Marrëdhënie

August 31, 2017 | 8:33

Nga Afërdita Bano: Kur mbaron një dashuri!

Kur një dashuri arrin në vijën e finish-it, individi përjeton një nga zhgënjimet më të mëdha të jetës së tij, sidomos nëse braktiset nga personi që dashuron. Por edhe kur vetë individi kupton se nuk e dashuron më partnerin e tij, ndjen gjithashtu një boshllëk e dhimbje të papërshkrueshme. Historitë e dashurisë disa herë nuk kanë fund të lumtur,  por në përfundim të tyre individët zbulojnë se duhet të përballen me veten si individ unik dhe jo më si gjysma e çiftit.

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Përse vuajmë kaq shumë?

Në të pavetëdijshmen e individëve krijohet një Gestalt ose një formë, e cila përbëhej nga ajo dhe ai. Sa herë një grua para se të blejë fustanin e saj të ëndrrave ka pyetur veten: “Vallë a do t’i pëlqejë atij?” Sa herë një burrë ka pyetur veten: “A do të jetë dakord partnerja për ngjyrën e kostumit që kam zgjedhur?”

Gjatë jetesës së përbashkët në brendësi të individit është formuar një numër çift, numri 2. Erosi për një kohë të gjatë i ka bashkuar këta dy individë në një trup të vetëm, në një shpirt të vetëm, në një ngjarje të vetme. Për këtë arsye ndarja shkakton dhimbje e vuajtje, identiteti ndryshon, nuk është më ai i çiftit që njihnim, por kjo dhimbje na bën që të zbulojmë pas shumë kohësh veten.

Humb një njeri të rëndësishëm, por fiton vetveten

Kur dikush na thotë lamtumirë, identiteti ynë vuan, sepse humbasim diçka që na përkiste, diçka që na plotësonte. Në fillim vetmia sjell shumë dhimbje, dhimbjen e lamtumirës, atë të mërisë, e inatit.

break-upÇfarë duhet të bëjmë?

Ka një rrugë të vetme për të gjetur paqen dhe qetësinë, duhet t’i besojmë anës sonë më të thellë. Besoji imagjinatës dhe kapërce fantazmat e së shkuarës. 

Kur flemë hyjmë në një botë të errët dhe të thellë. Në shkretëtirën e natës shfaqen si shkëndija ëndrrat, imazhet e thellësisë sonë, tempulli i unit, atje ku jeton natyra jonë më autentike. Ëndrra na drejton në një gjendje të panjohur në të cilën rilindim. Është shumë e rëndësishme kur dashuritë mbarojnë të mos ndalemi te çfarë ka ndodhur, e kaluara, dhimbja, lamtumira apo jeta pa gjysmën tjetër, por të ndalemi pikërisht te imazhet e brendshme.

Është koha të rinisim udhëtimin

Duhet të imagjinojmë se kjo lamtumirë e dhimbshme po kontribuon në përgatitjen e një udhëtimi të ri, duke bërë kështu që në pemën tonë të brendshme të çelin gjethe të reja. Për këtë duhet të evitojmë përjetimin e së shkuarës, të çlirohemi nga ajo që s’është më dhe të imagjinojmë se bima do të vazhdojë të lulëzojë.

Nëse nga njëra anë e bregut është dhimbja që sapo kemi kaluar, nga ana tjetër mund të përjetojmë dëshirën e një rrugëtimi të ri. Deri sa të arrijë paqja dhe më pas lumturia, e cila nuk do të varet nga një dashuri e re, por nga pranimi i bërjes së llogarive me veten. Dhe një ditë do të kuptojmë se ajo lamtumirë ishte e nevojshme për një etapë të re në jetën tonë, sepse disa herë dashuritë që përfundojnë, janë porta që hapen drejt mundësive të reja.

Secili nga ne ndjek rrugëtimin drejt vetvetes për t’u bërë tërësisht vetvetja dhe lamtumira e partnerit nga ky këndvështrim, është momenti i duhur për të rinisur udhën drejt këtij monopati.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top