Mirëqenie

September 28, 2017 | 10:21

Nga Afërdita Bano: Nuk di ç’të them! Kur sëmundja troket shumë pranë nesh

Nuk është e lehtë të përballosh sëmundjen e një njeriu të afërt apo një miku. Edhe kur sëmundja nuk është e jona, frika dhe ankthi mund të na kaplojnë, emocionet bëhen tepër të shpeshta, pikërisht se personi i sëmurë është një njeri që ne e duam shumë. Ne vuajmë për të dhe kemi frikë se mos e humbasim. Por, jo vetëm ne vuajmë, edhe pse tek ai shohim të pasqyruar veten tonë dhe faktin se edhe ne mund të sëmuremi, madje edhe të vdesim.

Afërdita Kulla Bano, MSc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Kulla Bano, MSc. Psikologe Këshillimi

Ndërkohë që përballemi me sëmundjen e të afërmit tonë, themelet e bindjes së pavdekshmërisë që na shoqërojnë që nga lindja, fillojnë të lëkunden. Vështirësitë tona manifestohen nëpërmjet fjalëve, por edhe sjelljes. Shpesh na mungojnë fjalët dhe gjuha jo verbale e trupit na tradhton. Ngurtësia e trupit, shprehja e fytyrës, toni i zërit dhe distanca mes dy personave na dërgon sinjale të panumërta.
Shmangia e shikimit në sy, loja nervoze me objekte aty pranë, shmangia e dhomës së të sëmurit, shikimi i fshehtë mes mjekut dhe familjarëve janë ndonjëherë mesazhe tepër të dukshme më shumë se çdo fjalë e shprehur. Mesazhet që ne dërgojmë janë shpesh kontradiktore, sepse ne mundohemi të përdorim fjalë që shprehin shpresë, por nuk e shohim personin e sëmurë në sy ose e sigurojmë se gjithçka do të shkojë mirë dhe në të njëjtën kohë mundohemi të shmangim bisedat për planet e ardhshme. Heshtja në vetvete përmban shumë elementë të komunikimit e mund të shprehë kuptime thellësisht të ndryshme mes tyre si dashuria apo largimi dhe refuzimi. Të sëmurët dhe kërkimet shkencore kanë theksuar se dashuria dhe miqësia ndikojnë pozitivisht mbi sëmundjen  dhe një sëmundje e rëndë nga ana tjetër mund të forcojë dashurinë dhe miqësinë.

Shpesh lidhjet e forta krijohen kur njerëzit përballen së bashku me eksperiencat negative jetësore. Energjia që buron nga këto lidhje ndihmon në kapërcimin e ngërçit fillestar në përballjen me sëmundjen. Por të afërmit dhe miqtë mund të distancohen nga familjari apo miku i tyre pasi fraza që më tepër insiston të trokasë në vetëdijen e tyre është: Nuk di ç’të them!

E rëndësishme në një moment të tillë është të qëndrojmë  më shumë se të flasim apo të bëjmë diçka. Është më e lehtë të shkosh të paguash faturat e të merresh me punë ndihmëse se sa të dëgjosh frikërat e shqetësimet e të sëmurit, sepse frikërat e tij janë edhe tonat. Të qëndrosh me mendje dhe trup pranë personit të dashur është më e rëndësishme se një lum fjalësh e veprimesh  të nxituara. Të gjithë përballë situatave të tilla ndihemi konfuz dhe të paralizuar dhe kemi ndjesinë se nuk dimë se ç’duhet të themi e ndonjëherë mendojmë se duhet patjetër të themi diçka apo të bëjmë diçka në mënyrë që i sëmuri të ndihet më mirë. Në këtë mënyrë ndihemi sikur do të na duhet një formulë magjike. Por formulat magjike nuk ekzistojnë dhe i sëmuri me tumor ka nevojë për një dashuri që të mos jetë mbytëse e mos ta bëjë të ndihet i varur. Ka nevojë mbi të gjitha për mirëkuptim dhe stimuj që të mos cenohet dinjiteti i tij. Ka nevojë për kurajë pasi vdekja mund të përballohet edhe me një gjendje shpirtërore më të qetë.

Të duash e të qëndrosh pranë një të sëmuri rëndë nuk do të thotë të sakrifikohemi për të, por t’i dhurojmë dashuri atij dhe vetes sonë. Ndjenjat e pashprehura mund të na dëmtojnë. Një nga argumentet që familjarët apo miqtë përdorin për të justifikuar mungesën e komunikimit me pacientin është se, po të flasin për frikën dhe ankthin mund t’i nxisin këto ndjenja tek i sëmuri, sidomos nëse ai nuk i përjeton ato para bisedës.

Me fjalë të tjera, një familjar apo mik mund të mendojë se nëse e pyet pacientin a është i shqetësuar për radioterapinë apo nëse ka frikë dhe merr përgjigje negative, ndoshta e nxit që të lindin tek ai frika dhe ankthi. Por nuk është kështu! Sipas studimeve, rezulton se bisedat me miqtë e të afërmit nuk krijojnë ankth tek i sëmuri. Sipas studimeve rezulton e kundërta, mungesa e komunikimit nga frika e shqetësimet, e cila i zmadhon ato. Ata që nuk kanë me kë të flasin shpesh bëhen ankthiozë dhe depresivë, dhe shqetësimi më i madh i tyre është se të tjerët përreth nuk i drejtojnë fjalën me frikën se mos i lëndojnë. Në këtë mënyrë rritet ndjenja e izolimit dhe pesha e sëmundjes rëndohet.

 

Të gjithë ju që ndodheni pranë një të afërmi apo miku që është diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, qëndroni pranë tij, flisni hapur mbi emocionet dhe dëgjojeni me vëmendje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top