Në fokus

August 24, 2017 | 9:54

Nga Afërdita Bano: Vajza inteligjente dhe imagjinata e saj

Fëmijët me një inteligjencë më të lartë se të tjerët kanë shpesh edhe një imagjinatë më të gjerë. Ata shpesh përballen me probleme emocionale si pasojë e të ndjerit ndryshe dhe jo të kuptuar. Në këtë shkrim do të lexojmë historinë e Anisës, një vajze 13-vjeçare, do të shohim dhe përjetojmë emocionet e saj, vështirësitë dhe përdorimin e  imagjinatës nga vajza, e cila edhe pse në fillim e ka penguar në jetën sociale ka luajtur rol në kapërcimin e situatave dhe vështirësive të ndryshme.

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Kulla Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Kjo është historia e Anisës, një vajze me një inteligjencë të lartë dhe me dhunti të shumta, e cila duke u rritur zbuloi se mund të ëndërronte edhe me sy hapur kur ndihej e vetmuar. Anisa që në moshë të vogël ishte spikatur nga edukatoret si një fëmijë, i cili kishte të gatshme përgjigjen për çdo pyetje të vështirë, për moshën e saj, ishte shumë kurioze dhe mësoi herët të shkruante e të lexonte. Shpejtësia në të kuptuar e entuziazmonte vajzën, pasi ajo gjithmonë  mund të zbulonte gjëra të reja dhe të gjente brenda mendjes së saj një burim të pashtershëm stimujsh. Ajo bënte shumë pyetje, duke  vënë në provë njohuritë e prindërve, të cilët ndonjëherë e humbitnin durimin dhe pyesnin veten a do të ndihej ndonjëherë e kënaqur ajo nga përgjigjet e tyre.

12Anisa ishte një fëmijë shumë inteligjent. Ajo shpejt mësoi t’i përgjigjej vetë pyetjeve që i lindnin. Ndërsa kur nuk mund të gjente përgjigje për disa pyetje, ajo filloi të mos i shprehte, sepse ndiente se të tjerët përreth nuk e kuptonin.

Pyetjet që i vërtiteshin në kokë  ishin të shumta dhe shpesh i shkaktonin ankth dhe dhimbje koke: Sa i madh është universi? A ekziston diçka tjetër më tej? Si janë formuar yjet? A mund t’i numërosh? Infiniti a mund të ndahet? Çfarë ka pas vdekjes?

Duke u rritur, Ani kuptoi se kur ajo pyeste të tjerët habiteshin ndërsa kurioziteti i saj rritej. Sa më shumë shtoheshin pyetjet që kishte në kokë aq më e fortë bëhej dëshira për të menduar dhe arsyetuar. Kurioziteti ecte paralelisht me dëshirën e ndarjes së zbulimeve me të tjerët. Shumë shpejt vajza hoqi dorë nga shprehja e ndarja e  kuriozitetit dhe zbulimeve të saj me të tjerët, pasi ajo kuptoi se vetmia ishte më pak e dhimbshme se sa zhgënjimi dhe të ndjerit ndryshe. Ajo shpesh gjente strehë në mendimet e saj, në ëndrrat me sy hapur, në botët paralele që vizitonte me imagjinatën e saj.

Anisa kishte tashmë një botë ku mund të shprehte lirisht imagjinatën e saj. Edhe kur kishte qenë më e vogël, ajo imagjinonte sikur kishte një shok special, Filipin, me të cilin mund të fliste, ndërsa tani që ishte rritur kish hequr dorë prej Filipit, por jo prej imagjinatës. Në shkollë konsiderohej gjithmonë si kreative dhe antikonformiste, shumë herë kish zgjidhur probleme, duke përdorur imagjinatën e herë të tjera ëndërrimi me sy hapur e kish larguar nga e tashmja dhe realiteti. Për këtë ndonjëherë ndodhte që të tjerët ta quanin të tërhequr, të shkëputur dhe jo realiste. Imagjinata në vend që ta ndihmonte në përballimin e situatave të ndryshme, e kish mbrojtur nga këto të fundit aq sa Ani nuk ishte stërvitur asnjëherë të toleronte frustrimin. Shpesh ajo ndihej e lënduar dhe e mërzitur dhe kjo bënte që ajo të zhytej edhe më thellë në botën e saj.

Po çfarë po ndodhte me Anisën? Çfarë po humbiste ajo?

Mundësinë e komunikimit me të tjerët. Sa më shumë mbyllej në vetvete, aq më tepër humbiste aftësinë e të shprehurit të vorbullës së emocioneve që kishte përbrenda. Ndonjëherë kur emocionet bëheshin të papërmbajtshme, shfaqeshin në mënyrë violente, duke e frikësuar dhe frenuar akoma më shumë. Anisa po humbiste mundësinë e pasqyrimit te të tjerët e të qenit e pranuar dhe e kuptuar dhe tani që po hynte në adoleshencë ndiente nevojën e përkatësisë në një grup për t’u identifikuar me të tjerët e për mos t’u ndierë ndryshe nga ata.

Anisa u mundua të mos mendonte më, por më pas mësoi se mund të përdorte imagjinatën e saj për të trajtuar shqetësimet që afrimi me të tjerët shkaktonte te ajo. Frustrimet dhe zhgënjimet mund të toleroheshin, duke mësuar shprehjen e prospektivave të saj dhe duke ndryshuar këndvështrimin e saj. Kur gjendej përballë një problemi imagjinonte si mund të ndjehej dikush tjetër në vend të saj ose çfarë mund të bënte ajo në kushte të tjera. Për shembull, nëse duke folur me një shok klase mbi studimin e saj mbi në fizikë ky i fundit do të reagonte pa interes, në vend që të tërhiqej e zhgënjyer Anisa mund të provonte të imagjinonte si ishte ndjerë shoku i saj. Mund të imagjinonte si ta bënte më interesant një argument që i pëlqente. Ajo zbuloi kështu se ngritja e hipotezave e ndihmonte të menaxhonte emocione si inati, frika e trishtimi.

Imagjinata kështu u shndërrua nga një strehë ku vajza largohej nga bota e jashtme në një mënyrë për të krijuar ura lidhëse me të pa u tronditur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top