Koncepti i Administratës së Mirë ripërkufizon operacionet administrative dhe raporteve mes qytetarit dhe administratës. Ai është përgjigje ndaj pritjeve dhe kërkesave për qasje të balancuar për mbrojtjen e interesit publik, duke respektuar të drejtat dhe interesat e qytetarëve. Administrata e Mirë është në shërbim të komunitetit dhe promovon besimin shoqëror në pushtetin ekzekutiv; kësisoj ajo kontribuon në stabilitetin politik dhe kultivon zhvillimin ekonomik dhe pasurinë sociale. Në kontrast, një administratë jofunksionale është pengesë për investimet produktive dhe mund të çojë në rezistencë të qytetarit dhe protestë kundër shtetit e në rastin më të keq në dështim të shtetit.
Parimet dhe standardet e Administratës së Mirë burojnë nga legjislacioni dhe jurisprudenca e BE-së si dhe praktika e mirë administrative në Shtetet Anëtare të BE-së. Kësisoj, këto parime po ashtu ju ofrojnë politikëbërësve udhëzime në drejtim të anëtarësimit në BE dhe bashkëpunimit administrativ ndërkufitar.
Parimet e administratës së mirë. Administrata e Mirë është e hapur dhe transparente; organet administrative i mbajnë lëndët e fshehta apo konfidenciale vetëm për të mbrojtur një interes legjitim superior, p.sh. sigurinë kombëtare apo të dhëna personale të palëve të treta etj., dhe gjithmonë brenda kufijve të përcaktuar me ligj. Ato edhe e ndihmojnë qasjen në mënyra të ndryshme, p.sh. përmes metodave elektronike, ku të jetë e mundur, dhe përmes pikave të kontaktit të vetëm.
Organet administrative komunikojnë aktivisht rreth detyrave dhe përgjegjësive të tyre. Ato përdorin një fjalor që është i thjeshtë, i qartë dhe i kuptueshëm për publikun e përgjithshëm. Të gjitha autoritetet publike i identifikojnë shërbyesit civilë dhe kujdesen ndaj sjelljes së pahijshme apo të pasjellshme drejt qytetarëve. Për shndërrimin e parimeve të Administratës së Mirë në praktikë është i domosdoshëm një sistem i duhur i procedurës administrative. Një sistem i tillë i përcakton rregullat për procesin e marrjes së një vendimi administrative dhe Traktati i Bashkimit Evropian presupozon praninë e një sistemi funksional të vendimmarrjes administrative për të implementuar dhe të aplikuar.
Karakteristikat e një sistemi të mirë të procedurës administrative.
Një sistem i mirë i procedurës administrative përcakton udhëzime të thjeshta dhe të qarta për autoritetet e administratës publike dhe shërbyesve të vetë civilë në aktivitetet e përditshme. Rregullat e tij janë të formuluara në mënyrë të thjeshtë, të qartë dhe të kuptueshme dhe kësisoj mund të jetë me qasje dhe i njohur për qytetarët. Është i “përqendruar te qytetarin”, duke marë parasysh pritjet e qytetarëve dhe duke u ofruar garanci për të drejtat e tyre procedurale. Më tej përkufizon standardet e sjelljes etike dhe praktike të shërbyesve civilë, duke siguruar kësisoj funksionimin, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara për publikun.
Ekzistenca e një sistemi të tillë të përgjithshëm e të standardizuar siguron respektim më të mirë të rregullave materiale. Për më shumë, ndihmon edhe mbikëqyrjen dhe kontrollin nga nivelet e larta në zinxhirin komandues (si legjislatori dhe ministria përgjegjëse për kontroll), që mund të sigurojë që organi publik kompetent e respekton ligjin dhe statutin.
Të Drejtat e Njeriut
Për procedurën administrative, parimi i dinjitetit njerëzor dhe i trupit të lirive individuale janë po ashtu të rëndësishëm. Dinjiteti njerëzor dhe dispozitat e lirisë janë prapavija për një kuptim të ri që është qytetari ai që është në qendër të të gjitha veprimeve administrative. Administrata publike është e thirrur që t‟i ofrojë atij/asaj shërbimet themelore dhe t‟i mbrojë të drejtat e tij/saj. Parimi i barazisë së përgjithshme është si e drejtë njerëzore ashtu edhe element i demokracisë. Mbrojtja e të drejtave të njeriut përfshin edhe mbrojtjen e të dhënave dhe fshehtësi private. Administrata moderne është e orientuar t’i mbrojë të drejtat e njeriut përmes organizimit dhe procedurës, qoftë përmes organizimit transparent dhe të hapur qoftë përmes instrumenteve procedurale si pjesëmarrja, dëgjimi i drejtë, kompensimet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.