhe presion të vazhdueshëm. Shumë oficerë policie vuajnë nga trauma për shkak të këtij stresi të vazhdueshëm të përditshëm dhe disa prej tyre janë të prekur nga PTSD. Të dyja: traumat dhe PTSD janë të trajtueshme. Por a marrin shërbime dhe trajtime psikologjike punonjësit e policisë në Shqipëri?
A vuajnë policët nga PTSD ose sëmundje që lidhen me traumat?
Ngjarjet traumatike mund të përfshijnë çdo ngjarje që i shkakton trurit të reagojë me një zgjim të lartë dhe të aktivizohet. Edhe ngjarjet pozitive si martesa, shtëpia e re apo foshnja e re mund të shkaktojnë që truri të reagojë me zgjim të lartë. Me kalimin e kohës, stresorët e vazhdueshëm mund të shkaktojnë probleme shëndetësore dhe sëmundje mendore si depresioni ose ankthi. Traumat e rënda që policët përballen rregullisht, mund të çojnë në një lloj ankthi më të rëndë të quajtur çrregullim i stresit post traumatik. Traumat dhe stresorët e përjetuar nga punonjësit e policisë mund të përfshijnë:
- Dëshmitar në krime të dhunshme
- Pjesëmarrje në situata të rrezikshme si dhunë në familje apo një vjedhje në proces e sipër
- Pjesëmarrje në ndjekje të rrezikshme të një makine (të dyshuar)
- Stres i vazhdueshëm kur nuk dinë n.q.s krimineli ka një armë apo ka qëllim të dëmtojë dikë
- Dëshmitar në katastrofa të ndryshme, akte terrorizmi dhe vrasje
- Puna me viktimat e traumatizuara të krimit
- Të gjuajë me armë një personi tjetër, aksidentalisht ose me qëllim
- Të jetë dëshmitar ose të përfshihet aksidentalisht në plagosjen ose vdekjen e një kolegu
- Frikë nga trazirat ose hakmarrja
Këto simptoma mund të jenë shumë traumatike me kalimin e kohës. Duhet të ekzistojnë shërbime mbështetëse në dispozicion të zyrtarëve të policisë që t’i ndihmojnë në kapërcimin dhe trajtimin e këtyre problemeve. Nëse stresi bëhet më shumë se ç’mund të përballojnë, kjo mund të ndikojë në karrierën e tyre, aftësinë për të marrë vendime të forta ose, në mos ekuilibrin e jetës së tyre familjare. Punonjësit e policisë duhet të jenë të vetëdijshëm për simptomat e PTSD që kërkojnë ndihmë.
Disa nga simptomat e PTSD përfshijnë si në vijim:
- Ripërjetimi i traumave nëpërmjet kujtimeve të gjalla apo ëndrrave
- Shpërthime të zemërimit ose episode inati/acarimi
- Periudha depresive ose luhatje të papritura të humorit
- Ankth ose atak paniku
PTSD gjithashtu mund të çojë në probleme me abuzimin e substancave dhe varësisë. Shumë njerëz që vuajnë nga PTSD gjithashtu mund të vuajnë edhe nga abuzimi i substancave. Shumica e oficerëve të policisë thonë se, pirja apo përfshirja në sjellje problematike fillimisht është si një mënyrë për të përballuar stresin.
Çfarë deklarojnë disa punonjës POLICIE?
“Ndonjëherë sytë tanë janë të detyruar të shohin më shumë sesa mund të durojnë shpirtrat tanë”.
“Me trajnimet në polici ne i dimë detyrat tona dhe shumë herë veprojmë në mënyrë automatike. Por çfarë ndodh kur incidenti është jashtë normave, si lëndimet në aksidentet rrugore që janë shqetësuese dhe të vështira për t’u larguar nga mendja? Po kur e njohim viktimën, një mik apo koleg? Ose viktima është një fëmijë apo i moshuar , që na kujton fëmijët apo prindërit tanë?”
Edhe në rastet kur është dëshmitar për vdekjen e një fëmije ose të një oficeri të policisë, apo ndonjë tragjedie tjetër të tmerrshme, policët shpesh janë të ekspozuar ndaj incidenteve dhe imazheve që i ndjekin ato për një kohë të gjatë.
Të përjetosh sikur edhe vetëm një ngjarje traumatike, apo të shohësh dhe përjetosh ngjarje të shumta traumatike me kalimin e kohës, disa individë mund të vuajnë nga makthet, flashbacks dhe simptoma të tjera të PTSD. Dhe nganjëherë, një kujtesë traumatike mund të bëhet e ngrirë, e mbërthyer në tru, ku mund të vazhdojë të ngacmohet nga kujtimet.
Ekziston një shprehje e vjetër se “ka disa gjëra që thjesht nuk mund t’i heqësh, t’i bësh të pa shikuara”; Ndërkohë që kjo mund të jetë e vërtetë, ka prova të qarta se me ndihmën e një terapisti të (EMDR), një qasje integrative terapeutike për trajtimin e kujtimeve shqetësuese, policët mund të trajtojnë pjesën më të madhe të këtyre traumave.
Pra, si mundet dikush që ka përjetuar trauma të rënda vizuale ta përballojë atë?
Ndonjëherë vetëm “duke folur për traumën” nuk mjafton. Këtu mund të futet mjaft mirë trajtimi EMDR.“Të flasësh për traumën ndihmon, por nuk duket se mund të arrijë në pjesën e trurit ku kujtesa është “e ngrirë”. Kjo është arsyeja se përse ngjarjet shqetësuese vazhdojnë të ripërjetohen dhe rijetohen, pavarësisht se tregojnë historinë ose flasin për të. Këto përvoja jetojnë në kohën e traumës dhe mund të ripërjetohen vazhdimisht.
EMDR është një qasje terapeutike që shkon “përtej fjalëve” për të zgjidhur kujtimet që kanë mbetur” të ngecura” në memorie.
Sipas Salomon: një psikolog dhe psikoterapist i policisë, i cili është në specializimin e terapisë EMDR dhe i cili siguron trajnimet bazë dhe të avancuara EMDR në nivel ndërkombëtar , e di që synimi i terapisë drejtohet nga kujtimet e kaluara që i nënshtrohen problemeve aktuale, situatave të pranishme që shkaktojnë simptoma dhe përcakton një pozicion pozitiv në modelin e të ardhmes për një sjellje përshtatëse.
“EMDR është në përputhje me elementët e qasjeve të tjera klinike. Sidoqoftë, është një formë e veçantë e psikoterapisë, e cila drejtpërdrejt adreson kujtimet e ruajtura fiziologjikisht”.
Shkurtimisht, terapia EMDR përbëhet nga tetë faza dhe një metodologji trehapëshe për të identifikuar dhe përpunuar traumën:
- A) Kujtimet e kaluara për përvojat e padëshiruara të jetës që i nënshtrohen problemeve aktuale
- B) Situatat aktuale që shkaktojnë shqetësime
- C) Rritja e aftësisë për t’u marrë me rrethanat e padëshiruara në të ardhmen
8 Fazat e terapisë EMDR :
- Faza e historisë: Së pari, diskutohen problemet dhe rrethanat e tanishme studiohen përvojat që bazohen në problemet aktuale.
- Faza e përgatitjes: Shpjegohen procedurat e terapisë EMDR, duke përfshirë atë që duhet të presin, për shembull: mund të lindin emocione të forta kur kujtesa po përpunohet.
- Faza e vlerësimit: Pas përzgjedhjes së kujtesës për t’u përpunuar, klientit i kërkohet të identifikojë imazhin që përfaqëson pjesën më të keqe të incidentit dhe besimin negativ dhe irracional që shkon me incidentin (“Është faji im” ose “Unë duhet të bëja më shumë “Ose” Unë jam i prekshëm/vulnerabël” ose “Unë jam i paaftë “) diskutohet më pas. Identifikimi i një besimi pozitiv, qëllimi i sesionit (“Unë bëra më të mirën që munda” ose “Nuk është faji im” ose “Unë jam i sigurt tani” ose “Kam disi kontroll”). Emocionet, sa shqetësuese është ngjarja (0-10, me 10 që është më e keqja që mund të jetë dhe 0 aspak shqetësuese) dhe gjithashtu identifikohen ndjesitë.
- Faza e desensibilizimit: Kjo është faza e parë e ripërpunimit, gjatë së cilës përpunohen objektivat e kujtesës. Terapisti përdor lëvizjet bilaterale të syve, të ngjashme me gjumin REM, për të stimuluar mekanizmat e përpunimit të informacionit të trurit. Prekja alternative në duar (tapping) mund të jenë gjithashtu efektive. Qëllimi i kësaj faze është ulja e shqetësimit, duke i lejuar personit të mendojë për incidentin pa shqetësim. Për shembull, në shkallën nga 0-10,ku 0 do të ishte ndihem i qetë. Megjithatë, EMDR nuk heq emocionet e duhura, kështu që jo çdo gjë shkon në “0” EMDR nuk është një “fshirëse e mendjes”. Personi nuk e harron atë që ka ndodhur, por bëhet diçka që ka mbaruar dhe është në të kaluarën. Personi nuk jeton më në “kohën e traumës”.
- Faza e instalimit: Vetëbesimi pozitiv më i dëshiruar i individit, për shembull: besimi pozitiv i identifikuar gjatë fazës së vlerësimit, identifikohet dhe rritet për të zhvilluar lidhjen e saj me kujtesën negative. Pra, personi mund ta mendojë kujtesën me qetësi dhe me një qëndrim që nxit elasticitetin (“Ka mbaruar” ose jam i sigurt tani” ose “Unë nuk mund t’i kontrolloj situatat që has në jetë, por unë mund ta kontrolloj përgjigjen time ndaj situatës”).
- Faza e skanimit trupor: Individi identifikon dhe përpunon ndjenjat fizike të mbetura për të përfunduar zgjedhjen e tij . Meqenëse materiali i ruajtur në mënyrë jofunksionale shpesh shfaqet përmes ndjenjave fizike, përpunimi nuk konsiderohet i plotë derisa të eliminohen të gjitha përgjigjet negative somatike.
- Faza e mbylljes: Kjo periudhë ndërron fokus larg nga rrjeti negativ i kujtesës, në ato të rrjeteve neutrale ose pozitive. Në këtë fazë, klientët informohen për atë që duhet të presin midis seancave dhe udhëzohen të mbajnë një ditar të shkurtër të përvojave të tyre psikologjike/gjendjes së mendjes për të identifikuar objektivat potencial të EMDR në seancat e ardhshme.
- Faza e rivlerësimit: Klienti vlerësohet nëse efektet e trajtimit janë ruajtur dhe çfarë tjetër mund të ketë dalë që duhet të trajtohet. Shpesh shfaqen aspekte të tjera të kujtesës ose kujtime të tjera shqetësuese. Këto kujtime të reja mund të trajtohen gjithashtu.
Pse terapia EMDR është kaq e suksesshme në trajtimin e traumave?
Terapia EMDR nuk përfshin përshkrime të detajuara të ngjarjes, sfidë të drejtpërdrejtë ose formim të besimeve ose sjelljeve negative, ekspozim i zgjatur ndaj traumës apo detyra të përditshme shtëpie.
Në vend që të detyrojë vëmendjen e klientit për të mbetur në aspektin e ankthit të ngjarjes, qëllimi është të iniciojë përpunimin natyral duke hyrë në kujtesën shqetësuese, duke stimuluar sistemin e përpunimit të informacionit të trurit dhe duke lejuar vëmendjen e klientit të lëvizë spontanisht në lidhjet e brendshme gjatë periudhave të stimulimit të dyfishtë të vëmendjes.
Kjo lejon që individi të jetë i përgatitur të “lejojë çdo gjë që ndodh”, dhe që terapisti të mbetet mbështetës i klientit me sa më pak ndërhyrje të jetë e mundur. Kjo lejon që kujtesa “e ngrirë” të integrohet brenda rrjetit më të gjerë të kujtesës.
“Imazhet mund të vazhdojnë të ndërhyjnë dhe mund të ketë përpjekje për të shmangur rikujtimet, mendimet dhe ndjenjat për ngjarjen. Ndjenjat e axhitimit, ankthit ose depresionit mund të përjetohen, por EMDR mund të ndihmojë. Kjo terapi është përdorur me sukses në botë për punonjësit e policisë që mund të bllokohen nga kujtimet traumatike.
EMDR Albania është një shoqatë Italo-Shqiptare, anëtare e Emdr Europe, e cila trajnon dhe formon terapistët Emdr në të gjitha trevat shqipfolëse (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi). Anëtarët e Emdr Albania janë të kualifikuar për të trajtuar emergjencat dhe Traumat Psikologjike. Një ndër objektivat e kësaj shoqate është edhe marrëveshja me institucionet shqiptare për të ofruar shërbim cilësor psikologjik për popullatën dhe për punonjësit e administratës shtetërore (ku përfshihen edhe punonjësit e policisë, zjarrfikësit etj).
Ky artikull vjen në vëmendje të shtetit, për t’i ofruar punonjësve të tij një shërbim të munguar dhe të domosdoshëm. Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa edhe funksionimi i mirë i një shteti.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.