Marrëdhënie

February 14, 2017 | 8:35

Nga Alborena Hylviu / Burrat përballë partneres së tyre

Me gjithë ndryshimet dhe tendencat e reja sociale, duhet të pranojmë se jetojmë ende në një shoqëri maskiliste. Meshkujt kryesisht synojnë të tregojnë tiparet e një “të forti”, ku femrat duhet të jenë ato që duhet të binden e të përshtaten. Ata mund të cilësohen si individë, të cilët kanë një natyrë të veçantë sidomos në krijimin e raporteve specifike në shoqëri dhe dashuri. Raportet ndryshojnë në varësi të moshës, situatës. Ndryshe një raport ndjenje dhe pasioni shkolle, shumë më ndryshe një bashkëjetesë, por edhe më ndryshe martesat e gjata në vite. Situatat janë të ndryshme sipas kohës, por edhe fillimit të marrëdhënies në çift.

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Stereotipi mashkullor

Shumica e meshkujve ka trashëguar nga brezat atë pjesë mentaliteti, e cila ka jetuar me vite në shoqërinë shqiptare. E në fakt, s’kishte si të ndodhte ndryshe. Shumë prej tyre, le të themi se janë disi të “infektuar” nga mënyra e të jetuarit mes dy epokave. Kalimi nga diktatura në komunizëm natyrisht që la gjurmë tek të gjithë. Të qenit i “lirë” do t’u pëlqente të gjithëve, por kjo liri do të shihej e kufizuar përballë partneres së tyre. Tepër të kujdesshëm, “sytë katër” për të parë çdo lëvizje të saj, për ta përndjekur deri në fajësi (pa dashur të përgjithësojmë). Si natyrë mesdhetare, meshkujt shqiptarë do të dallohen gjithmonë për egoizmin e xhelozinë që kanë ndaj partneres. Dinë të dashurojnë, ndoshta me tërë forcën e tyre, por shpeshherë dështojnë në mënyrën se si e transmetojnë këtë ndjenjë. Shumë prej tyre vuajnë nga komplekse, ekzistenca e të cilave në shumë vende perëndimore nuk njihet më. Shpesh ata e shohin veten “superiorë”. Ndonjëherë të fiksuar për të qenë dominues, reflektues të një shpirti posesiv po aq sa edhe shumë burrëror. Nëse do t’i krahasonim me meshkujt tipikë perëndimorë, shqiptarët dinë të dashurojnë ndryshe, janë kompleksivë, duke i bërë ata të dallohen së tepërmi për mënyrën se si i tregojnë ndjenjat në raporte të ndryshme dashurie.

cift

 

Stereotipi “femëror”

Pozitat inferiore duket se kanë nisur të zbehen disi. Figura femërore në Shqipëri çdo ditë lufton për të qenë në një rol të denjë në shoqëri. Do të cilësoheshim të pavërtetë nëse do të tregonim vetëm këtë panoramë. Në fakt, formimi i femrave shqiptare ndryshon nga qytetet e mëdha me ato të vogla apo edhe zonat e largëta, ku këmba e njeriut nuk shkel. Nëse kalon “vijën e verdhë” të kryeqytetit, në një vëzhgim të shpejtë nuk mund të mos befasohesh nga “zelli” që tregojnë gratë teksa punojnë në arë, kujdesen për kafshët e shtëpisë dhe më pas duhet të kthehen në familje për të vazhduar akoma deri në orët e vona të natës rolin e tyre si kujdestare, pranë burrit dhe fëmijëve. Në këtë familje tradicionale, dashuria është e diktuar nga sytë e fqinjit, farefisit, plakut më të vjetër apo edhe fshatit. Por, po të zhvendosemi në qytete të tjera, diçka ndoshta ka ndryshuar. Nëse dikur ishte tabu thyerja e një lidhjeje dashurore nga frika ndaj familjes apo shoqërisë, duket se këto zakone të vjetra po largohen me kohën. Iniciativën e “frikshme” femrat kanë ditur ta ndërmarrin më lehtë. Ndikimi i përvojave të huaja i ka bërë të rinjtë shqiptarë të mendojnë se, seksi nuk është më një tabu. Çështja e virgjërisë, që dikur konsiderohej e tillë, ka bërë të shihet ndryshe nga ndikimi i shumë kulturave të huaja, të importuara në vend edhe nga niveli i lartë i emigracionit.

Si përkufizohen djemtë dhe burrat shqiptarë?

Burrat apo djemtë shqiptarë shprehen se dinë të dashurojnë dhe kërkojnë të dashurohen. E kanë tepër të vështirë të flasin për ndjenjat e tyre midis miqve më të ngushtë, siç ndodh rëndom me femrat. Shpeshherë, në marrëdhënie intime nuk duan të tregojnë dobësitë e tyre, pasi i tremben mendimit të partneres dhe gjykimit nga shoqëria. Burrat shqiptarë gjithnjë përpiqen të ruajnë ato zakone apo modele të trashëguara, të tërhequr apo pak më të frenuar në marrëdhënie me gruan. Duke menduar së femra shqiptare është e lodhur, për vetë kushtet e vështira sociale, por edhe si qenie më e brishtë dhe me ngarkesën e peshës së familjes, për këtë arsye ajo është shtylla që kërkon më shumë përkrahje dhe mbështetje nga bashkëshorti dhe familjarët e tjerë. Shoqëria shqiptare mund të cilësohet si një nga shoqëritë, e cila ka përjetuar forma të ndryshme të të dashuruarit. Kjo falë ndryshimit të kohërave që e kanë karakterizuar, duke ndikuar në mënyrë të ndjeshme në vendosjen e rregullave, të cilat kanë qenë një diktat për mënyrën e arsyetimit, botëkuptimit dhe krijimit të lirshmërisë individuale. Dikur shqiptarët e shihnin të natyrshme të fshihnin ndjenjat tyre, pasi dashuria midis të rinjve konsiderohej e ndaluar nëse ajo do ishte e dukshme edhe jo e fshehtë. Ishte sistemi, i cili krijoi në mendësitë shqiptare një kulturë atavike dhe të prapambetur. Dashuria ishte “tabu”. Dy të rinj duhej të martoheshin dhe më pas të dashuroheshin, pasi nëse do ndodhte e kundërta shumë prej tyre do vuanin, jo për faktin se nuk mundën të luftonin për ta jetuar, por për faktin se nuk do të kishin shansin ta provonin këtë luftë të mirëfilltë dashurie.

Sjellja perverse dhe kalimi i kufijve të humanizmit dhe mirëkuptimit cenojnë empatinë

Kohët e fundit, në shoqërinë tonë janë shtuar kobet që rëndojnë mbi gratë për shkak të xhelozisë së meshkujve të tyre. Praktikisht, krimet e kohëve të fundit janë fakte sociale të qarta, që tregojnë se në shoqërinë shqiptare xhelozia dhe dhuna po bëhen binom i rrezikshëm. E keqe akoma më e madhe është se meshkujt bëhen xhelozë dhe janë obsesivë për femrën e “tyre”, edhe pasi janë divorcuar me të, duke mos e lënë atë të jetë e lirë, të rifillojë jetën e saj personale, private dhe intime. Kjo është një sjellje perverse, që i kapërcen kufijtë e humanitetit dhe sjelljes normale. Në të gjitha rastet e hetimit apo argumentimit të krimit mbi gratë, burrat kriminelë nuk e kanë për gjë, që edhe pas hekurave të burgut të gjejnë “argumente” që tregojnë se nuk heqin dorë nga ideja se krimin mbi gratë e tyre e ushqen forca e ideologjisë maskiliste, ideja e deformuar e pabarazisë gjinore dhe frymëzimi nga koncepti sipas të cilit, bashkëshorti duhet të jetë dominues dhe të respektohet si i tillë nga gruaja në martesë. Ndërkaq, janë me dhjetëra fakte që dëshmojnë të kundërtën. Një pjesë e grave që divorcohen nga burrat e tyre të dhunshëm, xhelozë patologjikë e sadistë, e ndërmarrin këtë hap jo nga ndonjë mikrob nimfomanie, por në shumicën e herëve ngaqë martesa jo vetëm nuk funksionon, por ajo bëhet për gratë një “klimë burgu” e vërtetë.

Si i trajtojnë burrat problemet dhe ulje-ngritjet në çift?

Sipas shkencëtarëve, mospërputhja rrjedh nga një konfiguracion i ndryshëm i sistemit limbik, asaj zone të trurit nga e cila varet komunikimi, seksi, empatia dhe shoqërizimi, i cili është shumë i ndryshëm mes femrave dhe meshkujve. Një burrë gjithnjë has vështirësi për ta kuptuar bashkëshorten. Në jetën në çift ekzistojnë gjithmonë probleme dhe keqkuptime. Lidhja ka ulje-ngritjet e saj dhe shumica e çifteve i drejtohen psikologut për t’u konsultuar për problemet e tyre. Mirëkuptimi, dashuria, mirësjellja, gjendja shpirtërore, toleranca dhe empatia janë tipare thelbësore që duhen karshi gruas. Në shumë situata, aspekti fizik është një element i rëndësishëm që shërben si motiv më shumë pëlqimi, por duke mos pasur në brendësi elementet bazë të komunikimit, dashurisë dhe tolerancës, kjo pamje e bukur zbehet dhe sjell konfrontime në marrëdhënie me gruan apo burrat. Bashkëjetesa asnjëherë nuk është e lehtë dhe vitet në çift sjellin atë tranzicionin e vet: lindja e fëmijëve, ekonomia, oraret e vona, puna me orë të gjata, ndonjëherë edhe ajo tolerancë e madhe sjell keqformime në një familje të sapo filluar, ose sjell keqedukim të brezit, duke mos qenë një model i duhur prindëror. Gjithçka duhet të jetë komfort dashurisë, zgjidhjes së problemeve sa më lehtë. Mirëkuptimin, gjithnjë nga ana e bashkëshortit, duke qenë natyrë më e fortë, më i shmangur në problemet dhe vështirësitë që ka gruaja.

Vështirë që dikush të hyjë në jetën tuaj aq përsosmërish. Nuk është e lehtë, por për të ndërtuar një marrëdhënie efikase dhe model për fëmijët duhet empatia e një burri të zgjuar dhe gjithçka modelohet më mirë dhe më lehtë për gruan.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top