Marrëdhënie

March 1, 2018 | 9:25

Nga Adelina Pjetra / Terapia në problemet familjare, rregullator i shëndetshëm

Probleme familjare mund të kenë edhe familjet më të shëndetshme, që mund të rezultojnë sfiduese, frustruese dhe me ndërveprime të ashpra ndërmjet anëtarëve të familjes. Ato mund të jenë nga irritimer e vogla deri te zemërimi, nga argumentet dramatike, tek të ndjerit në faj, zhgënjime dhe zemërime, aq sa as i dinim që i kishim. Familjet tona na nxjerrin në pah emocionet tona më të forta që përjetojmë, për mirë apo për keq.

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

Adelina Pjetra , Psikologe Klinike dhe Psikoterapiste EMDR

Shqetësimet dhe shenjat më të zakonshme

 Idealja që ne mendojmë dhe dëshirojmë është që familja është ajo ku mund të mbështetemi dhe marrim përkrahje gjithmonë, nga e cila marrim forcë dhe mendime, për të cilën ndjejmë dashuri dhe shqetësim dhe që na bën të ndihemi të afërt, të ndihemi mirë, ku ndajmë hapur mendimet dhe ndjenjat. Në realitet, pak familje i plotësojnë këto pritshmëri në 100% të kohës, dhe në disa raste, familja e dikujt tjetër mund të jetë shumë larg ideales, me stres, keqkuptime, zemërim, pa ndërveprim me njëri-tjetrin, etj. Nga familja e origjinës, zhvillojmë pritshmëritë tona për të tjerët, aftësitë e komunikimit, aftësinë për të dhënë dhe për të marrë dashuri, aftësi përballuese, si ta shohim jetën.

Përgjatë trajtave të tjera të panumërta, problemet kronike familjare mund të kenë efekt të qëndrueshëm. Problemet familjare nga më të lehtat te më të rëndat, mund të ndryshojnë çdo familje në njëfarë mënyre. Këto mund të rezultojnë nga probleme të shëndetit mendor dhe të sjelljes ose nga ngjarje specifike stresuese.

Problemet më të zakonshme familjare përfshijnë:

  • Probleme financiare
  • Zia (humbja e një personi)
  • Abuzimi me substancat
  • Probleme me sjelljen dhe shqetësime për arritjet akademike të fëmijëve dhe adoleshentëve
  • Probleme të shëndetit mendor
  • Ndarje, divorc, ose familje me shumë anëtarë të grupmoshave të ndryshme
  • Sëmundje kronike

Pavarësisht se cili është burimi, dinamikat stresuese familjare mund të ndërhyjnë shumë në mënyrën e funksionimit të çdo anëtari të familjes, duke përfshirë edhe familjet e shpërndara në vende të ndryshme banimi. Edhe pse ata që jetojnë në të njëjtën banesë kanë më shumë shanse të preken nga probleme familjare të shumta sesa ata që jetojnë veçmas, të ndarë nga familja bazë. Kur anëtarët e një familjeje nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, tensioni mund të ndikojë në shëndetin mendor dhe fizik të secilit anëtar të familjes, në marrëdhëniet me të tjerët, dhe madje edhe në rutinën e përditshme të tij ose të saj.

Evidencat për probleme familjare mund të materializohen përmes konflikteve të vazhdueshme familjare, ndryshimeve të menjëhershme dramatike të sjelljes së fëmijëve dhe adoleshentëve, luhatje humori dhe depresion. Fatmirësisht, për të zgjidhur problemet familjare kërkohet bashkëpunimi i gjithsecilit në familje, dhe kjo siguron një mundësi të madhe për të fuqizuar komunikimin dhe ndërveprimin familjar.

Psikoterapia për problemet familjare

Terapia familjare është e dizenjuar të ndihmojë familjet të bashkëpunojnë për të adresuar problemet e familjes. Koha e trajtimit është shpesh e shkurtër, dhe shumica e modeleve të terapisë familjare shikojnë si të munden të adresojnë mënyrën e komunikimit (verbale dhe jo verbale), stilin e familjes dhe çdo problem individual që mund të ndërhyjë në kohezionin e sistemit familjar. Nuk është e thënë që duhet të kemi probleme të mëdha familjare për të kërkuar terapi. Nga puna me një terapist, familjet mund të presin të mësojnë që të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin, të komunikojnë më me efikasitet dhe të punojnë më shumë për të rregulluar problemet e pashëndetshme.

Terapistët familjarë dhe të çiftit mund të kërkojnë ta takojnë familjen në grup gjatë seancave terapeutike, ose mund të bëhen seanca individuale për të zëvendësuar seancat në grup. Format më të shpeshta të terapisë familjare janë nën terapinë sistemike familjare, edhe pse ka edhe disa modalitete të tjera të trajtimit, të cilat janë të përshtatshme për të adresuar shqetësimet familjare. Idealja do të ishte, që problemet familjare të trajtoheshin në terapi menjëherë sapo ato shfaqen, por shpesh ndodh që problemet familjare nuk trajtohen në kohë, madje ndonjëherë nuk trajtohen fare.

Për këtë, problemet që rrethojnë një ngjarje apo çështje të familjes, mund të shfaqen tek anëtarët e familjes më vonë në jetë. Problemet e familjes së origjinës, zakonisht trajtohen si pjesë e terapisë individuale, edhe pse personi zgjedh të bëjë terapi ekzaktësisht për këto lloj problemesh apo për shqetësime të tjera.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top