Në fokus

February 14, 2017 | 8:25

Nga Anxhela Peza / Gratë më të forta se dje

Në rrjedhën e historisë, pabarazitë ndërgjinore janë pakësuar shkallë-shkallë, me gjithë këtë, pabarazi të tilla ende janë shqetësuese për të gjitha shoqëritë e kohës sonë, madje edhe për ato më të industrializuara, më të demokratizuara. Të gjithë jeni dakord për shoqërinë maskiliste që na karakterizon, e kjo na ka ndjekur në çdo drejtim, deri në shekullin e XX, i cili konsiderohet si shekulli i reformave rrënjësore që kanë synuar përmirësimin e statusit të grave e vajzave në jetën politike.

femra

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Studimet e psikologëve e sociologëve në lidhje me këtë temë, sigurisht që i referohen statistikave të tilla si: “Ngritja në detyrë brenda organizatës së sipërmarrjes është një tjetër sfidë për femrat në vendin e punës, ku 19% mendojnë se gratë ngrihen shumë rrallë në detyrë”, raportohet në sondazhin e Deloitte Albania. Sipas tij, në vendin tonë, ndryshe nga shtete të tjera në botë, nuk ka pengesa formale për të dy gjinitë në marrjen e një arsimimi të ngjashëm dhe përparimit në karrierë. Ky fakt provohet nga pasqyrimi i shifrave të publikuara nga Instituti i Statistikave, të cilat flasin për një barazi gati të përsosur mes meshkujve dhe femrave në këtë drejtim. “Nga gjithë njerëzit që kanë diplomë universitare, 50.2% janë femra dhe 49.8% janë meshkuj. E megjithatë, arsimimi i barabartë nuk pasqyron të njëjtën barazi në përparimin në karrierë si te meshkujt dhe te femrat. Është një fakt që pranohet gjerësisht se brenda botës së sipërmarrjes dhe në sferën e gjerë publike, numri i grave bie në mënyrë drastike sa më shumë ngjit shkallët në hierarkinë e karrierës”, thuhet në sondazh.

Sondazhet kanë rezultate të ndryshme në kohë të ndryshme e kjo më së shumti varet në cilin pushtet politik gjendemi. Gratë e vajzat,  tanimë mund t’i shikojmë në postet drejtuese si: drejtoreshë, ministre, në krye të parlamentit, e kjo tregon më së miri se vlerësimi ndaj saj është i dukshëm. Do theksoja shumë në këtë pikë së femra është e lidhur biologjikisht me fëmijën, gjë të cilën atë e bën më të lidhur me shtëpinë, dhe ndoshta, qoftë kjo në mënyrë indirekte ndikon në karrierën e saj dhe në performancën maksimale të rezultateve në punë. Në jetën e përditshme gruaja është roli kryesor ku merr pjesë në çdo veprimtari të rëndësishme familjare. Është e nevojshme të themi se disa gjëra kanë ndryshuar dukshëm në qytetet kryesore të Shqipërisë ku roli i burrit jep kontribute në familje. Kjo pakicë e vogël nuk e zbeh atë çka është shumë e dukshme.

A janë femrat po aq të suksesshme sa burrat?

Ky është një diskutim mbarëbotëror, sigurisht ndër shekujsh. Kur pak më lart pohova se shoqëria jonë është maskiliste do të shtoja dhe që kjo botë është e meshkujve. Zoti vetë është mashkull. Në shumë fusha janë spikatur më shumë meshkujt sesa femrat në performacën dhe suksesin e tyre në karrierë, zbulime e në shkencë. Përpara dy a tre shekujsh, femrat japin ende kontributin e tyre “prej amvise” dhe për shkak të kulturës që përfaqësonte. Tanimë sigurisht që duhet ende kohë që gjinia e saj të ketë një sukses të njëllojtë me mashkullin. Për aq kohë sa numri i femrave do të jetë inferiore ndaj numrit të meshkujve në institucionet heterogjene, sigurisht që meshkujt do të kenë numër më të lartë të karrierës së suksesshme. Po të flisnim me numra të njëjtë midis palëve do të mund të bënim një analizë më të gjerë.

 

Natyra femërore kundrejt natyrës mashkullore

Gratë janë ato të cilat janë të orientuara biologjikisht të nisin disa punë përnjëherësh, e burrat janë ata të cilët fokusohen në një detyrë të vetme. Truri i gruas është më i orientuar nga vëmendja e shpërndarë, ndërsa truri i burrave është i orientuar drejt vëmendjes selektive. Fokusohen shumë në punët dhe obligimet e tyre që janë (mono detyrë), e pasi të ketë mbaruar, më pas nisin diçka tjetër.

Gratë janë më të përqendruara drejt detajeve, ku nuk i shmangen dot më as pjesës emocionale të tyre, duke u përfshirë shumë në to. Burrat janë ata me stilin praktik të tyre e me vullnetin për t’u shkuar gjërave deri në fund. Për gratë është thënë gjithnjë se nën presionin e kërcënimeve dhe dhunës nuk e kanë mundur ta përballojnë dot, duke u përfshirë në ndjenja të mëdha. Pasi vetë ajo  karakterizohet nga hiperndjeshmëria. Ndërsa burrat për shkak dhe të fizikut të tyre të fortë, kanë arritur t’ia dalin mbanë e fitimtarë. E kjo bën diferencime në rrënjë e deri në lulëzimin e suksesit të gjithsecilit. Suksesi i tyre ndihet gjithkund, si molekulat e parfumit. Përvoja jetësore dhe studimet provojnë se rritja e numrit dhe e peshës specifike të vajzave dhe grave në Kuvendin e Shqipërisë, në Këshillin e Ministrave, në të gjitha organet drejtuese të të gjithë institucioneve ka dhe do të ketë rrjedhoja pozitive.

Vitet e fundit shumica e burrave në postet drejtuese të të gjitha niveleve komunikojnë me gjuhë të vrazhdë deri vulgare e shumë fyese, çka krijon një tension të tepërt e shqetësues në marrëdhënie më vartësit e më të tjerët. Numri i madh i pranisë së grave e vajzave në poste drejtuese i nxit drejtuesit burra të komunikojnë në mënyrë më të kulturuar me njëri–tjetrin. Nga një studim-anketim i realizuar vitet e fundit rezulton se afro 90% e grave dhe vajzave të anketuara kanë pohuar se bindjet politike i përkasin pjesës më të ekuilibruar të spektrit politik, nga qendra e majtë në qendrën e djathtë.

Infektimi politik në Shqipëri është mjaft i dukshëm dhe gratë kanë ndihmuar në raste të tilla më shumë në rolin e nënës, motrës, bashkëshortes, për të zbutur më shumë qëndrimet e skajshme të politikanëve burra. Si vendi i traditave, gruaja shqiptare ka ndikuar për uljen e gjakrave, konflikteve, degjenerimeve sherresh të ndezura ndërmjet burrave.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top