Psikofakt

May 31, 2018 | 8:45

Nga Alba Dajlanaj: Ekspozita “Shqipëria sot”… një Shqipëri me dy pole të ngurta

Në kohën e monizmit mbaj mend në qendër të Tiranës mbahej hapur Ekspozita “Shqipëria sot” si simbol i arritjeve dhe i përparimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve “të lumtur” e të “ngujuar në kafaz” tingëllon ironike, por ishte interesante si ide kjo ekspozitë!

Alba Dajlanaj, arsimtare

Alba Dajlanaj, arsimtare

Por edhe sot mund të ngremë një ekspozitë me të njëjtin titull “Shqipëria sot” dhe kjo jo për ironi, por për vazhdimësi, sepse mendoj se asgjë nuk ka ndryshuar nga ai sistem që shkoi. Vetëm forma ka ndryshuar, përmbajtja jo!

Në fakt, shqiptarët sot, për fat kanë shpëtuar nga “të ngujuarit në kafaz”, por kanë hyrë në një kafaz tjetër do ta quaja, në kafazin e një apatie, “apatie sociale”, dhe qëndrojnë ashtu për më shumë se dy dekada e gjysmë, dhe e ushqejnë këtë apati me llomotitje pa fund, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Një llomotitje pa fund që i ngjan një ene të madhe monstruoze, ku dekompozohen pa mëshirë besimet dhe aspiratat e vendit dhe për fat të keq, ndërtohet një model i keq për të ardhmen e vendit.

Ç’fatkeqësi!

press-905x395Llomotitja në fakt është një fenomen abstrakt, por shumë e fuqishme për të mbajtur ritmin gumëzhitës të një shoqërie të tërë. Dhe i kemi bërë asaj një shtrat të gjerë e të rehatshëm, me bare dhe kafene, në jetën virtuale gjithashtu deri në mbrëmje. Ah, në mbrëmje… në mbrëmje ajo merr një pamje të sofistikuar, në mbrëmje ajo kalon në atë shtratin e saj modern e të legjitimuar mediatik, në shtratin e gjerë të një analize politiko-sociale. Dhe populli ynë politikëdashës mbasi ka llomotitur gjithë ditë për të njëjtat tema,në mbrëmje kthehet, i shikon e i dëgjon përsëri këta analistë politike e politikanë si perëndi, a thua se do të dëgjojmë ndonjë profeci! Pra, të urtë e të bindur, bëjmë rolin e spektatorit dhe shikojmë çdo mbrëmje spektaklin mynxyrë të politikanëve tanë!

Fakti që kemi qenë një popull i privuar nga mendimi dhe fjala e lirë, shpjegon edhe këtë tendencë për një llomotitje të shfrenuar  që i ka dhënë përparësi regresit.

Unë kisha dëshira miqtë e mi t’i hidhnim një sy të vëmendshëm kësaj “ekspozite” imagjinare, por me produkte tepër reale të shoqërisë sonë në këta 27 vjet!

Që në hyrje të kësaj ekspozite të bien në sy toka me kanabis, shikoj trafikantë droge që s’iu dridhet aspak qerpiku, ministra të korruptuar mafiozë… më tej shikoj një qeveri që lëngon nga korrupsioni, shikoj në të ashtuquajtur “reformë” në drejtësi që kërkon të kapë me çdo kusht “peshq” të mëdhenj që s’ka rrjetë që t’i zërë.

Vazhdoj më tej në ambientet e kësaj ekspozite, shikoj një media që mbahet në punë me llomotitje të përsëritura, rraskapitëse, madje ezauruese për gjendjen e brishtë të apatisë së këtij populli. Një media që analizon pa fund politikanë që ngrenë gishtin kundër njëri-tjetrit, por nuk kanë asnjëherë kurajë t’ia drejtojnë vetes.

Vazhdoj, kureshtare, eci më në thellësi të ambienteve të kësaj ekspozite. Shikoj një Shqipëri me dy pole të ngurta: nga njëri pol shumë të pasur e nga poli tjetër, shumëëë të varfër, pra një Shqipëri PA një klasë të mesme! Vazhdoj me vëmendje të eci brenda ambienteve të ekspozitës me keqardhje dhe e dëshpëruar të kërkoj Elitën e popullit tim, por nuk e shikoj gjëkundi…

media-1

Shikoj një popull që rri urtë… shumë urtë, që rri e dëgjon dhe shijon shijen e hidhur të këtij spektakli makabër politikanësh të paskrupullt, të këtij teatri tragjikomik që mban peng për më shumë se dy dekada e gjysmë ëndrrën krahëthyer të shqiptarëve për një Demokraci të vërtetë!

Eci e menduar në ambientet e kësaj ekspozite dhe mendoj se ajo që përbën dhe esencën e këtyre produkteve është se karakteri kombëtar është gjymtuar, ne jemi kthyer në llomotitës e konsumatorë mediatikë, të paaftë të nxjerrim nga ndërgjegjja e këtij kombi mendje brilante që të na udhëheqin dhe të paaftë të krijojmë diçka tonën që të na identifikojë!

Kjo është e tmerrshme !

Në fakt, prej kohësh më mundon një pyetje që ia bëj shpesh vetes, – kujt i intereson të ezaurojë kaq shumë këtë popull?? Një frikë rrëqethëse më përshkon dhe më bën të kuptoj se popuj apatik, të brishtë, me limite të kapërcyera durimi janë lehtësisht të asimilueshëm nga fqinjët, por edhe më tej!

As besim, as shpresë nuk shoh, vetëm ajo qëndron stoike, “llomotitja”. Oh, e tmerrshme çfarë ironie!

Një vullkan që zien e nuk shpërthen!

A nuk mendoni miq të nderuar se sot është koha të zgjohemi, të heqim këtë perde apatie, të përpiqemi të tregojmë se Shqipëria nuk është pronë e 20 ministrave të paskrupullt, por është e të gjithëve ne, shqiptarëve!

A nuk mendoni se sot, tani, është koha të ngrihemi e të pagëzojmë këtë vullkan që zien me emrin Revolucion?!

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com